11.7 C
Pristina
Wednesday, May 1, 2024

Analizë -Turqia, Evropa dhe lufta kundër terrorizmit

Më të lexuarat

Evropianët duhet t’u kushtojnë më shumë vëmendje sfidave të sigurisë me të cilat po përballet Turqia, pasi kjo është edhe në interesin e Evropës.

 

– Nga Ibrahim Kalin –

Në 12 nëntor Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoan) dhe Kryeministri Bnali Jëlldërëm (Binali Yıldırım) morën pjesë në një ceremoni varrimi organizuar në qytetin e vogël Arifiye të provincës Sakarya, në veri të Turqisë. Ata ishin të shoqëruar nga ministra, drejtues të qeverisjes vendore dhe mijëra qytetarë. Ndërkohë që po i bënin homazhet e fundit të vdekurit, turma në zi vazhdonte të hidhte parulla kundër terrorizmit.

Kjo ngjarje “e vogël” as nuk u bë lajm, dhe as nuk zuri vend të faqet e para të medias perëndimore. Asnjë zyrtar evropian nuk bëri ndonjë deklaratë të fortë në lidhje me dhimbjen dhe pikëllimin e bashkëshortes së Muhamet Fahih Safirturkut (Muhamed Fatih Safirtürk), nënprefekti i qytezës Derik në provincën juglindore të Mardinit, i cili u vra me atentatin e PKK-së në zyrën e tij. Asnjë komision i BE-së nuk u mblodh për të hetuar dhe për të dënuar sulmet terroriste, që PKK kryen në mënyrë sistematike dhe për të dënuar ata që i mbështesin ata (PKK) në politikë e media. Asnjë ambasador i BE-së nuk ishte i pranishëm në këtë ceremoni varrimi. Po ashtu as nuk kemi dëgjuar që dikush të ketë kontaktuar me familjen e Safiturk për ngushëllime.

Kjo është përsëritja e një modeli alarmant që vazhdon prej disa vjetësh. Zyrtarët evropianë bëjnë deklarata me gjysmë goje (jo me gjithë zemër) për të dënuar sulmet e PKK-së, por nuk thonë asgjë për ata që i mbështesin ata (terroristët) drejtpërdrejt ose tërthorazi. Në vend që të ofrojnë një ndihmë konkrete, ata shpenzojnë më shumë kohë për të kritikuar qeverinë e Ankarasë për masat që po merr kundër atyre që kërkojnë të ligjësojnë e justifikojnë dhe të glorifikojnë terrorizmin e PKK-së. Ata e shikojnë si të papërshtatshme të folurit për faktin se deputetët e Partisë Demokratike të Popujve (HDP) në Parlament dhe organet e tyre mediatike nuk kanë bërë as edhe një deklaratë që i dënon sulmet terroriste të PKK-së, autobombat, sulmet vetëvrasëse dhe atentatet e tyre me objektiv të përcaktuar. Ata thonë se BE-ja e konsideron PKK-në si një organizatë terroriste, por ndërkohë lejojnë që agjentët operativë të PKK-së dhe propagandistët e saj të punojnë në Evropë për grupin terrorist, të mbledhin të holla (para), të rekrutojnë terroristë të rinj për organizatën, të përhapin ideologjinë e saj dhe të lobojnë për interesat e saj në asambletë kombëtare (parlament) dhe në Bruksel. Sa herë që qytetarët turq shikojnë flamujt e PKK-së në Parlamentin Evropian (PE) dhe në rrugët e kryeqyteteve evropiane, arrijnë në konkluzione që i mërzisin evropianët. Kush e ka fajin për këtë?

Administrata e Presidentit amerikan, Barak Obama nuk është e ndryshme, kur bie fjala për mbështetjen e degës së PKK-së në Siri, Partinë e Unionit Demokratik (PYD) dhe krahun e vet të armatosur, Njësitë për Mbrojtjen e Popullit (YPG), dhe këtë thotë se e bën në emër të luftës kundër DAESH. Pavarësisht faktit se ju nuk mund ta mposhtni terrorizmin me një organizatë tjetër terroriste, qeveria e SHBA vazhdon të furnizojë me armë, municion, të trajnojë dhe ndihmojë me informacion të klasifikuar degën e PKK-së në Siri. Ndërkohë që në terren ka forca legjitime të opozitës siriane për të luftuar kundër përbindëshave binjakë të luftës siriane, d.m.th, regjimit të Esadit dhe DAESH. Operacioni Mburoja e Eufratit, i filluar nga Turqia më 24 gusht, ka dëshmuar se ka një mënyrë më efektive dhe legjitime për t’u përballur me terrorin e DAESH-it, se sa ajo e furnizimit me armë të forcave të tjera, të cilat nuk janë besnike ndaj popullit sirian, por ndaj PKK-së dhe qendrës së saj komanduese në Malet Kandil.

Kur qytetarët evropianë kritikojnë arrestimin e deputetëve të HDP-së dhe bëjnë deklarata të zjarrta, pa i studiuar seriozisht faktet, ata nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se thjesht ripërtërijnë perceptimin se Evropa ka standarde të dyfishta për terrorizmin. E vërteta është se deputetët e tjerë, të cilëve u ishte hequr imuniteti, kishin shkuar për të deklaruar (në prokurori) pa i sfiduar urdhrat e gjykatës. Kurse deputetët e HDP-së e sfiduan hapur gjykatën dhe refuzuan të dënojnë sulmet e PKK-së.

Duke qëndruar pranë atyre që shfajësojnë terrorizmin në emër të lirisë së shprehjes, politikanët evropianë kërkojnë ti imponojnë Turqisë një parim që ata kurrë nuk do ta lejojnë në Evropë. A mund ta imagjinoni që institucionet politike të BE-së dhe asambletë kombëtare (parlamentet) të lejojnë deputetët e tyre të mbrojnë al-Kaedën ose DAESH-in, të thurin lavde për aktet e tyre terroriste dhe të sfidojnë urdhrat e gjykatës?

Është e kotë që të dënojnë terrorizmin pa marrë masa konkrete. Është hipokrizi të kritikosh Turqinë për të bërë atë që shumica e evropianëve, -në rast të ballafaqimit me situatë të njëjtë,- do të kishin bërë në vendet e tyre. Një shembull i qartë është rasti i partisë neonaziste dhe fashiste “Agimi i Artë” në Greqi, e cila ka hyrë në parlamentin grek në vitin 2012, duke marrë 6.9 për qind të votave dhe duke u bërë partia e tretë më e madhe e vendit. Në vitin 2013, kryetari i saj dhe disa deputetë u përballën me akuza kriminale, duke përfshirë vrasje dhe u mbajtën në paraburgim deri në zhvillimin e seancës gjyqësore. Nëse do të ishin shpallur fajtorë, ata do të vuanin dënimin me burgim. Ne nuk kemi parë ndonjë zyrtar të BE-së që të ketë kritikuar qeverinë greke për masat e marra kundër kësaj partie. Në rastin e Turqisë, akuzat janë edhe më të rënda, pasi ato kanë të bëjnë me sigurimin e mbështetjes për terrorizmin. Është e drejta e Turqisë të presë nga aleatët e saj evropianë dhe amerikanë të qëndrojnë pranë saj kundër terrorizmit.

Ka raste të tjera shqetësuese që e përforcojnë këtë standard të dyfishtë. Pas tentativës së përgjakshme të 15 korrikut për grusht shteti, tentativë e cila rezultoi me vrasjen e më shumë se 240 njerëzve, qeveria ra në gjurmët dhe filloi të ndjekë komplotuesit e grushtit të shtetit. Zyrtarët evropianë ndërkohë që thanë një gjë për të dënuar përpjekjen e dështuar të grushtit të shtetit, ata thanë nëntë gjëra të tjera për të kritikuar qeverinë përse i nxori puçistët para drejtësisë. A ka ofruar Evropa ndonjë ndihmë? Nëntë ushtarakë që kishin marrë pjesë në grushtin e shtetit u arratisën në Greqi dhe janë ende atje. Dhjetëra, nëse jo qindra, nga gylenistët e dyshuar ikën në vende të ndryshme të Evropës. A ka ndonjë vend evropian që ti ketë rikthyer ata për shkak të urdhërarresteve që janë lëshuar nga drejtësia turke? A ka dhënë ndonjëri prej tyre ndonjë informacion mbi organizimin e PKK-së apo strukturat e gulenistëve në qytetet evropiane? Edhe kur ka qenë në modë akuzimi i Turqisë për lejimin e luftëtarëve terroristë të huaj të kalojnë në Siri, shumë pak vende evropiane i kanë bërë detyrat e shtëpisë, për të ndarë informacionin e nevojshëm të klasifikuar dhe për të kontrolluar shtetasit e tyre para se këto vende të ndërronin portat me Turqinë.

Përkundrazi, ata janë të zënë duke u dhënë merita atyre që janë dërguar në gjykatë me akuza, që në Turqi përbëjnë vepër penale. Presidenti gjerman nuk do të guxonte të priste në pallatin presidencial shtetasin e një vendi tjetër, p.sh. ShBA ose Francë, i cili është i dënuar apo burgosur. Qeveria gjermane nuk do të mendonte kurrë të lëshonte një pasaportë të përkohshme për Eric Snowden, i cili akuzohet për dërgimin e publikimin e dokumenteve të qeverisë në Wikileaks dhe që për momentin vazhdon të qëndrojë i fshehur në Rusi. Por ata mund ta bëjnë këtë kur bëhet fjalë për Turqinë. Evropianët mendojnë se janë të lirë për të ftuar në aktivitetet e tyre përkrahësit e PKK-së për të “shpjeguar” këtu se çfarë po ndodh në Turqi dhe në bazë të këtyre shkruajnë pastaj “progres-raportet”. Pastaj ata kërcënojnë Turqinë me pezullimin e bisedimeve për anëtarësim në BE apo me vendosjen e sanksioneve. Kur Turqia reagon ndaj këtij standardi të ngulitur të dyfishtë, ajo etiketohet si autoritare, intolerante, agresive, e të tjera, e të tjera.

Ajo që njerëzit shohin dhe dinë është se Muhammed Fatih Safiturk, nënprefekti i Derikut, u vra me atentat nga PKK, duke lënë pas një vejushë që mban zi dhe një fëmijë. Të nesërmen mediat e PKK-se e lavdëruan këtë atentat. Dhe nga zyrtarët evropianë nuk erdhi asnjë dënim në lidhje me këto deklarata.

Ky është një trend shqetësues që duhet përmbysur. Përndryshe, Evropa do të humbasë një komb të tërë.Turqia e konsideron integrimin me BE-në si një qëllim strategjik. Në një botë ku dominon ndërvarësia në rritje, marrëdhëniet turko-evropiane janë çelësi i sigurisë rajonale dhe stabilitetit global. Turqia ka miq në Evropë dhe brenda BE-së dhe ata duhet ta ngrenë zërin për të korrigjuar dëftesën e notave të Evropës në këtë pikë. Procesi i liberalizimit të vizave duhet të finalizohet pa bërë më shumë zhurmë dhe ashtu siç është rënë dakord në vitin 2013. Ndërkohë BE-ja duhet të përmbushë përgjegjësitë e saj financiare që rrjedhin nga marrëveshja e migrimit Turqi-BE. Bisedimet e pranimit duhet të përshpejtohen duke hapur e mbyllur kapituj të rinj negociues.

Autoritetet evropiane duhet t’u kushtojnë më shumë vëmendje sfidave të sigurisë me të cilat po përballet Turqia, dhe duhet ta pranojnë që kjo po aq sa Turqisë është një çështje që i intereson edhe Evropës.

Autor:Ibrahim Kalin – Zëdhënës dhe zv/sekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë

Shqipëroi: Serdar Hüseyni

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit