Gjykata Speciale në dhjetor të vitit të kaluar dërgoi ftesat e para për intervistimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Intervistimet nisen në janar të këtij viti, të cilat po vazhdojnë edhe sot. Një ftesë e tillë për intervistim i ka ardhur edhe Ismet Tarës i njohur si komandant “Hoxha”.
Ai më 2 mars ditën e diel do të niset për në Hagë, ku do të intervistohet nga Gjykata Speciale. Lidhur më këtë ai ka kërkuar qytetarët që të dalin për ta përcjellur atë.
Letra e tij e plotë:
FTESË BASHKËQYTETARËVE, BASHKËLUFTËTARËVE TË MI SI DHE TË GJITHË DASHAMIRËVE TË KOMBIT TIM
Edhe pse liria pas vitit 1999 erdhi, pushtetarët tanë nga pushteti i parë e deri tek ky i fundit, ata i hutoi pushteti, lakmia për pasuri dhe jeta luksoze e tyre dhe familjarëve të tyre, ata dita ditës filluan ta zbehin lirinë tonë derisa u bënë të pushtetshëm si carat dhe krajlat e dikurshëm.
E në fund pas 9 vitesh atyre ju ra ndërmend që me 17 Shkurt 2008 që duhet të shpallet Pavarësia. Dhe pas pavarësisë pikërisht këta pushtetarë na premtuan se Kosova jonë nga tani e tutje do të bëhet parajsë e secilit qytetarë që jeton në të, pastaj vetëm brenda ca muajsh do të kemi liberalizim vizash, brenda 5 vitesh do të bëhemi pjesë e NATO-s dhe do të bëhemi pjesë e Evropës brenda 7 vitesh.
Shtetet mike në krye me SHBA, Anglinë, Gjermaninë, Turqinë bënin gara se kush nga to e para do të na pranojë në kufijtë e Kosovës që e ka njohur edhe vet ish Jugosllavia me republikat e saja. Por nuk kaluan shumë vite pas pavarësisë, asnjë nga këto premtime të pushtetarëve nuk u realizuan, kurse gjendja e kësaj pavarësie filloi të luhatet, dhe vendet tona fqinje si Maqedonia, Mali i Zi na i prekën dhe ngushtuan po këto kufijtë te pranuar nga bashkësia ndërkombëtare.
Tani së fundi, miq që na e pranuan pavarësinë dhe shtetin tonë, duke i parë pushtetarët tanë të hutuar kërkojnë prej tyre vendosjen e një kufiri të ri me Serbinë, Serbinë që para 20 vitesh e luftuam kundër të gjitha të këqijave që bënte në Kosovë.
Popullata jonë e përvuajtur dhe mjeruar me këta pushtetarë e humbi edhe shpresën për një të ardhme të ndritur, duke u dorëzuar nga e keqja dhe abuzimet pushtetare.
Ajo që është më e dhimbshme dhe ku e prek secilin emocion të qytetarit është humbja dhe lënia pasdore të strukturës më vitale, vlerës më të shtrenjtë kombëtare si dhe promotorin e të ardhmes së kombit, e a jo është RINIA jonë. Për shkak të këtij mjerimi qytetar, rinia jonë mori rrugë të panjohura nëpër vende nga e gjithë bota vetëm e vetëm që ta gjejë veten dhe të ardhmen e saj për një jetë të ëndërruar nga ata.
Të dashur bashkëqytetarë, bashkëluftëtarë e rini e dashur dhe e shtrenjtë, edhe unë Ismet Tara me bashkëluftëtarët prej 30 Maj 1999 deri më 11 Qershor 1999 i kemi humbur shpresat edhe më shumë se ju se lufta jonë do të triumfojë në malet e Romajes, por drejtësia e Zotit dhe gjaku i të përmendurëve triumfuan dhe me 12 Qershor erdhëm në qytetin tonë si fitues të luftës.
Prandaj, me 2 Mars ditën e Diel duke filluar prej orës 16:00h ju ftoj të gjithë për përkrahje të luftës së shenjtë të UÇK-së dhe përshëndetje me komandant Ismet Tara-Hoxha për përcjellje në Gjykatën Speciale – Hag.
Vendtakimi përcjellës do jete te përmendorja e Komandantëve te mi “Tonit & Micit ne parkun e qytetit ora 16:00 (4 mbasdite).