Një institucion arsimor në Austri i ka ndaluar stafit të saj të mbajë simbole të dukshme fetare në përputhje me vendimin e gjykatës së lartë të Bashkimit Evropian (BE) thonë të mërkurën mediat lokale, transmeton AA.
BFI, e cila posedon dhjetëra kolegje profesionale në të gjithë vendin, tha se institucioni i tyre ka ndaluar punonjësit e saj të veshin “çdo lloj simboli të dukshëm” fetar, njofton gazeta “Kleine Zeitung”.
Në një intervistë, disa orë pasi Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) tha se ligji në fjalë nuk përbënte “diskriminim të drejtpërdrejt”, për të ndaluar mbajtjen e ndonjë “simboli politik, filozofik ose fetar”, drejtori i institucionit Wilhelm Techt tha se stafi i tij do të jetë në përputhje me “kulturën perëndimore”.
Ai për gazetën deklaroi se: “Ne duhet të lidhemi me kulturën dhe vlerat perëndimore, pa keqkuptime. Prandaj, edukatorët duhet të punojnë me veshje perëndimore”.
Ai shtoi se BFI numëron rreth 1000 azil-kërkues në mesin e mijëra studentëve të saj dhe me rreth 430 personel mësimdhënësish.
Edhe pse vendimi vlen për të gjitha simbolet e jashtme të përkatësisë politike apo fetare, muslimanët e kanë përshkruar vendimin e gjykatës si sulm të drejtpërdrejt ndaj grave që mbajnë hixhabin ose shaminë.
Ibrahim Olgun, kreu i komunitetit islamik të Austrisë, tha se vendimi do të zvogëlojë numrin e grave muslimane në vendet e punës.
“Do të ndodhin diskriminime serioze ndaj grave muslimane”, tha ai. “Ne shohim reflektimet e saj në shembullin e BFI-së. Vendimi do të përjashtojë nga shoqëria gratë tona që mbajnë shami”.
Vendimi erdhi pas rasteve të dy grave në Francë dhe Belgjikë, që datojnë nga viti 2008, përkatësisht 2003, të cilat ishin larguar nga detyra për shkak të refuzimit për të hequr hixhabin në vendin e punës.