9.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

KMSH: Mijëra besimtarë përkujtojnë Profetin Muhamed (alejhi selam)

Më të lexuarat

Mijëra qytetarë shqiptarë, u bënë pjesë e programit festiv në përkujtim të Profetit Muhamed, paqja qoftë mbi të, organizuar për të njëmbëdhjetin vit radhazi nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe Fondacioni Kulturor e Arsimor “Sema”.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, duke folur

për personalitetin që la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e historisë njerëzore, u shpreh se  mesazhi që solli Profeti është mesazhi i  jetës, i dashurisë dhe i mëshirës.

“Të gjithë profetët u kanë folur popujve të ndryshëm, ndërsa Muhamedi a.s. erdhi si mëshirë për të gjitha botërat. Mesazhi që solli Profeti është mesazhi i  jetës, i dashurisë dhe i mëshirës. Profeti Muhamed a.s. na mësoi se qëllimi i Islamit është promovimi i paqes, i mirëkuptimit, i drejtësisë, i sigurisë dhe garantimit të dinjitetit njerëzor, duke respektuar në thelb diversitetin njerëzor.”, tha z. Bruçaj.

Kryetari Bruçaj, tha  më tej se Profeti Muhamed a.s., na mësoi se, një mysliman i mirë duhet të jetë gjithnjë i drejtë dhe i qëndrueshëm në fjalët dhe veprat e tij. Ai duhet të respektojë të gjitha vlerat e shenjta të besimeve te ndryshme fetare, njëlloj siç dëshiron që të tjerët të tregojnë respekt karshi fesë (besimit) dhe vlerave të tij.

Ndërsa Kryeministri i vendit z. Edi Rama, i pranishëm në këtë aktivitet, vlerësoi figurën e Profetit Muhamed a.s. teksa theksoi se njerëzimi nuk mund të bënte pa të dhe pa mesazhet e tij.

Kryeministri Rama, gjithashtu vlerësoi rolin dhe kontributin e Komunitetit Mysliman në këto vite. “Unë e përshëndes dhe si kryeministër, jam krenar për Komunitetin Mysliman shqiptar, një komunitet që në çdo moment ka luajtur një rol emancipues dhe paqëtues për kombin tonë. Një komunitet i cili sot e mbështet plotësisht projektin tonë të ri për ta kthyer shkollën publike në një hapësirë njohëse jo vetëm për shkencat por edhe për fenë.”, tha z. Rama.

Kryeministri i vendit u shpreh se ka ardhur momenti që shteti shqiptar të hapë dyert në shkolla që nxënësit të pajisen me njohuritë fetare, përveç atyre shkencore dhe se kjo nuk e cenon aspak laicitetin e shkollës sonë por në forcimin e themeleve të kulturës laike, e cila është e dobët dhe e pafuqishme që të përballet me format e ekstremizmit të dhunshëm.

“Kulti islam në qasjen e tij qytetëruese dhe tolerante ka promovuar në këtë vend shkollimin dhe kulturën dhe këtë shumë pak e dinë.”, tha më tej z. Rama.

Fjalë përshëndetëse mbajti edhe kreu i bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili i shpreh se ne kemi një trashëgimi të vyer si ajo që na la Profeti Muhamed.

Kur’ani, ilahitë dhe pjesët e zgjedhura poetike të përcjella me mjeshtëri nga emrat e njohur të skenës dhe ekranit shoqëruan programin në përkujtim të Profetit të Mëshirës.

Si zakonisht programi erdhi nën regjinë e Agron Hoxhës dhe udhëheqësit artistik, mjeshtrit të merituar, Kujtim Alia.

Pjesë e programit ishte edhe një  panair me produkte të ndryshme si: ushqime, libra, punime artistike, etj., të ardhurat e të cilit do të shkojnë për familjet në nevojë.

Në këtë organizim festiv morën pjesë shkrimtarë, artistë dhe përfaqësues të botës së artit dhe kulturës nga Shqipëria dhe hapësira mbarëshqiptare./kmsh/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit