4.2 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Kissinger: Një kriminel lufte, fitues i çmimit Nobel për Paqe

Më të lexuarat

Ish-sekretari amerikan i shtetit la pas vete një trashëgimi politikash gjakatare që akoma miratohen nga zyrtarët amerikanë.

 

AHMED TWAIJ

 Ekziston një thënie e famshme në gjuhën Spanjolle: “No hay mal que dure 100 anos, ni cuerpo que lo resista”. Që do të thotë “Nuk ka asnjë të keqe që zgjat 100 vjet, e as një trup që mund ta durojë atë”. Ish-këshilltari i sigurimit kombëtar të SHBA-së dhe sekretari i shtetit, Henry Kissinger, si duket është përpjekur ta vërtetojë si të gabuar kuptimin e kësaj fjalie duke mbushur 100-vjetorin e lindjes, përpara se të takonte përfundimisht Krijuesin e tij gjashtë muaj më vonë, më 29 nëntor.

 Pas vdekjes së tij, nekrologjitë dhe lavdërimet vërshuan nga media në mbarë botën; disa e quajtën atë “kontravers”, kurse të tjerë e vlerësuan pozitivisht trashëgiminë e Tij. Mes këtyre përpjekjeve për të zbardhur mizorinë e Kisingerit, ne nuk duhet të humbasim linjën e detyrës për të zbuluar se kush ishte ai në të vërtetë.

 Sipas librit Kissinger’s Shadow (Hija e Kissingerit) të historianit Greg Grandin të Universitetit Yale , ky ishte një njeri  i cili  nëpërmjet veprimeve të tij, ishte drejtpërdrejt përgjegjës për vrasjet e tre deri në katër milionë njerëzve gjatë tetë viteve të tij në detyrë midis 1969 dhe 1977. Politikat e përgjakshme që ai promovoi hapën rrugën për luftërat e pafundme të Amerikës në vitet e mëvonshme.

 Kissinger shihej si arkitekti i përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të frenuar Bashkimin Sovjetik dhe ndikimin komunist në mbarë botën. Për ta arritur këtë, ai prezantoi qasjen “bombat mbi diplomacinë” duke nxitur disa nga fushatat më brutale të bombardimeve në historinë moderne.

 Kjo qasje u zbatua për herë të parë gjatë Luftës së Vietnamit, kur Shtetet e Bashkuara u përpoqën të pengonin komunistët të vinin në pushtet. Kissinger, i cili në atë kohë shërbente si këshilltar për sigurinë kombëtare të Presidentit Richard Nixon, nxiti  bombardimin qilimor (Bombardimi i hapësirave më të mëdhaja me qëllim të shkatërrimit masiv të krejt atij territori duke mos bërë dallim mes caqeve civile dhe atyre ushtarake)  jo vetëm të Vietnamit, por edhe të Kamboxhias fqinje, ku vepronin si guerilët kamboxhianë dhe ata vietnamezë.

 Në vitin 1969, ofansiva ushtarake u miratua fshehurazi dhe u krye pa e informuar Kongres-in. Raportet e deklasifikuara të Pentagonit thanë se Kissinger miratoi personalisht 3,875 sulme ajrore që hodhën rreth 540,000 ton bomba në Kamboxhia në vitin e parë të fushatës. Edhe sot e kësaj dite, shumë vietnamezë dhe kamboxhianë të pafajshëm, vriten nga minat dhe bombat e mbetura të pashpërthyera amerikane.

 Është e panevojshme të thuhet se bombardimet qilimore nuk arritën të pengojnë komunistët të vijnë në pushtet, por përkundrazi ua lehtësuan komunistëve vietnamezë dhe kamboxhianë marrjen e pushtetit. Në Kamboxhia, Khmerët e Kuq (khmer rouge)  mbizotëruan në luftën civile të vendit dhe kryen mizori të shumta, duke përfshirë masakrën e 1.5 deri në dy milionë njerëz. Në lidhje me këto ndodhi lexoni se ç’kishte shkruar shefi i famshëm i kuzhinës televizive Anthony Bourdain: “Pasi të keni vizituar Kamboxhën, do të dëshironit shumë të grushtonit Henry Kissingerin deri sa ta bënit për vdekje”.

 Për rolin që kishte në luftën në Azinë Juglindore, Kissinger-it iu dha në mënyrë të neveritshme çmimi prestigjioz Nobel për Paqe në vitin 1973. Një luftë në të cilën ai fshehurazi ndihmoi Nixon-in në sabotimin e bisedimeve të paqes midis administratës amerikane dhe Hanoi-t. Një luftë në të cilën keqardhja e vetme e Shteteve të Bashkuara ishte se nuk kishin aplikuar edhe më shumë forcë brutale për të siguruar fitoren.

 Çmimi i paqes ishte një shuplakë për viktimat e brutalitetit të Kissinger-it dhe ka qenë një tjetër dëshmi se Perëndimi refuzon të kërkoj llogari nga kriminelët e tij të luftës.

 Krimet e Kisingerit shtrihen përtej Vietnamit dhe Kamboxhias. Në Azinë Jugore, i shqetësuar se India me prirje sovjetike do të çonte në kolaps  Pakistanin, aleatin e SHBA-së, Kissinger mbështeti Islamabadin në fillim të viteve 1970, ndërsa forcat e tij kryenin gjenocid kundër popullsisë bengale në Pakistanin Lindor (tani Bangladesh). Pavarësisht se mori paralajmërime të shumta nga diplomatët amerikanë për mizoritë që kryheshin atje, Kissinger miratoi dërgesën e armëve që lejuan të vazhdonin këto ngjarje.

 Në vitin 1975, Kissingeri i dha dritë jeshile gjithashtu pushtimit indonezian të Timorit Lindor për të rrëzuar qeverinë e Fretilin-it me prirje komuniste. Gjatë miratimit të këtij gjenocidi që rezultoi me vrasjen e më shumë se 200,000 njerëzve, Kissinger e këshilloi Suharton: “Është e rëndësishme që çdo gjë që bëni të ketë sukses shpejt.”

Është vlerësuar se një e pesta e popullsisë së ishullit të Paqësorit vdiq gjatë pushtimit indonezian, i cili zgjati deri në vitin 1999.

 Forcat e krahut të djathtë dhe puçistët në të gjithë Amerikën Latine  mund të mbështeteshin gjithashtu në përkrahjen e Kissinger-it. Në vitin 1973, presidenti i Kilit i zgjedhur në mënyrë demokratike, Salvador Allende, u rrëzua me një grusht shteti me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara dhe sekretarit të shtetit. Tre vjet më vonë, pasi ushtria përmbysi Presidentin Isabel Peron dhe vendosi sundimin ushtarak në Argjentinë, Kissinger dha dritën jeshile për abuzimevet e tmerrshme të të drejtave të njeriut që ajo kreu.

 Në vitin 2016, presidenti i atëhershëm amerikan Barack Obama shprehu keqardhjen e tij për rolin e SHBA-së në “luftën e pistë” në Argjentinë. Megjithatë, më pak se dy muaj pas kësaj ndjese të cekët, administrata e tij dha çmimin “Shërbimi Publik i Shquar” për kryearkitektin e këtyre politikave!

 Kissinger u dëshmua gjithashtu se ishte një prishës i paqes në Lindjen e Mesme. Ai jo vetëm që sabotoi propozimet për një zgjidhje midis Izraelit dhe shteteve arabe që vinin nga Moska, por i minoi edhe ato propozimet që vinin nga brenda Uashingtonit.

 Edhe pse ishte një mbështetës i vendosur i Izraelit, Kissinger tregoi një shpërfillje tronditëse për jetën e hebrenjëve. Në një takim me Nixon, ai u regjistrua të kishte thënë: “Eksodi i hebrenjve nga Bashkimi Sovjetik nuk është objektivi i politikës së jashtme amerikane… Dhe nëse ata i vendosnin hebrenjtë në dhomat e gazit në Bashkimin Sovjetik, kjo nuk është një çështje Amerikane. Ndoshta mund të ishte një shqetësim humanitar”!

 Edhe pasi la postin e tij si sekretar i shtetit, Kissinger vazhdoi së shtyri për vdekje dhe shkatërrim në mbarë botën në librat, intervistat, artikujt dhe këshillat që jepte për zyrtarët amerikanë.

 Si një irakian që jam, veçanërisht shqetësues më duket roli kriminal që kishte luajtur në vendimmarrjen e administratës së Bushit në luftën kundër Irakut. Bush u mbështet tek ai teksa shpalosi strategjinë e tij të “tronditjes dhe frikës”, duke vendosur të bombardojë civilët irakianë, pavarësisht se fushatat e bombardimeve dështuan në mënyrë spektakolare në Kamboxhia dhe Vietnam.

 Këshilla e Kissinger-it për presidentin në vitin 2006 ishte e thjeshtë: “Fitorja është e vetmja strategji me kuptim e daljes”. Kështu që Bush vendosi rritjen e numrit të trupave amerikane, gjë që çoi në një rritje rapide të numrit të vdekjeve civile. Shtëpitë e familjes sime në Bagdad u bastisën nga trupat amerikane dhe shumë prej tyre u detyruan të iknin në Jordaninë fqinje dhe gjetkë.

 Edhe ndërsa jetoi ditët e tij të fundit (në mënyrë paqësore, ndryshe nga shumë prej viktimave të tij) në shtëpinë e tij në Konektikat (Connecticut), Kissinger nuk mund ta ndalonte veten nga inkurajimi i luftës. Në një intervistë për Politico pas sulmit ndaj Izraelit më 7 tetor, Kissinger deklaroi mbështetjen e tij të plotë për luftën brutale të Izraelit në Gaza dhe tha: “Nuk mund të bëni lëshime ndaj njerëzve që deklarojnë dhe demonstrojnë me veprimet e tyre se nuk mund të bëjnë paqe”.

 Trashëgimia që Kissinger lë pas është vërtet e tmerrshme. Ai formësoi politikën dhe politikëbërjen amerikane për të forcuar besimin se politikat e përgjakshme dhe të dhunshme perandorake funksionuan, se ishte në rregull të mbrohej “interesi kombëtar” në kurriz të miliona jetëve.

Sot siç po shohim edhe  në Gaza  zyrtarët amerikanë vazhdojnë të besojnë se bombardimet qëllimore dhe vrasjet masive të civilëve mund të japin rezultatet e dëshiruara politike.

 Nëse Kissinger nuk u përball kurrë me drejtësinë, a mund të presim që zyrtarët izraelitë të nxirren ndonjëherë para drejtësisë?

 Në të vërtetë, tragjedia e vërtetë e jetës dhe vdekjes së tij është se ai dëshmoi se të fuqishmit mund të shpëtojnë edhe pse kanë vrarë miliona njerëz dhe ende të festohen pasi të kenë vdekur në paqe!

 

Përktheu: Abdurrahman Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit