3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë refuzon dialogun me Kurtin

Më të lexuarat

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit ka njoftuar më 27 maj se është “krejtësisht e pakuptimtë” që të përgjigjet në letrën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilën ia ka dërguar abatit të Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq. Në atë letër Kurti e kishte shprehur dëshirën që të vizitojë Manastirin e Deçanit dhe të bisedojë me abatin Janjiq. Arsyeja e refuzimit, siç thuhet në një komunikatë të Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit, është mosrespektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronën e Manastirit të Deçanit.

“Lidhur me letrën që zoti Albin Kurti e ka dërguar në manastirin ortodoks serb të Deçanit të Lartë, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit mbetet pranë qëndrimit të saj të deklaruar në mënyrë të qartë më parë, se nëse institucionet shqiptare të Kosovës dëshirojnë të tregojnë një minimum të vullnetit të mirë, për të respektuar të drejtat fetare të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, ato janë të obliguar që të përmbushin plotësisht vendimin e Gjykata Kushtetuese të Kosovës, të vitit 2016, për njohjen e pronës së manastirit ”, thuhet në njoftimin e dioqezës.

“Ky vendim tash e pesë vjet është duke u injoruar me këmbëngulje, pavarësisht kërkesave për zbatimin e tij nga ana manastirit dhe institucioneve ndërkombëtare”, njoftohet në komunikatën e Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Qeverisë së Kosovës, Hajrulla Çeku, më 26 maj ka thënë se “Qeveria e Kosovës është e përkushtuar maksimalisht për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe në veçanti të kishave ortodokse”.

“Dialogu me klerikët ortodoksë në Kosovë është rruga e vetme për një zgjidhje të qëndrueshme”, ka shkruar ministri Çeku në profilin e tij në Facebook, duke postuar një letër të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të dërguar më 20 maj, abatit të Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq.

Në atë letër, përveç tjerash, thuhet që Qeveria e Kosovës do të kujdeset “për të gjitha monumentet tona (të kulturës), e në veçanti për kishat dhe manastiret ortodokse”.

Kryeministri Kurti, gjithashtu ka shprehur dëshirën që të vizitojë Manastirin e Deçanit dhe të bisedojë me abatin e manastirit, Sava Janjiq, duke theksuar se vetëm me komunikim të sinqertë mund të arrihet te mirëkuptimi, zgjidhja e sfidave dhe largimi i paragjykimeve.

“Do të jem në pritje të përgjigjes për të përcaktuar detajet e vizitës”, thuhet në fund të letrës së kryeministrit Kurti.

Radio Evropa e Lirë, më 27 maj, e ka kontaktuar abatin e Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, i cili na udhëzoi t’i drejtohemi sekretarit të Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit, Milosh Periq. Në një bisedë telefonike, Periq ka thënë se përgjigjen në pyetjen lidhur me dialogun e Qeverisë së Kosovës me Kishën Ortodokse Serbe do ta dërgojë me shkrim. Të njëjtën ditë, Kisha Ortodokse Serbe lëshoi një deklaratë.

Problemi me pronën në Deçan

Edhe pse vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës janë përfundimtare dhe të detyrueshme për të gjitha palët, udhëheqja lokale në Deçan po refuzon që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, sipas të cilit, 24 hektarë tokë i përkasin Manastirit të Deçanit.

Autoritetet e atjeshme lokale thonë se ajo pronë i takon ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe Iliria” dhe se asnjëherë nuk i ka takuar manastirit. Ata konsiderojnë që Gjykata Kushtetuese e ka legalizuar vendimin e Slobodan Milosheviqit, të vitit 1997, kur vendosi që atë pronë t’ia dhurojë manastirit.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet lokale nuk e kanë ndryshuar qëndrimin dhe se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk do të zbatohet.

“Në fakt, ai vendim e ka penguar zhvillimin tonë ekonomik. Tashmë nuk bëhet fjalë vetëm për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Janë mjaft konteste të cilat njëherë duhet të mbyllen”, ka thënë Ramosaj.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se qeveria e kupton ndjeshmërinë e çështjes dhe se është e vetëdijshme që vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen, por ai theksoi se duhet të kihen parasysh edhe kundërthëniet që e kanë përcjellë çështjen e tokave përreth manastirit, në aspektin historik dhe ligjor.

“Së pari, vendimi i Qeverisë së Serbisë, me të cilin në vitin 1997 iu dhanë tokat Manastirit ishte diskriminues, sepse ato toka ishin pronë e dy ndërmarrjeve publike. Së dyti, në kuptimin ligjor, Manastiri i Deçanit nuk ka identitet të pavarur ligjor sepse ligjërisht i përket Kishës Ortodokse Serbe. Është pak e habitshme se si iu njoh Manastirit e drejta e palës në procedurë, aq sa është edhe përfshirja e Gjykatës Kushtetuese në këtë proces, duke i dhënë të drejtë Manastirit. Çështja e pronësisë së tokave përreth Manastirit nuk ishte vendosur nga ndonjë gjykatë përkatëse dhe Gjykata Kushtetuese nuk mund të marrë vendim mbi një çështje pa u konsumuar të gjitha shkallët e tjera juridike”, theksoi Kryeziu.

Ai vlerësoi se Manastiri i Deçanit është pjesë e mozaikut të pasur kulturor të Kosovës. Por, sipas tij, “fatkeqësisht, Kisha Ortodokse Serbe është keqpërdorur vazhdimisht nga Serbia, si instrument politik kundër Kosovës”.

“Ne do të angazhohemi maksimalisht që të ruhen të drejtat legjitime të Manastirit, por edhe liderët fetarë të Manastirit duhet të bëjnë pjesën e tyre, duke kërkuar zgjidhje përmes marrëveshjeve me popullatën lokale”, tha Kryeziu.

Komuniteti ndërkombëtar në Kosovë vazhdimisht i ka bërë thirrje Komunës së Deçanit dhe Qeverisë së Kosovës për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit 24 hektarë tokë janë në pronësi të Manastirit të Deçanit.

Çështje delikate

Sociologu dhe njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri vlerëson se pozicioni i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë është një çështje “delikate” sepse sipas tij, “përfshin shumë aktorë dhe interesa të niveleve të ndryshme fetare, historike, kulturore dhe politike”. Ai shton se kjo çështja duhet të adresohet nga Kosova dhe Serbia, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

“Pas vitit 2008, është diskutuar pak për këtë çështje për shkak të kompleksitetit të situatës, pothuajse gjithçka u la në përkufizimet e vendosura në Planin e Ahtisarit. Mendohej se kjo çështje do të ishte pjesë e marrëveshjes përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë”, tha Muhaxhiri.

Ai theksoi se nisma e kryeministrit Kurti për dialog me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe është e mirë sepse mund t’i kontribuojë krijimit të një atmosfere konstruktive dhe të përmirësimit të marrëdhënieve mes kësaj kishe dhe Qeverisë së Kosovës.

Muhaxhiri shton se mbrojtja e pronave të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë është politizuar dhe më shumë “zhurmë” është bërë në publik sesa që situata është e tillë në terren.

Ai thotë se një “zgjidhje specifike” do të gjendet për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.

Në fund të prillit, në opinion doli një “non-paper”, ku thuhej se Kisha Ortodokse Serbe do të merrte një status të veçantë, si pjesë e një marrëveshjeje për zgjidhjen e kontestit mes Kosovës dhe Serbisë.

Franca dhe Gjermania, që u dyshuan se qëndrojnë prapa këtij dokumenti, thanë se ky “non-paper” nuk ishte origjinal dhe se nuk pasqyronte asnjë nga qëndrimet e shteteve të tyre.

“Non-paper”, është një term që përdoret në BE lidhur me pikat e diskutimeve që ndahen në mënyrë konfidenciale ndërmjet qeverive dhe institucioneve.

Përgatiti: Bekim Bislimi

[email protected] (Sandra Cvetkoviq)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit