8.4 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Kisha e shndërruar në xhami (Video)

Më të lexuarat

Amendamenti i parë i kushtetutës amerikane garanton të drejta të barabarta për të gjitha objektet fetare, qofshin ato kisha apo xhamia. Në qytetin amerikan Sirakuzë, një kishë është bërë po aq e rëndësishme për myslimanët, sa ç’ka qenë e rëndësishme për të krishterët.

Në horizontin e kësaj lagjeje të qytetit Sirakuzë, në shtetin New York, shfaqen konturet e larta të një godine me tulla të kuqe, në majat e së cilës gjysmëhënat kanë zëvendësuar kryqet që lartësoheshin drejt qiellit.

Godina njihet me emrin Xhamia e Jezusit, të birit të Marisë (Masjid Essa-Ibne-Maryam). Deri katër vite më parë ajo njihej si Kisha e Trinisë së Shenjtë.

Kur hyn brenda, përballesh me një mbishkrim nga Kurani të gdhendur në dru: “Allahu do t’i falë të gjithë, pavarësisht mëkateve të tyre”.

“E them gjithnjë se këto mure kanë pritur të dëgjojnë Kuranin prej 100 vjetësh. Kjo ishte ndjesia që pata që në fillim”, thotë kujdestari i xhamisë, Yusef Soule.

Zoti Soule ka marrë pjesë që në fillimet e rrugëtimit të kësaj kishe të shndërruar në xhami. Ai pranon se nuk ishte e lehtë të dëgjonte thirrjen myslimane të namazit, përmes ekove të një godine kishe.

“Disa njerëz u zemëruan. Persona që nuk i njihja u zemëruan me mua personalisht dhe më fajësonin meqë jam amerikan”, tregon zoti Soule.

Ndërtuar në fillimet e shekullit të 20-të, Kisha e Trinisë së Shenjtë i shërbente një popullsie në rritje emigrantësh gjermanë dhe italianë. Shumë njerëz pagëzoheshin, martoheshin dhe varroseshin këtu.

Por, ndryshimet demografike nuk e favorizuan këtë kishë. Besimtarët u larguan nga qyteti drejt rrethinave dhe u zëvendësuan nga valë të reja emigrantësh dhe refugjatësh, shumë prej të cilëve myslimanë.

“Bashkëjetonim me shumë grupime të larmishme. Me kalimin e kohës e pranuan idenë e shndërrimit të objektit në xhami”, thotë zoti Soule.

Në vitin 2010, Dioqeza Katolike e Sirakuzës e mbylli kishën në kuadrin e një rikonfigurimi rajonal. Megjithëse pati oferta tre herë më të larta për ta shndërruar kishën në një klub, ajo iu shit një grupi mysliman me një çmim shumë më të ulët, në mënyrë që Zoti të vazhdonte të adhurohej në shtëpinë e tij.

Në vazhdim filloi rehabilitimi i godinës. Stolat e kishës u hoqën dhe druri i tyre u përdor për të rregulluar dyshemenë. Mijëra kryqe nëpër mure u ridizenjuan ose u mbuluan me bojë. Kryqet mbi çati u zëvendësuan dhe u ruajtën si një kujtesë e çmuar e të kaluarës së godinës.

“Na duhet të mbledhim fonde të tjera që të zëvendësojmë këto dritat. Është pak errët këtu”, thotë zoti Soule.

Xhamia dallon nga të tjerat në zonë pasi nuk ka një kthinë të veçantë, apo një mur, që të ndajë burrat nga gratë. Nuk ka një imam të emëruar apo person të caktuar për thirrjen e namazit. Ideja është se xhamia u përket të gjithëve dhe kushdo mund ta bëjë thirrjen.

…Si 14-vjeçari Sajad Samir nga Afganistani.

“Praktikohesha vetë dhe njerëzit në xhami më inkurajuan që ta bëja unë thirrjen për disa ditë”, tregon Sajadi.

Refugjatë nga disa vende jetojnë pranë xhamisë, por ajo i shërben një komuniteti ku bëjnë pjesë jo vetëm myslimanë.

“E perceptojnë vërtet rolin e tyre si në shërbim të të gjithë lagjes. Depoja e tyre e ushqimeve është e hapur për të gjithë, për piknike dhe aktivitete verore. Pra, janë partnerë të mrekullueshëm të komunitetit, të cilët duan t’i shërbejnë të gjithë komunitetit dhe jo vetëm anëtarëve myslimanë të tij”, thotë Mark Cass, i Qendrës Mësimore “Northside”.

Yusef Soule thotë se nuk duhet besuar gjithçka që shikohet në media, pasi në kundërshtim me disa perceptime, Amerika ka një sasi të jashtëzakonshme njerëzish mikpritës që përqafojnë diversitetin dhe që i duan njerëzit për atë çfarë ata janë./VOA/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit