0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Kirurgu britanik kujton djalin 6-vjeçar që gjeti në dyshemenë e repartit të urgjencës – dhe tmerret tjera që pa në spitalin e Gazës

Më të lexuarat

Nick Maynard ende kujton trajtimin e djalit të vogël nga kampi i refugjatëve Al-Maghazi.

Ai e gjeti 6-vjeçarin në dyshemenë e repartit të urgjencës të një spitali në qendër të Gazës.

“Ai ishte gjysmë i vetëdijshëm me një plagë të hapur në gjoks, djegie të tmerrshme në trup dhe askush nuk e kishte parë. Ai sapo ishte vendosur në dysheme dhe ishte duke vdekur”, tha për CNN kirurgu britanik, i cili punoi në spital derisa tha se u detyrua të largohej nën hijen e intensifikimit të sulmeve izraelite.

“Më pas zbuluam se shumica e familjes së tij ishte vrarë”, ka thënë ai.

Maynard ka rrëfyer tmerrin e përditshëm të punës në spital: dhjetëra civilë të zhvendosur që mbulojnë çdo pëllëmbë të objektit mjekësor, qindra njerëz të plagosur – kryesisht fëmijë – që mbërrijnë çdo ditë me djegie traumatike, gjymtyrë të munguara dhe lëndime prerjesh në gjoks dhe në bark.

Duke udhëhequr një ekip prej pesë anëtarësh të urgjencës, ai punoi me Ndihmën Mjekësore për Palestinezët (MAP) dhe Komitetin Ndërkombëtar të Shpëtimit (IRC) nga 26 dhjetori deri më 5 janar.

Maynard, i cili qenë në Gaza për 14 vjet, i tha CNN se mbipopullimi brenda dhe përreth spitalit në Deir al-Balah, një nga spitalet e fundit funksionale të mbetura në enklavë, ishte si “diçka që nuk e kam parë kurrë më parë”.

“Kur keni të bëni me pacientë të tillë me sëmundje akute, duhet të keni një sistem vërtet gjithëpërfshirës të klasifikimit ku mund të jepni përparësi dhe ai sistem u shemb plotësisht”, tha ai të martën, duke folur nga kryeqyteti egjiptian Kajro.

Siç thekson CNN, raporti i mjekëve ndaj pacientëve u rrit, pasi punonjësit mjekësorë që ishin vullnetarë në spital iknin gjithnjë e më shumë në jug pasi ushtria izraelite lëshoi urdhra evakuimi.

Në spitalin Al-Aksa, shumë nga pacientët ishin refugjatë nga kampet lokale, duke përfshirë Al-Maghazi, Al-Bureij dhe Nuseirat, në atë që Maynard e quajti “provën më të qartë që mund të dëshironit ndonjëherë se kishte një masakër pa dallim njerëzish”.

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se ushtria “bën të pamundurën për të shmangur viktimat civile, duke përfshirë dhënien e paralajmërimit të hershëm përpara sulmit, korridoret e kalimit të sigurt dhe zona të caktuara më të sigurta”.

“Hamasi synon civilët izraelitë dhe futet në lagjet civile palestineze, duke përdorur civilët palestinezë dhe pengjet izraelite si mburoja njerëzore”, shtoi zyra e tij.

Ndryshe, sulmet izraelite në Gaza kanë vrarë të paktën 23,210 palestinezë që nga 7 tetori dhe kanë plagosur 59,167 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi – më shumë se 1% e popullsisë totale të enklavës prej 2.27 milionë banorësh të para luftës.

Atje, forcat izraelite po bllokojnë qëllimisht shpërndarjen e ujit, ushqimit dhe karburantit dhe po “privojnë popullsinë civile nga objektet e domosdoshme për mbijetesën e tyre”, ka paralajmëruar Human Rights Watch.

E Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) raportoi se sektori i kujdesit shëndetësor të enklavës po shkatërrohet me një “ritëm të shpejtë”.

Maynard tha se shumica e pacientëve mbërritën në Al-Aksa me “plagë të pista” pasi shpërthimet e bombave kishin hedhur pjesë xhami, zhavorr, pluhur dhe papastërti në plagët e tyre.

Veç kësaj, mungesa e madhe e ilaçeve kundër dhimbjeve, ujit të pijshëm dhe pajisjeve mjekësore, duke përfshirë doreza nënkuptonte se “shkalla e infeksionit të plagës ishte stratosferike”.

Disa pacientë pësuan lëndime nga shpërthimi ku copëzat kaluan nëpër pjesë të shumta të trupit, duke dëmtuar mëlçinë, shpretkën, stomakun dhe zorrën, ndërsa të tjerët pësuan gjakderdhje të brendshme në mushkëri.

Më e keqja nga të gjitha, tregoi Maynard, ishte numri i madh i palestinezëve, kryesisht fëmijë, që vinin me djegie traumatike dhe amputime.

“(Ne pamë) djegiet më të tmerrshme, fjalë për fjalë të djegura deri në kocka, disa prej tyre”, ka rrëfyer Maynard.

“Kolegët e mi në repartin emergjent veçanërisht panë njerëz që vinin me këmbë të varura ose krahë të varur”.

Ai ende mendon për djalin e vogël që gjeti në dysheme në spital.

Fëmija ishte vetëm një nga shumë jetimët nga lufta dhe erdhi pa familje, “duke bërtitur për prindërit” të cilët ishin vrarë. “Ai ishte gjallë kur u larguam, por nuk e di nëse ai mbijetoi”, tha Maynard. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit