Pas përfundimit të moratoriumit njëvjeçar, të nënshkruar në kuadër të Marrëveshjes së Washingtonit më 4 shtator 2020, që ndalonte aplikimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe fushatën për çnjohjen e Kosovës nga Serbia, Rusia është duke e ndihmuar këtë të fundit në fushatën kundër njohjeve të reja.
Kështu u tha në një konferencë për media me rastin e publikimit të raportit “Observeri i Kosovës – Lufta Diplomatike Ruse dhe Dezinformimi Medial, 1 qershor-15 gusht 2021“, prezantuar nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), duke iu bë thirrje institucioneve të vendit që të bashkohen në luftën kundër propagandës ruse.
Drejtori ekzekutiv i KIPRED-it, Lulzim Peci është shprehur se Kosova nuk ka politikë për reagim karshi propagandës ruse, duke apeluar që Presidenca dhe Qeveria duhet të angazhohen kundër narratives ruse dhe serbe ndaj shtetësisë së Kosovës.
“Aktualisht vendi ynë gjendet në një moment shumë të rëndësishëm në luftën diplomatike të Rusisë kundër Kosovës. Ky momentum është krijuar pas përfundimit të marrëveshjes për moratorium të Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe të fushatës së Serbisë për çnjohjen e Kosovës, ku kjo përputhet me hapjen e Sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ky moment mund të shfrytëzohet nga Serbia për të punuar bashkërisht me Rusinë për të zbatuar fushatën agresive për çnjohjen e Kosovës gjatë zhvillimit të këtij sesioni dhe menjëherë pas tij”, tha Peci në konferencën për medie, përcjell Telegrafi.
Ai ka shtuar se Kosova duhet t’iu drejtohet anëtareve të OKB-së me një dokument që i kundërvihet narrativeve serbe dhe ruse.
“Është e domosdoshme që qeveria e Kosovës ta shfrytëzojë këtë rast dhe t’iu drejtohet anëtarëve të OKB-së me një dokument të përshtatshëm që iu kundërvihet narrativeve ruse dhe serbe kundër shtetësisë dhe sovraniteti të Kosovës. Gjithashtu, është rast i mirë që të bëjë fushatë edhe për njohje të mëtejshme, mirëpo kjo fushatë vështirë që mund të funksionojë pa përkrahjen e aleatëve tonë dhe këtë e di nga përvoja kur kam qenë ambasador”, ka shtuar Peci.
Peci gjatë prezantimit të të gjeturave të raportit tha se, Rusia karshi Serbisë po krijon narrativë që e strukturojnë luftën diplomatike e që janë të shoqëruara me dezinformata të botuara nga mediet e përzgjedhura.
Sipas KIPRED-it, nga 500 lajmet e publikuara, 96 prej tyre kishin përmbajtje me dezinformata, ku numri më i madh i tyre vjen nga Sputnik Serbia.
Po ashtu, raporti thotë se përqendrimi kryesor i përmbajtjeve të lajmeve të botuara nga mediet ruse ka pasur të bëjë me rrënimin e themeleve të shtetësisë së Kosovës, ndryshimi i narrativeve të luftës dhe të krimeve të luftës në ish-Jugosllavi, rrënimi i kredibilitetit të angazhimit Perëndimor në shtet-ndërtimin në Kosovë dhe në dialogun Prishtinë-Beograd dhe paraqitja e komunitetit serb dhe e Kishës Ortodoske Serbe në Kosovë si të shtypura dhe të kërcënuara.
Ky raport ka analizuar deklaratat publike, konferencat për shtyp, artikujt dhe dokumentet e tjera të botuara në ueb-faqet e Kremlinit, të Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, të Misionit të Përhershëm Rus në Kombet e Bashkuara, të Misionit të Përhershëm të Rusisë në OSBE, të Përfaqësimit të Përhershëm rus në Këshillin e Evropës dhe të Ambasadës ruse në Serbi, e që janë zëdhënësit kyç në luftën diplomatike ruse kundër Kosovës.