1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Kinë: pse Xi mund të mbetet në pushtet për “tërë jetën”?

Më të lexuarat

Më i fuqishmi pas Mao Ce Dun, tiparet e një udhëheqësi pa rivalë

Presidenti kinez Xi Jinping pritet të marrë një mandat të tretë historik në krye të vendit në Kongresin e 20-të të Partisë Komuniste, i cili do të fillojë të dielën.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, lideri 69-vjeçar do të konfirmohet si sekretar i përgjithshëm i partisë deri në fund të kongresit, i cili mbahet një herë në pesë vjet dhe do të konsolidojë pozicionin e liderit më të fuqishëm kinez pas Mao Ce Dun.

Afro 2300 delegatë nga të gjitha provincat kineze do të mblidhen të dielën në Sallën e Madhe të Popullit në sheshin Tiananmen të Pekinit, rreth të cilit masat e sigurisë janë shtuar shumë.

Kongresi do të mbahet nën masa të rrepta shëndetësore, pasi Xi vazhdon të insistojë në zbatimin e një politike të tolerancës zero ndaj koronavirusit.

Në kongresin, i cili do të zhvillohet kryesisht me dyer të mbyllura, pjesëmarrësit do të zgjedhin rreth 200 anëtarë të Komitetit Qendror të partisë, i cili më pas do të zgjedhë 25 anëtarë të Byrosë Politike dhe të Komitetit të Përhershëm të plotfuqishëm, organit më të lartë drejtues në vend.

“Kina nuk do t’i mbyllë dyert e saj për botën”

“Megjithatë, gjithçka është dakorduar paraprakisht, sepse kongresi nuk mbahet derisa të jenë dakorduar të gjitha fraksionet”, tha sinologu Zhan-Philip Beja.

Kritikët theksojnë se Xi ka eliminuar të gjithë rivalët e mundshëm politikë në vitet e fundit, veçanërisht përmes luftës së tij të gjatë kundër korrupsionit.

Në fjalimin e tij në ditën e parë të kongresit, Xi do të paraqesë vlerësimin e tij për mandatin e kaluar dhe do të përshkruajë rrugën për partinë dhe vendin për pesë vitet e ardhshme.

Në kongresin e vitit 2017, ai premtoi një epokë të re të socializmit me fytyrë kineze dhe tha se Pekini do të bashkëpunonte me botën.

“Hapja sjell përparim dhe izolimi sjell prapambetje”, tha ai. “Kina nuk do t’i mbyllë dyert e saj për botën; do të hapemi gjithnjë e më shumë”. Por pesë vjet më vonë, Kina po bën të kundërtën.

Norma e tolerancës zero për COVID-19

Ndërsa pjesa tjetër e botës po i kthehet gradualisht stilit të jetesës para pandemisë, Pekini po zbaton rreptësisht një politikë të tolerancës zero ndaj COVID-19, me kufizime udhëtimi, karantina të detyrueshme dhe bllokime të përsëritura.

Kjo strategji po shkakton probleme të mëdha për qytetarët dhe ka frikësuar edhe komunitetin e biznesit, sepse rritja ekonomike ka ngecur.

“Politika e tolerancës zero të Kinës ndaj COVID-19 po dekurajon investimet shumë të nevojshme. Kinezët e rinj vuajnë më së shumti në aspektin ekonomik dhe social”, tha Yu Jie nga think tank Chatham House, përgjegjëse për programin Azi-Paqësor.

Marrëdhëniet e Kinës me SHBA-në gjithashtu janë përkeqësuar gjatë pesë viteve të fundit, me politikën e jashtme të Xi-së që ka ngritur shqetësime nga India në Australi dhe Kanada.

“Zgjedhjet e reja, një shenjë e keqe për të drejtat e njeriut”

Vendet perëndimore po reagojnë negativisht ndaj retorikës gjithnjë e më agresive kundër Tajvanit, të cilin Pekini e konsideron territorin e tij dhe pretendon se ka të drejtë ta pushtojë atë me forcë nëse është e nevojshme. Ata gjithashtu akuzojnë Kinën për shkelje të përhapura të të drejtave të njeriut, veçanërisht në rajonin perëndimor të Xinjiang.

“Mandati i tretë i Presidentit Xi është një shenjë e keqe për të drejtat e njeriut në Kinë dhe në botë,” tha Yaqiu Wang, ekspert i lartë i Kinës në Human Rights Watch (HRW).

Partia Komuniste Kineze ka 96.7 milionë anëtarë dhe është një nga organizatat më të mëdha politike në botë, por mënyra e funksionimit të saj është kryesisht jotransparente.

Vëzhguesit mund vetëm të spekulojnë për përbërjen e ardhshme të Komitetit të Përhershëm.

Deri më tani, anëtarët e Byrosë Politike u tërhoqën pas dy mandatesh, por ndërsa Xi e ndryshoi atë politikë në mandatin e tij të tretë, kjo mund të prekë edhe të tjerët.

Zgjedhja e njerëzve për të rrethuar Xi do të jetë vendimtare, tha Steve Tsang, drejtor i Institutit Kinez të Shkollës së Studimeve Orientale dhe Afrikane në Universitetin e Londrës.

 Ndoshta një afat të përjetshëm

“Unë mendoj se Xi do të jetë i kujdesshëm për të dërguar një mesazh të qartë se askush i ngritur në Komitetin e Përhershëm të Byrosë Politike nuk do të jetë pasardhësi në Kongresin e 21-të,” tha ai.

Përbërja e Byrosë Politike do të bëhet e ditur të nesërmen e përfundimit të mbledhjes.

Nëse, siç pritej, Xi mbetet sekretar i përgjithshëm, ai do të konfirmohet si president për një mandat tjetër në takimin vjetor të Kongresit Popullor Kombëtar të Kinës në mars të vitit të ardhshëm.

Megjithëse Kongresi i 20-të i Partisë do të garantojë vetëm një mandat tjetër pesë-vjeçar, shumë mendojnë se Xi do të qëndrojë në pushtet shumë më gjatë.

“Por duke pasur parasysh promovimin e ‘mendimeve të Xi Jiping’ (d.m.th., politikat e tij), rinovimin e kultit të personalitetit dhe rëndësinë e pushtetit të tij në zemër të udhëheqjes së partisë, kjo sugjeron se ky është dikush që do të mbetet në pushtet për një kohë të gjatë, ndoshta për jetën”, tha politologu Jean-Pierre Cabestan. /tesheshi.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit