6.2 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Kina përdori vaksinat dhe tregtinë që Ukraina të mos mbështesë hetimet për Ksinjiangun

Më të lexuarat

Ukraina është dorëzuar ndaj presionit të Kinës për të hequr emrin e vet nga deklarata ndërkombëtare rreth abuzimeve të të drejtave të njeriut në rajonin Ksinjiang të Kinës, pas kërcënimeve për kufizim të tregtisë dhe qasjes në vaksina kundër koronavirusit, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë ukrainas dhe ligjvënës që kanë njohuri për këtë çështje.

Ndonëse i ishte bashkuar listës me më shumë se 40 shtete më 22 qershor, Kievi ka tërhequr nënshtrimin dy ditë më vonë nga deklarata e Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut në Gjenevë, i cila i ka bërë thirrje Kinës që të lejojë vëzhgues të pavarur të kenë qasje në Ksinjiang, ku Pekini ka krijuar kampe, në të cilat zyrtarët e OKB-së vlerësojnë se jetojnë 1 milion ujgurë, kazakë dhe minoritete tjera myslimane.

Incidenti është raportuar fillimisht nga agjencia e lajmeve Associated Press muajin e kaluar, duke cituar diplomatë perëndimorë, që kanë folur në kushte anonimiteti.

Prej atëherë, Radio Evropa e Lirë ka folur me tre ligjvënës ukrainas dhe një zyrtar të lartë qeveritar, të cilët kanë konfirmuar raportin dhe kanë ofruar detaje të reja.

Andriy Sharaskin, ligjvënës ukrainas nga partia opozitare, Zëri, njëherësh anëtar i Komitetit për Politikë të Jashtme dhe Bashkëpunim ndërparlamentar, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Ukraina nuk i ka rezistuar presionit diplomatik nga Kina, për të tërhequr nënshkrimin nga deklarata.

“[Ministria e Jashtme kineze] ka kërkuar që Ukraina të heqë dorë nga nënshkrimi në deklaratën ndërkombëtare për ujgurët”, ka thënë Sharaskin.

“Ky [presion] ka vazhduar derisa nënshkrimi është hequr”.

Një zyrtar i lartë ukrainas, i cili ka folur në kushte anonimiteti, për shkak se nuk është i autorizuar të flasë në këtë çështje, ka konfirmuar këtë version për REL-in.

Ky zyrtar ka thënë se Ministria e Jashtme kineze ka bllokuar dokumentet për eksport të vaksinave kineze dhe zyrtarët e Pekinit “kanë dhënë shenja” se pse dozat e vaksinave janë bllokuar.

Në momentin që Kievi ka tërhequr nënshkrimin nga deklarata, ai ka thënë se dokumentet janë procesuar dhe Ukraina ka pranuar vaksinat e planifikuara nga prodhuesi kinez, Sinovac.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.

Maria Ionova, anëtare e parlamentit nga partia Solidariteti Evropian, njëherësh udhëheqëse e një kursi strategjik të Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO, dhe Solomiya Bobrovska, ligjvënëse opozitare ukrainase, njëherësh sekretare e Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se presioni ka nxitur Ukrainën që të heqë nënshkrimin nga deklarata, që kërkon analizim më të madh të dyshimeve për abuzim të të drejtave të njeriut në Ksinjiang.

Ministria e Jashtme e Ukrainës dhe administrata e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy nuk i janë përgjigjur kërkesës së REL-it për koment.

Oleksandr Merezhko, ligjvënës nga partia Shërbyesit e Popullit, njëherësh udhëheqës i Komitetit parlamentar për Politikë të Jashtme, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se nuk është në dijeni të ndonjë presioni apo kërkesë të Pekinit ndaj Kievit.

“Nuk besoj se Kina ka kërkuar hapur nga Qeveria ukrainase që të mos nënshkruajë asgjë”, ka thënë ai.

Agjencia e lajmeve Associated Press ka raportuar më 25 qershor, duke cituar burime diplomatike perëndimore, rreth dyshimeve për presion për një dërgesë me 500,000 vaksina kineze, të cilat Ukraina nuk do të mund t’i pranonte nëse nuk do të hiqte dorë nga mbështetja për deklaratën diplomatike.

Pas raportimit të AP-së, Ministria e Jashtme kineze, ka thënë se nuk lidh kërkesat politike me furnizim me vaksina, dhe ndonëse mirëpret vendimin e Kievit për të hequr emrin nga deklarata, “nuk ka dëgjuar se Ukraina ka pasur vështirësi në importim të vaksinave nga Kina”.

Bobrovska ka thënë se presioni kinez “ka qenë në fakt rreth refuzimit për të nënshkruar deklaratën, në këmbim me vaksina”, mirëpo Sharaskin ka shtuar se Pekini e ka kërcënuar Kievin edhe me kufizim të tregtisë dhe ka ofruar më shumë investime në infrastrukturën ukrainase, në këmbim të heqjes së nënshkrimit të Kievit.

Më 30 qershor, pak pas tërheqjes së nënshkrimit, Kina dhe Ukraina kanë njoftuar për arritje të një marrëveshjeje për infrastrukturë me Pekinin, duke u zotuar për rritje të investimeve dhe dërgim të më shumë kompanive kineze në këtë shtet.

Ambasada kineze në Kiev, nuk i është përgjigjur kërkesës së REL-it për të komentuar këto raportime.

Ky episod vjen teksa Ukraina synon të thellojë lidhjet me Kinën dhe pozicionin e saj, teksa kjo e fundit synon të rrisë konkurrencën globale në mes të Pekinit dhe Uashingtonit.

Ukraina ka qenë në luftë me forcat e përkrahura nga Rusia në rajonin Donbas, nga viti 2014, pas pushtimit që i ka bërë Moska Gadishullit ukrainas të Krimesë.

Kievi po ashtu ka synime për integrime në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Megjithatë, Ukraina është duke synuar që të ndërtojë lidhje më të fuqishme ekonomike me Pekinin, teksa riorienton ekonominë e saj larg Rusisë, dhe ka gjetur së fundmi veten të zemëruar me politika e Perëndimit.

Këtu përfshihen, vendimi amerikano-gjerman për të kompletuar projektin e gazsjellësit Rrjedha Veriore 2, pavarësisht kundërshtimeve të Kievit, si dhe bllokada që ka Ukraina për të pasur qasje në vaksinat e prodhuara nga kompanitë amerikane, pozicione që kanë lënë Kievin me sy drejt lidhjeve më të forta me Kinën.

“Liderët ukrainas kanë sqaruar këtë pozicion, duke thënë se Perëndimi ka pasur qasje të ftohtë ndaj Ukrainës, andaj edhe është e nevojshme për të përfituar nga mundësitë që ofrohen nga palët tjera”, ka thënë Bobrovska.

Lidhje të komplikuara

Kina dhe Ukraina kanë marrëdhënie të komplikuara, që kanë ndryshuar në mënyrë dramatike prej shpërthimit të luftës me forcat e përkrahura nga Rusia më 2014.

Ndonëse BE-ja përfaqëson marrëdhëniet më të mëdha tregtare të Ukrainës, Kina ka tejkaluar Rusinë, si partnerja më e mëdha tregtare e Kievit, pasi kryen 14.4 për qind të importeve të shtetit dhe 15.3 për qind të eksporteve të saj.

Pekini dhe Kievi i kanë ofruar njëri-tjetrit dhe mbështetje politike, pasi Kina nuk e njohur kurrë aneksimin që i ka bërë Rusia Gadishullit ukrainas të Krimesë, ndërkohë që Ukraina e konsideron Tajvanin si pjesë të Kinës.

Mes Lindjes dhe Perëndimit

Lidhjet e Kievit me Uashingtonin kanë qenë tejet të rëndësishme për Ukrainën nga viti 2014, pasi Shtetet e Bashkuara dhe shtete tjera të BE-së, i kanë ofruar këtë vendi ndihmë ekonomike, politike dhe ushtarake.

Mirëpo lidhjet në mes të Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara janë dobësuar në kohën e fundit.

Kievi ka gjetur veten të përfshirë në politikën e brendshme amerikane, sidomos në korrik të vitit 2019, kur ish-presidenti amerikan, Donald Trump ka nxitur ankesën e një informatori, që ka çuar në procedurat për shkarkimin e tij, pas një bisede telefonike të zhvilluar me Zelenskiyn.

Përgjatë asaj bisede telefonike, Trump i ka kërkuar liderit ukrainas “një të mirë”, duke sugjeruar se ai ka kërkuar që Kievi të nisë hetime për Hunter Biden, djalin e presidentit amerikan, Joe Biden – që atëbotë kandidonte kundër Trumpit në zgjedhje – në këmbim të ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Së fundmi, mungesa e qasjes në vaksina perëndimore, kanë qenë pikë tensioni për Zelenskyin, i cili ka folur hapur për vështirësitë e Ukrainës që të vaksinojë popullsinë prej 44 milionë banorëve.

Në deklaratën e fundvitit për ukrainasit, Zelenskyi ka thënë se fatkeqësisht shtetet “më të pasura” do të kenë të parat vaksinat.

Në kërkim të dozave të vaksinës, pas goditjes së rëndë të koronavirusit, Kievi është kthyer nga Pekini për vaksina, duke bërë porosi për 1.9 milion të tilla, të prodhuesit kinez, Sinovac.

Dërgesa e këtyre vaksinave, është bllokuar nga Pekini, ashtu që Kievi të heqë nënshkrimin nga deklarata në Gjenevë.

Bobrovska, Ionova, dhe Sharaskin, kanë shprehur shqetësim se Kievi – i dorëzuar nga presioni i Pekinit – mund të hapë derën sërish ndaj incidenteve të ngjashme në të ardhmen.

Të tre ligjvënësit kanë thënë se planifikojnë të përdorin fuqitë parlamentare për të kërkuar më shumë informacion për episode tjera potenciale të presionit kinez ndaj Ukrainës.

“Ekziston një numër i ultimatumeve që Kina po i jep Ukrainës”, ka thënë Bobrovska.

“Mirëpo Ukraina ka të drejtë të pajtohet ose jo me to. Më vjen keq që Ukraina ka vendosur të mos nënshkruajë dokumentin”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

[email protected] (Yevhen Solonyna, Reid Standish)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit