5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Kim Mehmeti: Toka palestineze është ujitur me gjakun e pafajësisë fëmijërore

Më të lexuarat

Nga Kim Mehmeti

Konflikti izraelito-palestinez është i komplikuar, por shumë lehtë i përshkrueshëm. Ai ka nisur pas 48-tës të shekullit të shkuar, kur britanikët krijuan shtetin hebre tek tokat e palestinezëve, i cili shtet thuajse nuk ka kufij të definuar, por shtrihet deri atje ku izraelitët mund të rrënojnë shtëpi palestineze e mbi rrënojat e tyre të ndërtojnë vendbanime hebre.

Dhe shtatë dekada me radhë, dhuna prodhoi dhunë dhe terrori shtetëror izraelit prodhoi terroristë të llojeve të ndryshme.

Shtatë dekada me radhë toka palestineze u ujit me gjakun e pafajësisë, kryesisht, të fëmijëve palestinez, ashtu siç ujitet sot edhe me gjakun e pafajësisë së fëmijëve hebre.

Gjatë këtyre shtatë dekadave bota shtirej se nuk e shihte si zhdukeshin vendbanimet e lashta palestineze e shtoheshin ato të hebrenjve ardhacak, që më në fund, çdo gjë të përfundojë aty ku është sot: që palestinezëve t’u takojë thujase vetëm ‘burgu’ më i madh në botë – Gaza.

Bota edhe sot shtiret se nuk e sheh se pas luftës kundër vrastarëve të Hamasit, fshihet një qëllim edhe më i ‘madh’ i Izraelit: që përfundimisht ta zgjidh çështjen palestineze dhe ta ndryshojë ‘fytyrën e Lindjes së Mesme’ duke e rrafshuar me tokë dhe duke e bërë Gazën të pabanueshme, me çka nuk do ketë kuptim më të flitet për shtet palestinez.

Pra edhe sot kur gjërat aq janë komplikuar sa vetëm idioti mund ta amnistojë njërën palë duke e fajësuar vetëm palën tjetër, mbetet e vërteta se budallenjtë ende besojnë se bota nuk është po ajo që ka qenë gjithmonë, pra vetëm budallenjtë nuk e dinë se atë nuk e sundon e drejta e viktimës së pambrojtiut dhe të varfër, por vullneti i të fortit dhe të pasurit.

Budallenjtë gjithashtu nuk e kanë kuptuar se ngjarjet e ndodhura nëpër botë ne nuk i shohim ashtu siç i sheh dhe siç i përjeton i pambrojturi dhe viktima, por ashtu siç na i pasqyrojnë mediat e të pasurit dhe të fortit.

Ndërkohë, burrështetasit e ‘mendjehapurit’ tanë servilë mendojnë se borxhi jonë ndaj lobit hebre në Amerikë, pra se mirënjohja jonë ndaj Madleen Albright, Eliot Angel, Westly Clark… duhet të na bëjë të ndjeshëm ndaj dënesës së nënës hebreje, por të shurdhër ndaj piskamës së fëmijëve palestinez.

Jo, borxhi ynë ndaj gjithë atyre që na shpëtuan nga vrastarët serb duhet të na bëjë më të ndjeshëm ndaj pafajshmërisë, më të përkushtuar ndaj paqes dhe më të devotshëm ndaj besimit se Njeri është ai që vetveten e ndjenë si pushimore ku mund të prehen të gjithë të përvuajturit dhe të pafajshmit e kësaj bote, e ku nuk ka vend për vrastarët e tyre.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit