3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Kim Mehmeti për Antologjinë e poezisë moderne shqipe: ‘Laureat i vitit’ dhe ‘Turpi i shekullit’!

Më të lexuarat

Nga Kim Mehmeti

Gazetarët më pyesin se ç’mendoj lidhur me ‘Antologjinë e poezisë moderne shqipe” të botuar në Tiranë, e ku nuk është përfshirë asnjë poet jashtë kufijve të Shqipërisë.
Ku ta dish, mbase ky është rast i mirë që dëshmon se ne e rrënuam shtatoren e xhaxhit Enver, por jo edhe muret mendorë të ‘katundarisë’ sonë ideologjike që na ndanin në principate kulturore dhe në ‘ne’ dhe ‘ata’.

Duhet të jesh mbi mesataren idiot apo i frustruar i përmasave perverse që të bësh atë çka me dekada mundoheshin ta bëjnë laboratorët antishqiptar serbe: letërsinë, folklorin, traditën…, shqiptarët këndej e andej kufirit t’i ndante mes veti si të mos i takonin të njëjtit popull.

Edhe sikur jashtë kufijve të Shqipërisë të mos kishte asnjë poet, do duhej të trilloheshin dy a tre, vetëm sa të dëshmohej se jemi kudo që frymojmë. E të kesh Azem Shkrelin, Ali Podrimjen, Teki Dërvishin, Lindita Ahmetin…, e të mos i përfshish ata në antologjinë shqiptare, do të thotë se të pëlqen t’i shohësh të gjymtuara vlerat e popullit tënd.

Andaj ne mëkatojmë kur themi se vetëm politikanët janë ata që do donin shqiptaria të mbetej përgjithmonë e copëzuar dhe secili nga ata të kishte ‘Shqipërinë’ e vet. Jo, edhe shumë nga ne të artit e të kulturës do donim të kemi ministrinë e ‘katundit’ tone, ministri që do i financonte antologjitë e mëhallës sonë, antologjitë e përpiluara nga ne që nuk e dimë sa edhe kur të shpallin ‘Laureat të vitit’, t’i mbetesh atë që në të vërtet je – ‘Turpi i shekullit’.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit