2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

KiE thotë se po shqyrton se si të procedojë për rastin e Kosovës

Më të lexuarat

Kryesuesja e deritanishme e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler, tha se ky komitet po shqyrton se si të procedojë për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

Hasler, që është ministre e Jashtme e Lihtenshtajnit, shteti i cili ka pasur udhëheqjen e presidencës së KiE-së, tha pas mbledhjes së Komitetit të Ministrave më 17 maj se Kosova është përmendur në mbledhje nga shtetet anëtare.

“Pranimi i Kosovës u përmend disa herë sot në kuadër të deklaratave kombëtare të ministrave. Ne kemi pranuar letër nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me rekomandimin për pranimin e Kosovës dhe ne bëmë gjithçka brenda presidencës sonë për të avancuar procesin, së bashku me shtetet anëtare. Dhe Komiteti i Ministrave veçse ka nisur diskutimet për çështjen dhe aktualisht po shqyrton se si të procedojë”, tha ajo.

Në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave, sipas ueb-faqes zyrtare të KiE-së, nuk u përfshi votimi për pranimin e Kosovës në këtë organizatë për të drejtat e njeriut.

Kosova veçse ka kaluar dy faza në procesin e pranimit në këtë organizatë, dhe Komiteti i Ministrave është ai që vendos nëse një shtet do të pranohet ose jo në Këshillin e Ministrave.

Pas kalimit të rekomandimit për pranimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, disa shtete vendosën kusht që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe nëse dëshiron të bëhet anëtare e organizatës me seli në Strasburg.

Ndërkaq, kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Simonyte, tha se kur bëhet fjalë për pranimin e Kosovës, çështja nuk ka të bëjë me atë nëse duhet të pranohet, por kur.

Pas mbledhjes së Komitetit të Ministrave të KiE-së, ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla, tha se anëtarësimi i shtetit në këtë organizatë nuk mund të ndalet “edhe nëse vonohet për shkak të ndonjë kundërshtari të Kosovës apo lobimit të Serbisë. Jemi në rrugë të drejtë dhe po bëjmë punë të mbarë”.

“Nuk kemi lënë gur pa lëvizur, gjithnjë përbrenda kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, për interesin e Kosovën”, tha Gërvalla përmes një postimi në Facebook.

Më 16 maj, përmes një letre dërguar Këshillit të Evropës, Kosova tha se zotohet se do të hartojë një draft-statut për Asociacionin dhe të njëjtin do ta dërgojë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit. Me këtë zotim, Kosova tha se përmbushi kushtin e vënë nga disa anëtarë të Këshillit të Evropës dhe Prishtina kërkoi që të bëhet anëtare e kësaj organizate evropiane për të drejtat e njeriut.

Por, Gjermania, një prej shteteve që ka vendosur kushtin për Kosovën në KiE, tha se ajo konsideron si “hap konkret” vetëm kur Kosova të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin.
Deri më tani, janë prezantuar disa draft-statute për Asociacionin, përfshirë një nga BE-ja në tetorin e vitit të kaluar.

Por, në letrën dërguar KiE-së, Kosova tha se mëton që të hartojë draftin e saj, duke u frymëzuar nga drafti i prezantuar nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung.

Në fund të janarit të vitit 2023, FES-i publikoi një draft-statut për themelimin e Asociacionit në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës, ashtu siç insiston edhe Qeveria e kryeministrit Albin Kurti.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit