1.6 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Këta deputetë nuk udhëtuan asnjëherë jashtë Kosovës – me para të shtetit!

Më të lexuarat

Albin Kurti, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj vitin e kaluar asnjëherë nuk udhëtuan jashtë Kosovës me para të buxhetit të shtetit.

Duket e pabesueshme por këta nuk janë deputetët e vetëm që gjatë vitit 2015 nuk shpenzuan asnjë euro nga arka e Kuvendit të Kosovës për udhëtime jashtë vendit.

Nga 120 deputetët sa janë gjithsejtë, 89 prej tyre kanë marrë nga buxheti para për udhëtime, shumica e të cilave nuk kishin as agjendë, shkruan Gazeta Fjala duke u bazuar në të dhënat e Institutit Demokratik të Kosovës, (KDI).
Ndërkaq vetëm 31 prej deputetëve përfshirë ish deputetin nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, me bashkëpartiakun e tij Ali Berishën, nuk kanë realizuar asnjëherë udhëtime jashtë vendit me paratë e taksapaguesve.

Kursimtar, dalin të jenë treguar edhe disa prej deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Lideri i kësaj partie, Albin Kurti, me deputetët Fisnik Ismailin, Puhie Demakun, Faton Topallin, e Besnik Bislimin, nuk kanë shëtitur asnjë herë shtetet perëndimore me shpenzime të buxhetit.

Edhe disa prej deputetëve të koalicionit qeverisës, PDK, PD, LB, PSHDK, PK janë treguar kursimtar në udhëtime.

Bislim Zogaj nga ky koalicion, me deputetët Avdyl Ymerin, Fadil Bekën, Hajdar Beqën, Nait Hasanin, Rafet Ramën, Nezir Coqajn e Nuredin Lushtakun nuk kanë zgjedhur të shpenzojnë para nga taksapaguesit për udhëtime, e për të përfituar mëditje sikur 89 deputetët tjerë.

Njëjtë, të kujdesshëm për buxhetin janë treguar edhe disa nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Melihate Tërmkolli deputete e Kuvendit nga kjo parti, bashkë me Arben Gashin, Agim Ademajn, Murat Hoxhën e Mirjeta Kalludrën nuk i kanë shijuar udhëtimet jashtë Kosovës, raporton Gazeta Fjala.

Njëjtë sikur kolegët e tjerë kursimtarë në numër të vogël kanë vepruar edhe disa prej deputetëve të Listës Srbska (SL).

Jasmina Zivkovic, Milika Vuletic, Milena Mileqeviq nuk kanë udhëtuar jashtë shtetit sikur udhëheqësi i tyre Slobodan Petrovic, i cili prin për nga deputetët, që kanë shpenzuar më së shumti para për nevoja të luksit.

Edhe deputetët pa parti, Ramiz Kelmendi, Blerim Shala e Margarita Kadriu nuk i janë bashkuar listës së shpenzimeve.

Njësoj ka vepruar edhe deputeti nga Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj e Gëzim Kelmendi nga Partia e Drejtësisë.

Edhe disa prej deputetëve të minoriteteve nuk kanë shijuar, asnjëherë ndjenjën për të udhëtuar diku tjetër përveç Kosovës.

Adem Hodxca, Cerim Bajrami, Mufera Sinik janë kursimtarët tjerë, sa i përket udhëtimeve.

Deputetët shpenzues

E ndryshe për shpenzuesit më të mëdhenj të buxhetit tregon hulumtimi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Ndër deputetët që kanë harxhuar pa mëshirë paratë e buxhetit, janë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti, deputetja e PDK-së Blerta Deliu, Besim Beqaj nga e njëjta parti, deputeti i listës serbe Slobodan Petrovic e Teuta Sahatqija, ish deputete e LDK-së.

Derisa, duke iu referuar të gjeturave të KDI-së, partitë të cilat i kanë kushtuar më së shumti buxhetit vetëm për udhëtimet e tyre, janë koalicioni PDK, PD, PSHDK, deputetët e të cilave kanë harxhuar mbi 68 mijë euro të gjithë së bashku.

35 mijë euro për udhëtime, janë harxhuar edhe nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Derisa hiq më pak se 18 mijë euro janë shpenzuar nga deputetët opozitarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Nisma për Kosovën, ka harxhuar gjithsej 13 mijë euro, ndërsa AAK, partia e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, ka marrë nga buxheti i shtetit gati nëntë mijë euro vetëm për udhëtime zyrtare.

Duke u bazuar në raportin e KDI-së, thuhet se vetëm gjatë vitit të kaluar deputetët tanë kanë realizuar 311 vizita jashtë Kosovës.

“Shumica dërmuese e këtyre vizitave janë në vendet e kontinentit të Evropës 296. Me përjashtim të 15 vizitave në kontinentin e Amerikës. 14 në ShBA dhe 1 në Panama. Kurse vendet më të vizituara nga deputetët janë Shqipëria me 70 vizita, pastaj Gjermania me 45 vizita dhe Belgjika me 37 vizita”, thuhet në raportin e KDI-së.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit