Rezoluta, e përgatitur nga SHBA-ja, mori 14 vota pro në Këshillin e Sigurimit prej 15 anëtarësh, ndërsa Rusia abstenoi
HAMILTON (AA) – Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi sot një rezolutë që mbështet propozimin e armëpushimit në Gaza të shpallur nga presidenti amerikan Joe Biden, raporton Anadolu.
Rezoluta, e përgatitur nga SHBA-ja, mori 14 vota pro në Këshillin e Sigurimit prej 15 anëtarësh, ndërsa Rusia abstenoi.
Rezoluta e miratuar thekson përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga Egjipti, SHBA-ja dhe Katari dhe mirëpret propozimin trefazor të Bidenit të paraqitur më 31 maj.
Në rezolutë thuhet se Izraeli e ka pranuar propozimin e Bidenit dhe i bën thirrje Hamasit që të bëjë të njëjtën gjë dhe ta zbatojë atë.
– Marrëveshja trefazore për Gazën
Më 31 maj, Biden tha se Izraeli prezantoi një marrëveshje trefazore që do t’i jepte fund armiqësive në Gaza dhe do të siguronte lirimin e pengjeve të mbajtur në enklavën bregdetare. Plani përfshin një armëpushim, shkëmbim të burgosurish dhe rindërtimin e Gazës.
Si pjesë e skicës së rezolutës, faza e parë propozon “lirimin e pengjeve duke përfshirë gratë, të moshuarit dhe të plagosurit, kthimin e eshtrave të disa pengjeve që janë vrarë, shkëmbimin e të burgosurve palestinezë, tërheqjen e forcave izraelite nga zonat e populluara të Gazës, kthimin e civilëve palestinezë në shtëpitë dhe lagjet e tyre në të gjitha zonat e Gazës, duke përfshirë në veri, si dhe shpërndarjen e sigurt dhe efektive të ndihmës humanitare në shkallë të nevojshme në gjithë Rripin e Gazës për të gjithë civilët palestinezë që kanë nevojë për të, duke përfshirë njësitë e banimit të ofruara nga komuniteti ndërkombëtar”.
Faza e dytë përfshin lirimin e të gjithë pengjeve të mbetur në Gaza, duke ndërprerë përgjithmonë armiqësitë, si dhe “tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Gaza”.
Sa i përket fazës së tretë, rezoluta propozon një plan afatgjatë rindërtimi për Gazën që do të fillojë me kthimin e trupave të pengjeve të vdekur.
Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm.
Më shumë se 37.120 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe mbi 84.700 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Tetë muaj pas fillimit të luftës izraelite, pjesë të mëdha të Gazës janë në gërmadha, krahas një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të fundit urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin e tij në qytetin jugor të Rafahut, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj.
/AA/