3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Këshillë femrës muslimane me rastin e muajit të Ramazanit

Më të lexuarat

Falënderimet i takojnë All-llahut të Madhërishëm, ndërsa përshëndetjet dhe selamet tona janë mbi profetin Muhammed Mustafa, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që pasuan gjurmët e tij.

All-llahu i Madhërishëm i ka lavdëruar muslimanet, besimtaret, durimtaret, të devotshmet, duke i cilësuar ato si ruajtëse të sekreteve dhe të asaj që All-llahu i Madhërishëm i ka bërë të jenë të fshehta. Kur All-llahu i Madhërishëm kishte përmendur cilësitë e të devotshmëve kishte thënë: “E atyre iu përgjigj Zoti i tyre: Unë nuk e humb mundin e askujt prej jush, mashkull apo femër qoftë, ju jeni prej njëri-tjetrit.”

Me rastin e ardhjes së këtij muaji të shenjtë shpreh dëshirën që ty, oj motër në Islam dhe ty oj nënë muslimane, të të uroj këtë muaj të shenjtë, duke lutur All-llahun e Madhërishëm që të furnizojë ty dhe mua me pendim të sinqertë, me devotshmëri dhe me sinqeritet, andaj të lutem të pranosh prej meje disa këshilla me rastin e këtij muaji të begatshëm e që unë i kam quajtuar “Dhjetë lulet”.

Lulja e parë: Femra muslimane e beson All-llahun e Madhërishëm për Zot, Muhammedin (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) për të Dërguar dhe Islamin për fenë e saj, andaj ajo mundohet që shenjat e këtij besimi t’i shfaq në sjelljen, veshjen dhe fjalët e saj. Gjithashtu, ajo ruhet dhe mundohet të jetë e mbrojtur nga hidhërimi i All-llahut të Madhërishëm, nga pesha e rëndë e dënimit të Tij dhe nga zemërimi i Tij në rast të kundërshtimit të urdhrave të All-llahut të Madhërishëm.

Lulja e dytë: Femra muslimane është e kujdesshme në namazin e saj dhe e përkushtuar në faljen e tij, si për nga ana e pastërtisë ashtu edhe nga ana e përkushtimit, andaj atë nuk e pengon asgjë nga namazi dhe nuk e shmang asgjë nga falja e tij dhe shfaqja e shenjave të faljes së namazit pasi namazi është një parandalues ndaj së keqes dhe mëkateve. Po ashtu, duhet ditur se namazi është mbrojtës shumë i mirë nga mëkatet.

Lulja e tretë: Femra muslimane është krenare me mbulesën e saj, ajo nuk del vetëm se e mbuluar dhe duke qenë krenare për përzgjedhjen që i ka bërë All-llahu i Madhërishëm që ajo të jetë e mbuluar dhe të jetë prej atyre që do të pastrohen nga ana e Tij. Në lidhje me këtë, All-llahu i Madhërishëm thotë: “O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le t’i vënë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. All-llahu fal gabimet e kaluara, Ai është Mëshirues.”

Lulja e katërt: Femra muslimane është e kujdesshme që të jetë e dëgjueshme ndaj bashkëshortit të saj, andaj ajo është e mirësjellshme, e qetë dhe e mëshirshme ndaj tij. Ajo përkujdeset që ta ftojë atë në mirësi, e këshillon për të mirë dhe e ndalon nga e keqja. Po ashtu, ajo është e kujdesshme që mos e ngrejë zërin në prezencën e tij, të mos sillet me vrazhdësi ndaj tij dhe të mos jetë kundërshtare e tij. Ndërsa Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) thotë: “Nëse femra fal pesë kohet e saj, agjëron muajin e saj, e dëgjon bashkëshortin e saj do të hyjë në Xhennetin e Zotit të saj.

Lulja e pestë: Femra muslimane edukon fëmijët e saj në devotshmërinë ndaj All-llahut të Madhërishëm, i ushqen ata me besimin e drejtë dhe të pastër Islam, mbjell në zemrat e tyre dashurinë ndaj All-llahut të Madhërishëm dhe ndaj Profetit (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem), i largon ata nga mëkatet dhe nga morali i ulët. Në lidhje me këtë, All-llahu i Madhërishëm thotë: “O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar.”

Lulja e gjashtë: Femra muslimane nuk vetmohet me të huajt, ndërsa nga Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) është vërtetuar të ketë thënë se: “Nuk veçohet femra me një të huaj vetëm se djalli do të jetë prezent.” Andaj ajo nuk udhëton pa shoqërues (mahrem), nuk del në treg dhe në qendrat tregtare vetëm në raste të domosdoshme, e nëse del është e mbuluar, e sjellshme dhe e moralshme.

Lulja e shtatë: Femra muslimane nuk u përngjason meshkujve në atë që është e veçantë për ta, pasi Profeti (sallall-llahu alejhi ve sel-lem) thotë: “All-llahu i ka mallkuar meshkujt që u ngjasojnë femrave dhe femrat që u ngjasojnë meshkujve.” Po ashtu, nuk u ngjasojnë as mosbesimtarëve me ate qe ato janë veçuar si për nga zbukurimet, veshjet, moda dhe primjet e ndryshme, sepse Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sul-lem) në lidhje me këtë thotë: “Kush i ngjason një populli eshte prej tyre.

Lulja e tetë: Femra muslimane është thirrëse në rrugën e All-llahut të Madhërishëm, ajo është thirrëse në radhët e femrave, andaj përkujdeset për fqinjet e saj, përkujdeset për motrat e saj në Islam dhe përkujdeset për femrat e lagjes së saj me të cilat falet në të njëjtën xhami. Këtë ajo e bën me fjalë dhe me vepra, këtë e bën duke predikuar dhe duke e vepruar atë që predikon, po ashtu këtë e bën edhe me shpërdarjen e librave islamë, e ligjëratave islame dhe këshillave në forma të ndryshme në mesin e besimtareve pasi e di se Profeti (sal-lallllahu alejhi ve sel-lem) në lidhje me këtë thotë: “Që të udhëzojë All-llahu përmes teje një njeri është më e dobishme sesa dhënia e deveve të kuqe.” Pra, femra muslimane është e kujdesshme dhe angazhohet që ta shpëtojë veten e saj prej zjarrit dhe, po ashtu, të shpëtojë edhe motrat e saj besimtare prej dënimit dhe zjarrit të All-llahut të Madhërishëm. Ndaj duke shpresuar në shpërblimin e All-llahut të Madhërishëm ajo angazhohet në thirrje dhe predikim në rrugën e Tij.

Lulja e nëntë: Femra muslimane e ruan zemrën e saj prej dyshimeve dhe epsheve, e ruan syrin e saj prej të ndaluarave, dëgjimin e saj prej fjalëve të kota, prej muzikës e, po ashtu, ruan gjymtyrët e tjera nga çdo gjë që është e ndaluar dhe në kundërshtim me urdhrat e All-llahut të Madhërishëm pasi e di se e gjithë kjo është pjesë e devotshmërisë dhe nënshtrimit të saj ndaj All-llahut të Madhërishëm. Po ashtu përkujton edhe fjalën e Profetit (sal-lall-llahu alejhi ve sellem) ku thotë se: “Kini turp nga All-llahu i Madhërishëm dhe turpërohu prej Tij me një turpërim të vërtetë, e kush turpe rohet prej Tij do të ruajë kokën dhe mendimet e tij, barkun dhe epshet e tij si dhe do të përkujtojë sprovat. E kush perkujton sprovat, largohet nga zbukurimet e kësaj bote.”

Lulja e dhjetë: Femra muslimane e ruan kohën e saj nga humbja e kotë, ditët dhe netët e saj nga përgojimet, thashethemet, shpifjet, mallkimet, gënjeshtrat, imoraliteti, sepse ajo e di që All-llahu i Madhërishëm në lidhje me këtë thotë: “Hiqu atyre që e marrin fenë (në vend që ta respektojnë) për lojë e dëfrim dhe i ka mashtruar jeta e kësaj bote. Ti përkujto me të (Kur’anin) që të mos bierë njeriu viktimë e asaj që ka vepruar, e që s’ka mbrojtës as ndërmjetësues për të pos All-llahut. Madje ai (njeri) edhe nëse jep, çdo lloj shpagimi nuk i pranohet. Të tillët janë ata që ranë viktimë e asaj që punuan. Ata, për shkak se mohuan, për pije kanë ujë të vluar e dënim të idhët.”

All-llahu i Madhërishëm tregon se çfarë do të thonë popujt që kanë humbur kohën e tyre, e këtë na e përshkruan në këtë formë: “Ata që përgënjeshtruan se do të takohen me Allllahun (në Ditën e Gjykimit) kanë humbur përderisa t’u vijë momenti (Kijameti) befas e të thonë: “Të mjerët ne për atë që lëshuam” (nga punët e mira në dunja), e duke i bartur gabimet e veta në shpinë, dhe, e shëmtuar është ajo që bartin.”

O All-llah i Madhërishëm, udhëzoje femrën muslimane në atë që e do dhe që të kënaq, duke i mbushur zemrën e saj me besim!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit