1. Mos harro se ti je përgjegjëse për gëzimin e bashkëshortit dhe fëmijëve të tu. Edhe mos harro se kënaqësia e bashkëshortit ndaj teje të fut në xhenet. Ka thënë Resulallahu salallahu alejhi ue selem: “Çdo grua që vdes e burri është i kënaqur prej saj, futet në xhenet.”
2. Mos e ngarko bashkëshortin tënd jashtë mundësive. Prandaj mos i mblidh dëshirat e mos i grumbullo kërkesat përnjëherë, në mënyrë që mos të lodhet dhe arratiset prej teje. Nëse këmbëngul për zbatimin e kërkesave të shumta, ndoshta i refuzon e të refuzon edhe ty me gjithë kërkesat, pa u bërë pishman. Kujto se çfarë ka thënë: Umer ibn Abdulaziz: “Unë kam frikë se ua jap njerëzve të vërtetën përnjëherësh dhe e refuzojnë përnjëherësh.” Nga Aliu radiallahu anhu transmetohet se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Padyshim se Allahu i do ato gra tërheqëse ndaj burrave të tyre e shmangëse e të tjerëve.”
3. Mos kërko që përnjëherësh të pajiset me të gjitha cilësitë e mira që ke dëshirë ti shikosh në të, sepse shumë rrallë ndodh që të gjitha cilësitë e mira të bashkohen në një person.
4. Kur burri martohet me një grua, në mendjen e tij ngel ajo pamje të cilën e ka parë për herë të parë. Do të dëshironte që ta ruante këtë pamje ashtu siç ka qenë e pastër e mahnitëse gjithë jetën. Prandaj mos e prish pamjen tënde që është në mendjen e tij, duke ruajtur bukurinë, stilin tënd të bukur, freskinë e shëndetit tënd, lëvizjet tua simpatike, e ëmbëlsinë e bisedës. Mos i fol me zë të vrazhdë e mos përdor fjalor të ulët. Nëse do të lësh një nga këto cilësi të nevojshme femërore, apo i lë disi pas dore, dije se edhe pamja jote në mendjen e bashkëshortit tënd ka për të ndryshuar. U largove ti nga ajo pamje e shkëlqyer të cilën e kërkon çdo bashkëshort tek bashkëshortja e tij! Pamje e cila përshkrimi i saj ka ardhur në cilësimin e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem të gruas së mirë ku ka ka thënë: “…nëse shikon në të (pra në bashkëshorten e tij) e gëzon”.
5. Ruaje fenë tënde e përmbahu rregullave të veshjes islame. Mos lejo që askush të shikojë diçka nga trupi yt qoftë kjo edhe kalimthi, sepse bashkëshorti yt ka xhelozi ndaj teje dhe kujdeset që mos të shikojë askush përveç atyre që lejohet të shikojnë.Një person u martua me një vajzë tek e cila pëlqeu hixhabin dhe kapjen e saj në fe, kur po fliste me shoqen e saj i tha: “Nuk do të na kapë vetëm se çka ka shkruar Allahu për ne.” Tha që ai do të vazhdojë ta përfytyrojë në atë pamje të pastër, besimtare në Allahun, e kënaqur me përcaktimin e Tij, e kapur pas ideve dhe idealeve të pastra. Ndoshta edhe bashkëshorti yt shikon në ty një gjë të tillë, prandaj mos e rrëno pamjen tënde në mendjen dhe zemrën e tij.
6. Zbukurohu për bashkëshortin tënd para se të kthehet nga puna, në mënyrë që të shikojë në pamjen më të mirë. Vishi rrobat e pastra e ndonjë parfum që i pëlqen. Përgatitu për takimin me të. Ndonjë nga bizhuteritë që ai të ka dhuruar vendosi mbi gjoks, sepse ai dëshiron që të shikojë dhuratat e tij tek ti. Ji para tij ashtu siç do të ishe para ndonjë shoqeje apo të afërme tënden.
7. Mos u merr me punët e shtëpisë duke neglizhuar bashkëshortin tënd. Të gjitha punët si: pastrimi, gatimi, sistemimi, duken atëherë kur ai kthehet nga puna i lodhur e i rraskapitur. Prandaj nuk të shikon vetëm se në kuzhinë, apo duke pastruar etj. Kryeji të gjitha punët kryesore kur ai nuk ndodhet në shtëpi.
8. Shtëpinë rregulloje sa më mirë, herë pas here ndryshoje sistemimin e dhomës së ndenjes. Vëre në dukje shijen tënde në zgjedhjen e panoramave apo të ndonjë pjese dekorative, e të tjera.
9. Mos mendo për ndjenjat e zjarrta të dashurisë, e ëndrrat me sy hapur që i ke jetuar para martese. Të gjitha këto qetësohen e shndërrohen në ndjenja ngrohtësie të qeta e të balancuara.
10. Nëse bashkëshorti yt është pronari i fjalës së parë në marrëdhëniet martesore, atëherë ti je përgjegjëse për suksesin, për pajtueshmërinë dhe harmonin e kësaj martese. Sado që të jetë grada jote e lartë në dije, kulturë e pozitë, të jesh sa më e thjeshtë në ndenje me të, e kurrë mos u përplas me të në mendim. Kujdesu në bisedën me të në shkëmbimin e mendimeve, shkëmbim të dobishëm e të frytshëm.
11. Bëje që bashkëshorti të ndjehet se ti e shoqëron në gëzimet, hidhërimet e pikëllimet e tij. Bëje të ndjehet se ai jeton në një kopsht apo lulishte të qetë. Në mënyrë që të ketë kohë të realizojë prodhime e fitime në punën e tij, gjë e cila bën që jeta të jetë frutdhënëse dhe e rehatshme.
12. Provoji fjalët e ëmbla e të dobishme, buzëqeshjen e ndritshme, shakatë freskuese e fytyrën e qeshur. Largohu mërzisë, pikëllimit, humorit të pakuptimtë, depresionit e fytyrës së errët.
13. Vëri në dukje bashkëshortit tënd, aftësitë, pasionet dhe cilësitë e mira të cilat të dallojnë mbi të gjitha gratë e tjera. Do të jetë edhe më i kapur prej teje e do të jetë krenar për personalitetin, tënd kur të përdorësh artin dhe guston tënde në çdo gjë që e bën.
14. Mos e humb kohën tënde me telefonata shoqeve apo në leximin e revistave të padobishme, të cilat flasin për lajmet e aktorëve e aktoreve, për këngëtarët e këngëtaret. Shumë prej grave e kalojnë të shumtën e kohës së tyre në leximin e këtyre revistave të cilat nuk e ngrenë kulturën e njeriut por e ulin. Zgjidh në lexim ato libra e ato revista që i bëjnë dobi mendjes, e ato që të shtojnë kulturën e të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve familjare.
15. Gjithashtu edhe kanalet e programet televizive zgjidh ato çka të ngrenë nivelin e të menduarit, të kulturës tënde, e të shtojnë eksperiencën. Mos e humb kohën duke shikuar telenovela e filma të pavlefshëm e larg çdo morali të lartë.
16. Nxite bashkëshortin tënd të kryejë ndonjë aktivitet fizik e sportiv jashtë shtëpisë. Ec me të nëse është e mundur në ajër të pastër në pushimin e çdo fundjavë apo sa herë të jepet rasti.
17. Zgjidh kohën e përshtatshme për paraqitjen e problemeve familjare dhe diskutimin e zgjidhjeve të tyre. Ku është vështirë të zgjidhen problemet para daljes së bashkëshortit për në punë në mëngjes, ngase koha është e ngushtë apo menjëherë mbas kthimit nga puna i lodhur e i rraskapitur. Mbas kthimit të tij nga puna e rehatimit pak, do të ishte koha më e përshtatshme për diskutimin e problemeve dhe zgjidhjen e tyre. Mos i diskuto problemet e fëmijëve në prezencën e tyre, në mënyrë që mos të ndjejnë fëmijët se ata janë barrë e rëndë mbi ty e mbi babanë e tyre dhe se ata janë shkaktarë të kontradiktave që ndodhin mes teje e bashkëshortit tënd.
18. Mos nxito në ankesat e tua menjëherë mbas futjes së tij në shtëpi për gjëra të vogla, si: zhurma e të bërtiturat e fëmijëve. Mos kërko që bashkëshorti yt të luajë rolin e policit, të arrestojë fajtorin, e ta dënojë apo ta rrahë atë.
19. Mos gjyko sjelljet e bashkëshortit tënd, në sy të fëmijëve. As mos përdor fjalë të cilat mund t’i përdorin më pas fëmijët, si p.sh: ‘erdhi gogoli’ apo ‘erdhi shqetësimi’ etj. Disa gra nëse fëmija e saj nuk shkon mirë me mësime i thotë: ‘Kurrë nuk ke me korrë sukses në jetën tënde, sepse ti je dembel sikur babai yt’. E nëse sëmuret bashkëshorti i saj nuk i jep vlerën e duhur sëmundjes së tij. Nëse i tregon ndonjë histori e ajo e ka dëgjuar më parë, e ndërpret në mes të fjalëve e i thotë: ‘e kam dëgjuar më parë’! E shumë çështje të tjera, të cilat duken të vogla, porse mbartin me vete shumë dhimbje për bashkëshortin.
20. Kujdes… kujdes në xhelozinë dhe qortimet e tepërta. Shmangu veprimeve të cilat ndezin xhelozinë e bashkëshortit tënd e turbullojnë idetë e tij. E ka këshilluar Abdullah bin Xhaferi bin Ebu Talib vajzën e tij duke i thënë: “Kujdes xhelozinë, sepse ajo është çelësi i shkurorëzimit, e kujdes qortimet e tepërta sepse ajo lind urrejtjen.”
21. Ansjëherë mos ji xheloze për dashurinë që ka bashkëshorti yt ndaj nënës e babait të tij. Si e fillon jetën një muslimane duke u bërë xheloze nga dashuria e bashkëshortit të saj ndaj familjes së tij?! Gjë që e ka vendosur Allahu i madhëruar në gjak, e në natyrën e tij. Kjo dashuri nuk e prek nga asnjë anë dashurinë e bashkëshortit të saj, ndaj saj. Si i lejon bashkëshortja muslimane që bashkëshorti i saj të fillonte jetën me të, duke kundërshtuar Allahun e madhëruar dhe të Dërguarin e Tij salallahu alejhi ue selem në familjen e tij. Duke mos respektuar prindërit e duke shkëputur lidhjet farefisnore për hir të kënaqësisë së bashkëshortes së tij?
22. Kjo është ajo që na ka lajmëruar Pejgamberi salallahu alejhi ue selem për ta, duke cilësuar ndryshimin e gjendjes së muslimanëve dhe moralit të tyre në të ardhmen. Na ka lajmëruar: “Në atë kohë, i bindet burri bashkëshortes së tij, e kundërshton nënën e tij, respekton shokun e tij e sillet ashpër me babanë e tij.”
23. Mos i ço problemet e shtëpisë tënde tek familja jote, sepse kjo i ndryshon zemrat e njerëzve të tu ndaj bashkëshortit tënd. Mos u trego më e lartë se ai nëse je më e pasur apo më e lartë nga fisi apo nga kultura apo nga dija. Nuk lejohet që ta zvogëlosh bashkëshortin apo t’ia pakësosh vlerën e tij duke u treguar më e lartë se ai. Ka thënë Resulallahu salallahu alejhi ue selem: “Nuk e shikon Allahu i madhëruar atë grua e cila nuk falënderon bashkëshortin e saj, e ajo ka nevojë për të.”
24. Mos e pengo veten tënde nëse bashkëshorti të kërkon në marrëdhëniet bashkëshortore. Ka thënë Resulallahu salallahu alejhi ue selem: “Nëse e fton burri gruan e tij, për në krevat e nuk vjen, fle i zemëruar prej saj, e mallkojnë atë melaiket deri në mëngjes.”
Dije se e drejta e parë e tij ndaj bashkëshortes është bindja e saj. Ka thënë Resulallahu salallahu alejhi ue selem: “Sikur të urdhëroja dikë që t’i bënte dikujt sexhde, do të urdhëroja gruan që t’i bënte sexhde burrit të saj.” As mos agjëro nafile vetëm se me lejen e tij. Ka thënë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem: “Nuk i lejohet gruas të agjërojë e burri i saj është prezent, vetëm se me lejen e tij (pra agjërim jashtë ramazanit), e mos të lejojë kënd në shtëpinë e tij vetëm se me lejen e tij”.
25. Mos harro mirësitë që ka bërë bashkëshorti yt ndaj teje, sepse Pejgamberi salallahu alejhi ue selem e ka bërë harresën apo mohimin e të mirave të bashkëshortit shkak për futjen e gruas në zjarr, e ka cilësuar këtë si “kufr” “mohim”. Nga ibn Abasi -radiallahu anhuma- transmetohet se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Mu tregua mua zjarri ku pashë se shumica e banorëve të tij ishin prej grave kufare (mohuese).” I thanë: “A mohojnë Allahun?” Tha: “Mohojnë të mirat e burrit të saj, e mohojnë bamirësinë, nëse i bën mirë njërës një vit, e pastaj shikon nga ti ndonjë gjë (që nuk i pëlqen), thotë: ‘Nuk kam parë prej teje asnjë të mirë’.”
26. Ruaje pasurinë e bashkëshortit tënd e mos shpenzo vetëm se me lejen e tij, e mbasi të jesh e sigurt se është i kënaqur nga ky shpenzim. Ka thënë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem: “Nuk shpenzon gruaja gjë nga shtëpia e burrit të saj vetëm se me lejen e tij.” I thanë: “O Resulallah, as ushqim?” Tha: “Kjo është më e mira e pasurisë sonë.” Nëse bashkëshorti yt është në gjendje të dobët ekonomike jepi sadaka nga pasuria jote. Nëse nuk ke pasuri, atëherë duro me të, ndoshta Allahu i madhëruar ua hap dyert e rrizkut.
27. Nëse je prej nënave që punojnë, mos mendo se ajo që kanë nevojë prej teje bashkëshorti e fëmijët e tu është vetëm pasuria. U sjell atyre pasuri si kompensim për mangësitë në detyrat e saj njerëzore. Kujdes, e shumë kujdes, të barazosh ndërmjet qumështit artificial e atij natyral, ndërmjet ngrohtësisë së shërbëtores e asaj të nënës, ndërmjet ushqimit të shërbëtores e ushqimit të nënës së pastër, ndërmjet edukimit të shërbëtores së paditur dhe edukimit të nënës së ndërgjegjshme.
28. Mos u mërzit nga puna e bashkëshortit tënd. Gjëja më e keqe që bëjnë disa gra është vënia në dukje e mërzisë së tyre nga puna e bashkëshortit. Reklama zakonisht bëhet për krijimin e problemeve, këmbëngulje në ankesë duke e akuzuar bashkëshortin për moskujdesje, e më në fund arritja e mërzisë e ankesave të bashkëshortes deri tek shtëpia e nënës saj.
29. Dije se ai burrë i cili është mësuar të shikojë nënën e tij të zgjohet e para, e pastaj të zgjojë të tjerët, ndihmon të vegjlit në veshjen e rrobave të tyre e përgatit mëngjesin, nuk do të kënaqet me një grua e cila është mësuar të flejë derisa të dalë dielli në kupë të qiellit.
30. Kije parasysh se shtëpia të cilën e ka mbuluar qetësia e dashuria, respekti reciprok, e është me një kothere bukë e ujë, është më e mirë se shtëpia e mbushur përplot kurbane e mishra e ushqime nga më të shijshmet, porse është e mbushur përplot grindje e zemërime.