1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Këshilla e gjashtë: Dijetari që u pendua për tridhjetë vite rresht vetëm pse falënderoi Allahun xh.sh

Më të lexuarat

Falënderimi është tipar i besimtarit të sinqertë. Ai e falënderon Allahun çdoherë e në çdo gjendje[1], edhe në ditë të mira, edhe në ditë të vështira. Kjo për shkak se çdoherë, në çdo gjë, gjen hapësirë për ta bërë këtë. Në ditë të mira e falënderon për mirësitë e shumta: shëndetin, mirëqenien, sigurinë;  në ditë të vështira e falënderon për shkak se sprova ka mundur të jetë më e madhe, më e rëndë, me më shumë pasoja, apo edhe se ky i ka shpëtuar në ndërkohë që të tjerë janë viktimizuar prej saj. Pejgamberi a.s., na ka mësuar që në raste të këtilla të themi: “Falënderimi i takon Allahut që mua më ka shpëtuar prej asaj që ty të ka sprovuar me të![2]

Megjithëkëtë, ky falënderim ka një kriter. Forma se si duhet të shprehet është shumë me rëndësi. Nuk guxon të shpërfaq egoizëm. Nëse neve nuk na ka ndodhur fatkeqësia, nuk guxojmë të jemi shpërfillës ndaj të prekurve. Falënderimi i këtillë nuk përkon me karakterin e besimtarit, i cili për tjetrin e do atë që do për vete dhe e urren për të atë që urren për vete. Besimtari nuk është egoist dhe nuk lutet për gjarprin të rrojë vetëm pse këtë nuk e ka kafshuar.

Për ta kuptuar më drejt se për çfarë e kemi fjalën dhe çfarë synojmë me këtë, do tua prezantojmë rrëfimin e një urtari të njohur mysliman, Sirri Sakatiut (160-251 h./ 772-867 g.), të përshkruar në enciklopedinë biografike të Imam Dhehbiut:

Një herë, për një rast, e kam falënderuar Allahun, për çka vazhdoj tash e tridhjetë vite të kërkoj falje!

Sirri Sakatiu është i njohur për asketizmin e tij. Imam Dhehebiu e lavdëron duke e quajtur dijetar dhe lider, e madje edhe Shejhu-l-Islam. E pyetën si mund të ndodhte dikush sikur ai ta falënderonte Allahun xh.sh., dhe më pas të kërkonte falje, madje kaq gjatë, tridhjetë vite?!

Tha:

Unë kam pasur një dyqan në treg. Rastisi të digjej tregu dhe unë u nisa të shkoj të shikoj se çfarë ka ndodhur. Rrugës e takova një njeri i cili më lajmëroi se dyqani im kishte shpëtuar. Thashë krejt instinktivisht: Elhamdulilah! Pastaj u ndala dhe mendova: Thashë elhamdulilah! pse mua më ka shpëtuar dyqani ndërsa të tjerëve ju janë djegur, kam gabuar, kështu që kërkova falje për tridhjetë vite!

(Sijer A’Lam en-Nubela: 2001, 12/186-187)

Pra, konsideroi se falënderimi në atë moment sikur tingëllonte se ai interesohet të shpëtojë vetëm kokën e vet dhe se fatkeqësia e tjetrit për të nuk do të thotë asgjë. Ai e di se fetarisht duhet të solidarizohet me të tjerët, të bashkëndjej dhimbjen me ta, të mos gëzohet pse dyqani i tij i ka shpëtuar djegies ngase kështu bëhet shumë individualist, materialist.

Këtë moral të Sirriut duhet ta aplikojmë edhe ne sot që (ende) nuk jemi “djegur” nga virusi korona. Të mos e përjetojmë shpëtimin tonë si mirësi që na zhvesh nga dhimbja për të tjerët dhe të mos falënderojmë në gjendje të tillë shkujdesi. Të bashkëndjejmë dhimbjen me të prekurit nga virusi, të lutemi për ta, t’iu ndihmojmë me çfarëdo që na jepet mundësia sepse këtë e kemi obligim, e pastaj ta falënderojmë Allahun xh.sh., që ne nuk jemi prekur me këtë virus dhe që po mundohemi t’i ndihmojmë të prekurit!

Vetëm kështu falënderimi shprehet i plotë dhe vetëm kështu përmbushim detyrimet tona karshi shoqërisë!

Allahu e përshpejtoftë largimin e kësaj fatkeqësie!

[1] Një nga lutjet që bënte Muhammedi a.s. ishte edhe kjo: “Falënderimi i takon Allahut çdoherë e në çdo gjendje!” Ebu Davudi, 5058; Tirmidhiu 2738.

[2] Muhammedit a.s., na ka mësuar që kur të shohim ndonjë njeri të sprovuar të themi në vete: “Falënderimi i takon Allahut që më shpëtoi mua nga kjo që të ka sprovuar ty me të!” Hadithi është i saktë. Tirmidhiu, 3432.

Hoxhë Sedat Islami
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit