2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Kërkesat bullgare, pengesë në rrugën eurointegruese të Maqedonisë së Veriut

Më të lexuarat

“Kjo që po ndodh është një problem serioz dhe një goditje serioze për besueshmërinë e BE-së”, tha pas samitit kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski

Ka përfunduar Samiti i Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, i cili kaloi i pasuksesshëm për vendet e rajonit dhe në të cilin nuk kishte epilog pozitiv për fillimin e hapjes së negociatave aderuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Pas përfundimit të Samitit në Bruksel, në konferencën për media i pari u drejtua kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski. Mesazhi i tij ishte i qartë lidhur me propozimin francez për atë se çka do të duhej të përfshinte korniza negociuese në të cilën janë të përfshira kërkesat bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, me qëllim Bullgaria ta heqë veton për Maqedoninë e Veriut për fillimin e negociatave.

“Propozimi në formën e tanishme është i papranueshëm për mua, për Presidentin, për Qeverinë, për partnerët e koalicionit dhe për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Kovaçevski.

Ai shtoi se nëse gjatë presidencës franceze arrihet mirëkuptimi për qëndrimet e Maqedonisë së Veriut, ka gatishmëri për t’u angazhuar në bisedime për fillimin e negociatave deri në fund të qershorit.

Kovaçevski rikujtoi se vendi i tij ka qenë kandidat për anëtarësim për gati 18 vjet dhe kanë kaluar 21 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

“Kjo që po ndodh është një problem serioz dhe një goditje serioze për besueshmërinë e BE-së”, tha ai.

Macron me bindje se janë afër marrëveshjes për Maqedoninë e Veriut

Presidenti francez Emmanuel Macron më pas lëshoi një deklaratë duke thënë se është në pritje të vendimit përfundimtar të parlamentit bullgar për propozimin që do të zhbllokonte veton për bisedimet e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në. Ai në një konferencë për media pas Samitit të BE-së në Bruksel theksoi se beson se janë afër një marrëveshjeje që Shkupi dhe Tirana të ecin përpara drejt negociatave.

Macron tha se Maqedonia e Veriut deri më tani ka ndërmarrë hapa historikë, si ndryshimi i emrit dhe Kushtetutës, dhe tani një vend anëtar i BE-së po kërkon sërish ndryshim.

Pati njoftime se Samiti i Brukselit nuk do të sjellë rezultate të mira, edhe nëse shikohet deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pak para fillimit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor.

“Sot nuk është një ditë e mirë, sepse ne duhej të fillonim procesin e anëtarësimit me dy vende, por nuk mundemi, sepse një vend po bllokon të gjithë procesin e zgjerimit”, tha Borrell.

Kthesë në Bullgari: Parlamenti miratoi propozimin francez

Por vetëm një ditë pas Samitit të Brukselit, parlamenti bullgar miratoi propozimin e presidencës franceze për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Shkupit dhe Sofjes, në mënyrë që Maqedonia e Veriut të marrë dritën jeshile për fillimin e negociatave me BE-në.

Dokumenti i miratuar i propozuar nga lideri i partisë “Bullgaria Demokratike” Hristo Ivanov, i jep dritën jeshile Qeverisë në largim të Kiril Petkovit për të miratuar kornizën negociuese dhe konkluzionet e propozuara nga presidenca franceze me Këshillin e BE-së për zgjidhjen e marrëdhënieve komplekse mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, nëse plotësohen disa kushte.

Sipas propozimit të miratuar në parlamentin bullgar, Bullgaria kërkon zbatimin efektiv të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë të vitit 2017, garanci për të drejtat e bullgarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut përmes përfshirjes së tyre në Kushtetutë, si dhe atë që asgjë në procesin negociues të mos interpretohet si njohje e gjuhës maqedonase.

Osmani: Tri çështje janë kyçe

Pas miratimit të propozimit francez në Kuvendin e Bullgarisë, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, mbajti një konferencë për media dhe e informoi opinionin për qëndrimin e tij.

“Tri çështje janë të rëndësishme nëse mund t’i themi po një propozimi apo jo. Është çështja e gjuhës, çështja e përjashtimit të interpretimeve historike si pjesë e procesit të negociatave dhe e treta është raporti ndërmjet ndryshimit të Kushtetutës dhe fillimit të negociatave”, theksoi Osmani.

Sipas tij, propozimi francez nuk është përfundimtar, ndërsa autoritetet kompetente kanë heshtur për procesin deri më tani që të mos ndikojnë në ndodhitë në Bullgari.

“Tani mbetet të shihet se çfarë teksti ka miratuar Bullgaria dhe cili është qëndrimi i tyre, si dhe çfarë do të propozojë Franca pasi të shohë dy qëndrimet e vendeve, si do t’i qasen ata procesit. Do të jemi në komunikim dhe do të shohim se çfarë do të paraqesin si propozim përfundimtar”, tha Osmani.

Ai sqaroi gjithashtu se për momentin është në qarkullim një version pune i kornizës negociuese, në të cilin duhet të përfshihen vërejtjet e të dyja palëve.

Si u bë Bullgaria pengesë në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së?

Për ta bërë më të qartë situatën, le të kthehemi se si Bullgaria e hapi problemin me Maqedoninë e Veriut.

Ministrat e Çështjeve Evropiane të vendeve anëtare të BE-së në mars 2020 dhanë dritën jeshile për negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, pa specifikuar një datë për fillimin e negociatave.

Disa muaj më vonë, në Samitin e nëntorit 2020, Bullgaria vuri veton ndaj kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut, e cila duhej të fillonte negociatat e anëtarësimit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ky vendim i Bullgarisë ishte një tjetër pengesë për rrugën e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, pasi Marrëveshja e Prespës, e cila ndryshoi emrin kushtetues nga “Maqedoni” në “Maqedoni e Veriut”, zgjidhi këtë mosmarrëveshje me Greqinë, me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara.

Që kur Bullgaria vuri veton, të dy vendet zhvillojnë shumë negociata për të zgjidhur mosmarrëveshjet që kanë shkaktuar trazira politike në Bullgari dhe kanë çuar në dorëheqjen e ministrave në qeverinë e drejtuar nga Kiril Petkov, ndërsa u ndërrua edhe kryetari i parlamentit. Vetëm pak ditë më vonë, parlamenti bullgar votoi mosbesimin për qeverinë e udhëhequr nga Petkovi dhe nga sa shihet nga deklaratat e politikanëve, përveç krizës ekonomike, çështja me Maqedoninë e Veriut është një nga arsyet kryesore për votimin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Petkovit.

Për të kapërcyer problemin, muajt e fundit janë bërë përpjekje diplomatike nga Franca dhe presidenti i saj Emanuel Macron. Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, duke u paraqitur në një program televiziv në prag të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, për çështjen e mosmarrëveshjes me Bullgarinë, informoi se prej disa muajsh janë zhvilluar bisedime nga ministritë e jashtme ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgaria dhe se debatet nuk dhanë rezultat.

Presidenti Pendarovski shpjegoi se një muaj e gjysmë më parë presidenca franceze vendosi të përfshihet në negociata, përmes kryekëshilltarit të presidentit Macron për Ballkanin, i cili ishte në Shkup dhe Sofje dhe bisedoi me liderët politikë për parimet bazë.

 “Çështjet historike dhe mosmarrëveshjet gjuhësore nuk kanë vend në kornizën negociuese”

Në një intervistë televizive, presidenti Pendarovski tha se “çështjet historike dhe mosmarrëveshjet gjuhësore nuk kanë vend në kornizën negociuese”, duke theksuar se ajo nuk mund të miratohet nëse Maqedonia e Veriut nuk thotë “po”.

Ndërkohë, në Bullgari, presidenti bullgar Rumen Radev e quajti propozimin francez për kornizën negociuese “më të mirën ndonjëherë”. Ditët e fundit Radev në mediat bullgare theksoi se kjo nuk do të ndodhte nëse Bullgaria nuk do ta përdorte veton me qëndrim dhe argument të qartë.

Situata e ndërlikon krizën politike në Bullgari

Pas rënies së qeverisë së udhëhequr nga Petkov në Bullgari, e cila u votua vetëm gjashtë muaj më parë, ai deklaroi se do të jepte dorëheqjen nga qeveria, e ndjekur nga procedurat kushtetuese, sipas të cilave presidenti bullgar duhet t’i jepte sërish mandatin të formojë qeverinë e re, sepse partia e tij ka fituar më së shumti mandate në zgjedhjet e fundit.

Distancim nga zgjidhja

Në rrethana të tilla, është e sigurt se ka vështirësi për të kapërcyer dallimet për zgjidhjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Presidenca franceze e BE-së përfundon më 30 qershor, ndërsa Republika Çeke e merr presidencën më 1 korrik. E qartë është se në periudhën e ardhshme do të nevojiten përpjekje më të mëdha mes dy palëve, por edhe një qasje e ndryshme e diplomacisë evropiane për të çuar përpara proceset, në mënyrë që politika e zgjerimit të marrë shtytje të re.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit