Një çift homosekualësh kanë trokitur në Zyrën e Ofiqarisë së Komunës së Kaçanikun me një kërkesë shumë të nevojshme për lidhjen e tyre; Kurorëzimin.
Një kosovar, i lindur në vitin 1988 dhe i dashuri i tij, shtetas i huaj i ditëlindjes 1956, kërkuan ta zyrtarizojnë lidhjen.
Por kërkesa e tyre shokoi Zyrën e Ofiqarisë së Kaçanikut; në radhë të parë për shkak se për rrethanat kosovare kjo kërkesë është e jashtëzakonshme dhe në radhë të dytë zyrtarët nuk kishin njohuri nëse mund ta bëjnë këtë ligjërisht.
Kushtetuta e Kosovës konsiderohet si një prej kushtetutave më moderne që trajton çështjen e orientimeve seksuale, por problemi për lidhje mes një çifti homoseksualësh është Ligji për Familjen.
Prandaj, zyrtarët e Komunës së Kaçanikut kanë dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Brendshme nëse mund ta kurorëzojnë këtë çift.
“Neve na ka ardhur kjo kërkesë sot (e premte) dhe ajo po shqyrtohet”, ka thënë një zyrtar i MPB’së.
Ndërkohë, në Komunën e Kaçanikut nuk kanë mundur të japin hollësi për këtë rast.
Hajrush Dullovi , Zyrtar për Informim në Komunën e Kaçanikut, ka thënë për Express se deri më tani nuk e kanë këtë informacion – që dy meshkuj të kenë bërë kërkesë për kurorëzim në këtë komunë. Megjithatë, ai ka premtuar se informacione më të hollësishme mund të jap të hënën.
Ndërkohë, burime të Express në Komunën e Kaçanikut thonë se çifti, veçanërisht kosovari, ka qenë shumë insistues dhe i zhurmshëm në kërkesën për kurorëzim.
“Ai ka filluar të bërtas nëpër zyre, derisa është thirrur në të drejtën e tij që, sipas tij, ia jep Kushtetuta e Kosovës”, ka thënë një burim i gazetës.
Express do t’ju mbajë të informuar për këtë rast ditëve në vijim, meqenëse bëhet fjalë për kërkesën e parë për martesë të një çifti homoseksualësh në Kosovë.
Ndryshe, kjo kërkesë është e çuditshme edhe për faktin se është bërë në Kaçanik. Opinioni kosovar ka qenë i përgatitur që një kërkesë e tillë të bëhet në një qytet tjetër./express/