25 C
Pristina
E diel, 20 Qershor, 2021

Teknostresi dhe facebooku

Më të lexuarat

Sëmundja më e re në botë është teknostresi. Varësia ndaj rrjeteve sociale dhe sidomos ndaj Facebook ka prekur shumë njerëz, të cilët nuk po mendojnë aspak për të këqijat që ky “virus” i fshehur i sjell shëndetit të tyre.

Tashmë e dimë mirë se teknologjia në këto vitet e fundit ka bërë hapa gjigantë: smartphonë-t, tablet-ët dhe aplikacionet e ndryshme janë pjesë e pandarë e jetës sonë, deri në atë pikë sa ne nuk mund të bëjmë më pa to.

Teknostresuesit

Me këtë neologjizëm përkufizohen të gjithë ata persona që tanimë e kanë transferuar jetën e tyre në duart e teknologjisë, deri në atë pikë saqë janë kompjuterët, tablet-ët apo smartphon-ët ata të cilët u “thonë” se çfarë duhet të bëjnë për çdo gjë: në ndjenja, në punë, në seks etj. “Teknostresi” është një lloj patologjie që vjen nga përdorimi i tepërt dhe i njëkohshëm i informacioneve. I pari i cili ka folur për këtë “sëmundje” të re ka qenë psikologu amerikan Graig Broad, 28 vjet më parë. Për këtë problem ai ka publikuar librin “Technostress”. Po cilat janë simptomat e vërteta të kësaj sëmundjeje? Në të vërtetë janë të shumta (dhe mjaft shqetësuese): dhembje koke, hipertension, ankth, sulme paniku, ulje përqendrimi, çrregullime gastrointestinale dhe kardiovaskulare, depresion dhe humbje e dëshirës seksuale.

Sa keq bën Facebook-u?

Facebook dhe Twitter janë tashmë një “fiksim” i njerëzve, deri në atë pikë sa shumë agresione për motive xhelozie lidhen me përgjimin e partnerëve në këto rrjete sociale. Por jo vetëm kaq, faqet e internetit shuajnë madje edhe dëshirën seksuale: 16 për qind e meshkujve italianë nuk kanë më as fantazi dhe as dëshirë seksuale. Gjithçka kanë nevojë e gjejnë në YouPorn në faqet e ndryshme të Facebook dhe në faqe të tjera virtuale me gra të njohura vetëm për një “punë”. Rënia e dëshirës seksuale ndër të tjera ka shqetësuar në mënyrë të veçantë mjekët dhe psikologët e të gjithë botës: duke e bazuar jetën seksuale vetëm në ueb, në jetën reale janë të shumtë çiftet që nuk gjejnë harmoninë e pritur dhe të dëshiruar. Varësia nga rrjetet sociale provokon edhe çrregullime të stresit, të tilla si dhembje koke, pagjumësi dhe nervozizëm. Tashmë është rasti të thuhet se mjekët, psikologët dhe spitalet do të kenë mjaft “punë” për të shëruar këta lloj të “droguarish”, ashtu siç ndodh në Çikago, ku ekziston qendra e parë e dektosifikimit nga “internetvarësia”.

10-vjetori i Facebook! 1.23 miliardë përdorues aktivë në të gjithë botën

Facebook mbushi dje 10 vjet. Drejtori dhe themeluesi i rrjetit social, Mark Zuckerberg e krijoi TheFacebook më 4 shkurt të vitit 2004, ndërsa dje ai postoi një kronologji të viteve të rrjetit social për të reflektuar mbi dekadën e kaluar. Në postimin e tij në Facebook, Zuckerberg tha se “është e rrallë mundësia për të prekur jetët e kaq shumë njerëzve” dhe se ai është “shumë mirënjohës” që është pjesë e këtij udhëtimi. Zuckerberg thotë se Facebook u rrit nga një dëshirë për ta lidhur botën, dhe ky fokus e ka ndihmuar rrjetin social që të rritet aty ku është sot. Gjatë prezantimit të raportit të fitimeve të kompanisë për tremujorin e katërt, javën e kaluar, Facebook zbuloi se kishte 1.23 miliardë përdorues mujorë aktivë, 757 milionë përdorues ditorë aktivë, 945 milionë përdorues mujorë aktivë nga pajisjet mobile dhe 556 milionë përdorues ditorë aktivë nga pajisjet mobile.

Facebook-u “sëmundja” që solli “demokraci” rinore shqiptare

Po në Shqipëri çfarë po ndodh me këtë rrjet social? Edhe pa pasur nevojë për statistika konkrete, është e kuptueshme që gjatë dy viteve të fundit, në vendin tonë nuk ka mbetur asnjë familje e cila nuk ka të paktën një anëtar përdorues të tij. Facebook tashmë mund të quhet me plot gojën “realiteti më i ri” apo trendi shqiptar. Në të përdoruesit, të cilët janë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, shkruajnë gjithçka ndodh rreth tyre dhe nga ta. Kjo është pikërisht ajo çka i diferencon nga përdoruesit e huaj të Facebook. Duhet pranuar se shqiptarët u treguan dhe vazhdojnë të tregohen “të etur” për këtë rrjet social duke qenë se ai po “konkurron” fuqishëm jetën e tyre reale. Në fakt të mirat dhe të këqijat që ai u ka sjellë shqiptarëve janë të shumta dhe të larmishme. Jam e bindur që të gjithëve ju tani po ju vijnë ndër mend. Do të doja të ndalesha tek e mira më e madhe dhe më e veçantë që ai u solli sidomos të rinjve shqiptarë. Besoj se të gjithë e mbajnë mend situatën e mundësisë së sjelljes së armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Alarmi (i drejtë ose jo) i pushtoi të gjithë, por ishte shpirti aktiv i protestës së të rinjve ai i cili u tha “jo” atyre më 15 nëntor 2013. Facebook mund të thuhet se ka luajtur rolin kryesor në “ndërlidhjen” midis të rinjve për t’u organizuar në protestën më të madhe paqësore dhe demokratike të ndodhur pas viteve ‘90 dhe ‘2000. Po e keqja më e madhe, cila është? Përveç luftës për rikthimin e vlerave humane, mirënjohjes dhe dashurisë në tërësi, shqiptarët duhet të luftojnë edhe “sëmundjen e re Facebook”.

Përgatiti Nanila Allkja/GSH

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit