0.3 C
Pristina
Saturday, January 11, 2025

Keqardhja e Profetit a.s. për popullin e tij

Më të lexuarat

By: ardhmeriaonline

Xhabiri ka transmetuar se profeti a.s ka thënë:“Shembulli im dhe shembulli juaj është si shembulli i një burri, që ka ndezur një zjarr. Karkalecat dhe fluturat bien në të, ndërsa ai i largon që andej. Unë ju shtrëngoj prej rripave, që mos të bini në zjarr, por ju më shpëtoni nga duart.”[1]
 
Dritë mbi kuptimin e hadithit:
 
Allahu i Lartësuar e dërgoi vulën e profetëve, Muhamedin a.s për t’i shpëtuar njerëzit nga rreziqet e idhujtarisë, mëkateve dhe dominimit të epsheve rrënuese. Dërgimi i tij ishte mëshirë për botërat. I lartësuari ka thënë: “Ne të kemi dërguar mëshirë për të gjithë botrat”.  Sure El Enbija: 107
Në këtë hadith profeti a.s ka dhënë një shembull, për të shprehur keqardhjen dhe kujdesin që ka për popullin e tij, që të shpëtojë nga zjarri i xhehenemit, ashtu siç transmetohet në një hadith tjetër: “Unë ju shtrëngoj prej rripave,(duke u thirrur)  largohuni nga zjarri, largohuni nga zjarri, por ju më mundni”.
Ngjashmëria qëndron në faktin, se karkalecat dhe fluturat drejtohen drejt zjarrit të kënaqura për dritën e tij, por pa e ditur përfundimin. Ata i shohin shoqet, që bien në zjarr dhe digjen, megjithatë nuk marrin mësim e nuk largohen.
Po kështu janë jobesimtarët dhe mëkatarët, që insitojnë (me padituri dhe mendjemadhësi) për t`u hedhur në zjarrin e xhehenemit. Nuk e vrasin mendjen që të kenë frikë apo të ndihen të kërcënuar, megjithëse Profeti a.s i qorton për përfundimin. Po ashtu ata e shikojnë, se çfarë u ka ndodhur vëllezërve dhe të afërmëve të tyre, që kanë vdekur, sepse vdekja është fundi i çdo gjallese e megjithatë ata nuk kthehen në rrugën e drejtë.
Profeti a.s e ka përshkruar dëshirën e madhe që ka, për ta shpëtojë popullin e tij nga zjarri duke thënë: “Unë ju shtrëngoj prej rripave”. Ai është si ai njeriu, që shikon dikë që po bie nga ndonjë lartësi, apo në ndonjë gropë dhe menjëherë  shpejton që ta kapë nga rripi i pantallonave, me qëllim që të mos i shpëtojë nga duart.
Në këtë shembull profetik ka edhe një aspekt tjetër. Ai që ndez zjarrin, ka për qëllim dobinë që vjen nga drita dhe ngrohtësia e tij. Por për fluturat (nga padituria) zjarri është shkak i shkaktërrimit të tyre. Po kështu zbukurimet e kësaj bote, paratë, fëmijët dhe kënaqësitë e tjera, Allahu i ka krijuar, që njeriu t’i vërë në shërbim të tij, për t’ju bindur Allahut. Por mëkatarët i vunë në shërbim të shkatërrimit të tyre, kështu që ato nga mirësi u shndërruan në dëshpërim.
Nëse një pjesë e madhe e kafshëve me instiktin e tyre i kuptojnë vendet e rrezikshme e pastaj largohen prej tyre, jobesimtarët dhe mëkatarët, të cilëve u janë vulosur mendjet dhe u janë errësuar zemrat, nuk kanë arritur akoma të perceptojnë, se janë afër shkatërrimit të pashmangshëm. Për këtë arsye ata e meritojnë atë. që ka përshkruar Allahu në Kur’an: “Ne krijuam shumë nga xhindët dhe njerëzit për xhehenem. Ata kanë zemra që nuk kuptojnë, sy që nuk shikojnë dhe veshë që nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, madje edhe më të humbur. Ata janë indiferentë”.  Sure El A’arafë: 179
 
Përfitimet e nxjerra nga hadithi:
 
1- Zbatimi i fesë islame është jetë dhe lumturi. Largimi prej saj të shpie në shkatërrim dhe fatkeqësi. I Lartësuari ka thënë: “O ju që besuat përgjigjuni ftesës së Allahut dhe profetit, kur ju ftojnë për atë ju jep jetë”. El Enfalë: 24
2- Ndjekja e dëshirave dhe epsheve të shpie në verbërinë e zemrës e të rrëzon në zjarrin e xhehenemit.
3- Dëshira dhe keqardhja që ka treguar profeti a.s për udhëzimin e popullit të tij. Me këtë dëshirë dhe keqardhje duhet të karakterizohen ftuesit. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ju erdhi i dërguari i Allahut nga mesi juaj. Atij i vjen rëndë nga vuajtjet tuaja. I brengosur për besimtarët, i butë dhe i mëshirshëm”.  Sure Et Teubeh: 128
4- Stili i mrekullueshëm profetik në dhënien e shembujve praktikë nga realiteti i dukshëm, që të ketë më shumë ndikim dhe përgjigje sa më të shpejtë.
[1]  Transmeton imam Muslimi: 2285

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit