1.6 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Kënaqja me Allahun Subhanehu Ve Teala

Më të lexuarat

AllahuNjeriu e arrijnë kënaqësinë me qetësi, ai që e stërvitë vetveten në qetësi e arrinë kënaqësinë ndaj All-llahut [subhanehu ve teala].

Këtë e vërteton ajeti Kur’anor:

“O ti shpirt i bindur plotësisht! Kthehu te Zoti yt i vetëkënaqur e i pranuar! Hyn në turmën e robërve të Mi! Dhe hyn në Xhennetin Tim!”. [El-Fexhr, 27-30]…]

Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.

“O ju që keni besuar, keni frikë All-llahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!”

[Ali Imran, 102]

“O ju njerëz! Keni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe keni frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se All-llahu është Mbikqyrës mbi ju.”

[En-Nisa, 1]

“O ju besimtarë, keni frikë All-llahun dhe thuani fjalë të drejta. Ai (All-llahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja,e kush respekton All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh.”

[El-Ahzab, 70-71]

Thënia më e vërtetë është thënia e All-llahut, kurse udhëzimi më i mirë – udhëzimi i Muhammedit sal-lall-llahu ‘alejhi ve sel-lem. Veprat më të këqia janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bid’at dhe çdo bid’at është lajthitje, e çdo lajthitje çon në zjarr…

Dijetarët janë të pajtimit se kjo vepër është e pëlqyeshme, kurse disa kanë thënë se është obligim. Sidoqoftë Shejhul-Islam Ibn Tejmije [rahimehull-llah] anon nga mendimi se kjo vepër është mustehab. Këtë ai e argumenton me faktin se All-llahu ka urdhëruar të bëjmë sabër, kurse sa i përket kënaqjes me All-llahun, në këtë rast është përmendur vetëm lavdërimi i këtyre njerëzve.

Ibn Kajjimi [rahimehull-llah] thotë:

” Për shkak se është i rrallë, është i vështirë dhe se shumica e njerëzve nuk mund të arrijnë këtë shkallë, All-llahu [subhanehu ve teala] nuk ua bëri obligim në shenjë mëshire dhe lehtësimi, mirepo i nxiti në këtë vepër, i lavdëroi bartësit e kësa pozite dhe tregoi se shpërblim për këtë vepër është fitimi i Kënaqësisë së All-llahut që është shpërblimi më i madh… Për këtë ridaja- kënaqësia është dera më e madhe e All-llahut, xhenneti i dunjasë, pushimoreja e njohësve, jeta e të dashuruarve, dhunti e ibadetçive dhe kënaqësi e të mallëngjuarve.”

Definicioni i Ridasë – Kënaqësisë

Dijetarët kanë dhënë definicione të ndryshme, ne në vazhdim do t’i përmendim disa prej tyre:

– Rida- kënaqësi është: mostrishtim në çdo gjykim, pa marë para sysh se çfarë është ai gjykim.

– Rida – kënaqësi është: të ngritet mundësia për zgjedhje.

– Pranimi i vendimeve me gëzim.

– Qetësimi i zemrës nën ndodhinë e vendimeve

– Xhunejdi thotë: rida- kënaqësi është: dituria e shëndosh që arrinë deri në zemër, e kur të depërton në zemër dituria e shëndosh, kjo gjë shkakton ridanë- kënaqësinë.

– I kanë thënë Jahja ibn Muadhit [rahimehull-llah]: kur arrinë besimtari pozitën e ridasë- kënaqësisë? Nëse mbështetet në sjelljen e tij ndaj All-llahut në katër baza: nëse i jep, e pranon, nëse nuk i jep është i kënaqur me këtë gjë, nëse e le, e adhuron dhe nëse e thërret, i përgjigjet.

Llojet e ridasë- kënaqësisë

Ibn Kajjimi [rahimehull-llah] thotë: ” Kënaqësia është tre llojesh:

1- Kënaqësia e masës së thjeshtë me atë që ua ka ndarë dhe ua ka dhënë All-llahu.

2- Kënaqësia e një pjese të veçantë të njerëzve me caktimin e All-llahut.

3- Kënaqësia e pjesës më të veçantë (elitës), e cila vetëm me Te kënaqet.

Njeriu e arrijnë kënaqësinë me qetësi, ai që e stërvitë vetveten në qetësi e arrinë kënaqësinë ndaj All-llahut [subhanehu ve teala]. Këtë e vërteton ajeti Kur’anor:

“O ti shpirt i bindur plotësisht! Kthehu te Zoti yt i vetëkënaqur e i pranuar! Hyn në turmën e robërve të Mi! Dhe hyn në Xhennetin Tim!”.

[El-Fexhr, 27-30]

Disa dijetarë kanë thënë se kjo u thuhet kur të vdesin, të tjerët kanë thënë se kjo thënje u thuhet në ahiret, kurse grupi i tretë kanë thënë: thënja e parë (Kthehu te Zoti yt i vetëkënaqur e i pranuar!) u thuhet kur të vdesin, kurse e dyta (Hyn në turmën e robërve të Mi! Dhe hyn në Xhennetin Tim!) në ahiret. Mirëpo mednimi më i saktë është se kjo thënje u thuhet edhe në dunja edhe në ahiret, fillon me ndarjen nga kjo botë dhe përfundon ditën e Kijametit.

Ajetet dhe hadithet që flasin rreth kësaj teme

1- “E sikur të kënaqeshin me atë që ua dha All-llahu dhe i dërguari i Tij, e të thonin: “Ne na mjafton All-llahu, All-llahu do të na furnizojë nga të mirat e Tij, e edhe i dërguari i Tij, dhe se vetëm te All-llahu e mbështesim dëshirën (do të ishte shumë më mirë për ta)”.

[Et-Teube, 59]

2- “Shpërblimi për ta te Zoti i tyre janë: vendet ne Xhennete nëpër të cilët burojnë lumenj, e aty janë përgjithmonë, pakëputur. All-llahu është i kënaqur ndaj tyre, e edhe ata të kënaqur prej Tij. E ky është për atë, që i ka pasur dronë Zotit të vet”.

[El-Bejjine, 8]

Ibn Kethiri [rahimehull-llah] thotë: “posti i kënaqësisë është post më i madh sesa hyrja në xhennet”.

3- “Atë ditë sheh fytyra të ndritshme. Të kënaqura për veprimet e veta. Në Xhennet të shkallës së lartë,..”.

[El-Gashije, 9]

4- “E Zoti yt do të jepë ty, e ti do të kënaqesh”.

[Ed-Duha, 5]

Kurse prej haditheve që flasin mbi këtë temë janë këto:

1- Transmeton Abbas ibn Abdul-Mutalibi [radijall-llahu anhu] dhe thotë: kam dëgjuar Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] duke thënë: “Ka shijuar kënaqësinë e imanit ai që është i kënaqur me All-llahun Zot, Islamin fe dhe me Muhammedin Pejgamber”.

[transmeton Muslimi]

2- Transmeton S’ad ibn Ebi Vekkasi [radijall-llahu anhu] nga Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] se ka thënë: “Kush thotë kur të dëgjon ezanin: Dëshmos se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut, I cili është Një dhe se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij; jam i kënaqur me All-llahun për Zot timin, me Muhammedin për Pejgamber timin dhe me Islmain për fe timen, (Eshhedu en la ilahe il-lall-llahu vahdehu la sherike lehu ve en-ne muhammeden abduhu ve resuluhu; redijtu bil-lahi rabben ve bimuhammedin resulen ve bil-islami dinen), i falën mëkatet”.

[Transmeton Muslimi]

Ibn Kajjimi [rahimehull-llah] thotë: “Në këto dy hadithe ngriten të gjitha pozitat e fesë, sepse përmbledhin kënaqësinë me All-llahun, në aspekt të rububijetit dhe uluhijetit, kënaqësinë me Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], duke iu nënshtruar, dorëzuar dhe duke qenë i kënaqur me fenë e tij. Kush i përmbledhë këto katër gjëra, ai me të vërtetë është siddik. Këto gjëra janë të lehta në pretendim, mirëpo më të rëndat në realizim.

Të jemi të kënaqur me hyjnitetin (uluhijetin) e All-llahut dmth: të jemi të kënaqur që vetëm Ate ta duam, vetëm Atij t’i frikohemi, vetëm Ate ta shpresojmë, vetëm Atij ibadet ti bëjmë dhe vetëm te Ai të pendohemi, thënë shkurt të gjitha forcat e vullnetit dhe dashurisë të ikin nga Ai.

Të jemi të kënaqur me rububijetin e All-llahut dmth: të jemi të kënaur me caktimet e Tija për ne, vetëm Atij t’i mbështetemi, vetëm prej Tij të kërkojmë ndihmë dhe të jetë i kënaqur me Te pa marë para sysh se çka bën me te.

E para ka të bëjë me kënaqësinë ndaj urdhërave të Tij, kurse e dyta me kënaqësinë ndaj caktimeve të Tija.

Të jesh i kënaqer me Muhammedin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] si Pejgamber të All-llahut dmth: nënshtrim dhe dorëzim total, deri në atë shkallë saqë të jetë ai më proritar se vetvetja. Udhëzimin ta mer vetëm nga ai, vetëm ate ta arbitron dhe vetëm me gjykimin e tij të jetë i kënaqur.

Të jesh i kënaqur me fenë e All-llahut dmth: të jeshë i kënaqur plotësisht me atë që thotë, që urdhëron, që gjykon dhe që ndalon feja. Nuk i mbetet në zemrën e tij keqardhje për gjykimin e saj dhe i dorëzohet vendimeve të saja tërësisht.

Kjo etapë të shkakton vetmi, jabanxhillëk, mirëpo ti mos u dorëzo, sepse aq sa ma tepër e ndien jabanxhillëkun, aq ma tepër e shijon ëmbëlsinë e imanit dhe të kënaqet shpirti. Me shtimin e këtyre ndjenjave arrinë të kuptosh se largimi prej njerëzve është shoqërimi më i mirë me ta, modestia ndaj tyre, krenaria me e madhe, kurse injorancë është veprimi sipas mendimeve të tyre dhe mbeturinave të mendjeve të tyre. Nuk ia jep askujt prej krijesave fatin e tij prej All-llahut dhe nuk e shetë këtë shansë me gjëra që i sjellin vetëm privim, gjë të cilën e bënë, vetëm për të qenë i dashur mes tyre në këtë botë. Mirëpo kur të ndodh e vërteta, kur të dalin krijesat nga varret, kur të shfaqet ajo që ka qenë e fshehur në gjokse, shpalohen sekretet, atëherë kur ska përkrahje as ndihmë prej askujt përveç All-llahut, atëherë do të kupton se ku është fitimi e ku është humbja, çka ia lehtëson peshojën dhe çka ia rëndon”.

Shkallët e ridasë- kënaqësisë

Shkalla më e lartë është:

1- Të jesh i kënaqur me All-llahun për Zot tëndin dhe urrejtja e adhurimeve drejtuar qenjeve tjera përveç Tij. Kjo është strumbullari kryesor i Islamit.

Çka dmth kjo? Mos të konsideron askend përveç All-llahut Zot të vetin, që pushon në caktimin e Tij dhe I cili ia përmbush nevojat e tij. All-llahu thotë:

“Thuaj: ” A të kërkojë Zot pos All-llahut, e Ai është Zot i çdo sendi (ekzistues)…”.

[El-En’am, 164]

Kurse në fillim të sures thotë:

“Thuaj: “A pos All-llahut, krijues i qiejve dhe i tokës, që ushqen të tjerët, ndërsa vetë nuk ushqehet, të pranoj Mik- Përkrahës (Zot) tjetër?”.

[El-En’am, 14]

“(Thuaj) A pos All-llahut të kërkoj unë gjykatës (mes meje dhe juve)? Kur Ai është që zbriti librin në mënyrë të shkoqitur?”.

[El-En’am, 114]

Nëse ndalesh dhe i analizon këto tre ajete do të shohish se nxjerin në pah kënaqësinë ndaj All-llahut, ndaj Muhammedit dhe ndaj islamit, kurse hadithi sikurse të jetë i nxjerur prej këtyre ajeteve ose të jetë koment i këtyre ajeteve.

Shumë njerëz janë të kënaqur me All-llahun për Zot të tyrin, mirëpo nuk janë të kënaqur që ta kenë vetëm Ate, Mik dhe Përkrahës, por konsiderojnë edhe qenije tjera përveç Tij miq duke menduar se ata i afrojnë te All-llahu dhe se miqësimi i tyre i ngjan miqësimit të njerëzve të afërt të mbretit, kurse kjo është kulmi i shikrut.

Disa tjerë konsiderojnë qenije tjera gjykatës përveç All-llahut, i arbitërojnë dhe me vendimet e tyre kënaqen. Edhe kjo është shirk.

Andaj këto tre pozita janë shtyllat e tevhidit: mos të konsideron zot tjetër përveç All-llahut, mos të konsideron mik tjetër përveç All-llahut dhe mos të konsideron gjykatës tjetër përveç All-llahut.

2- Të jesh i kënaqur nga All-llahu, dmth të kënaqesh me çdo gjë që vjen prej All-llahut. Kjo është shkallë e dytë sepse shkalla e parë është e veçantë për besimtarët, kurse kjo është e përbashkët për të gjitha krijesat, qofshin besimtarë ose mosbesimtarë. Nga ana tjetër, të kënaqurit me All-llahun për Zot është obligim, bile prej obligimeve më të forta, tek e fundit ska islam pa këtë pikë, kurse të kënaqurit me caktimin e All-llahut është e pëlqyshme, nuk është obligim.

Frytet e këndshme të ridasë- kënaqësisë

Kënaqësia jep fryte të shumta dhe të bolshme, me të cilat ky besimtar arrinë shkallët më të larta.

1- Adhurimi i plotë, siç është në sabër, në tevek-kul, në rida, mposhtje etj, nuk mund të ndodh nëse këtij besimtari nuk i ndodhin gjëra që s’i pëlqen dhe të jetë i kënaqur me këto gjëra.

2- Kënaqësia e robit ndaj All-llahut në çdo rast shkakton që All-llahu të jetë i kënaqur me te. Nëse njeriu kënaqet me pak rizk, All-llahu kënaqet me pak vepra të tija, etj.

3- Hidhërimi shkakton brenga, mërzi, dëshprim, ndarje të zemrës, mendim të keq për All-llahun, etj, kurse kënaqësia e shpëton nga gjith kjo dhe ia hap një derë të xhennetit të dunjasë para se me hy në xhennet të ahiretit.

4- Kënaqësia e besimtarit ndaj All-llahut e shpëton besimtarin nga kundërshtimi i vendimeve dhe caktimeve të All-llahut [subhanehu ve teala]. Kundërshtimi i parë i Iblisit kundër All-llahut ndodhi nga shkaku se nuk ishte i kënaqur me caktimet e Tija.

5- Vendimi i All-llahut do të realizohet në robin e tij, kurse gjykimi i Tij ndaj robit ë Tij është i drejtë, kurse ai që nuk kënaqet me dejtësi, atëherë është zullumqarë.

6- Moskënaqja ndodh ose nga shkaku i kalimit të gjëravë që i dëshiron ose me goditjen e gjërave që i urren, mirëpo nëse e di se ajo që e ka kapluar nuk ka mundur ta gabon dhe se ajo që e ka gabuar nuk ka mundur ta kaplon, atëherë e kupton se s’ka dobi në hidhërimin e tij.

7- Kënaqësia i hap derën e shëndetit, i bëhet zemra e shëndosh, e pastërt nga mashtrimi, urrejtja dhe zilia, kurse te All-llahu do të shpëton ai që vjen me zemër të shëndoshë.

8- Hidhërimi i hap derën e dyshimit në All-llahun [subhanehu ve teala], në caktimin, vendimin dhe diturinë e Tij. ?shtë vështirë të shpëton njeriu që është hidhëruar në All-llahun nga këto gjëra, sepse bindja dhe kënaqësia janë dy bineq të pandarë, ashtu sikurse dyshimi dhe hidhërimi janë dy bineq të pandarë.

9- Ai që e mbush zemrën e tij me kënaqësi ndaj kaderit të All-llahut, All-llahu ia mbush zemrën me pasuri, siguri dhe maturi, zemrën e tij e angazhon vetëm për ta dashur All-llahun, vetëm për t’iu penduar Atij dhe vetëm për të mbështetur në Te. Kënaqësia e zbraz zemrën për All-llahun, kurse hidhërimi e zbraz zemrën nga All-llahu.

10- Kënaqësia jep frytin e falënderimit që është prej pozitave më të larta të imanit, bile është hakikati i imanit, kurse hidhërimi shkakton të kundërtën e kësaj, shkakotn përbuzjen e dhuntive.

11- Shejtani zakonisht e sundon njeriun kur është i hidhëruar dhe kur është përplot me epshe. Në kësi rasti e gjuan. Sidomos kur hidhërimi e sundon, atëherë flet dhe vepron gjëra të cilat e hidhërojnë All-llahun. Andaj Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kur i vdiq djali i tij, Ibrahimi, tha: “syri loton, zemra mërzitet, mirëpo nuk themi gjëra që e hidhërojnë All-llahun”.

12- Kënaqësia e nxjer epshin nga zemra, sepse ai që është i kënaur me All-llahun, epshi i tij pason vullnetin e Atij që e do. ?shtë e pamundur të bashkohen kënaqësia dhe pasimi i peshit në zemër të ndonjë besimtarit.

13- Ai që është i kënqaur me All-llahun, ngritet nga zgjedhja personale, i le All-llahut të zgjedh për te. Kjo ndodh nga shkaku i forcës së njohjes së All-llahut dhe njohjes së vetvetes.

Një ditë ishin mbledhur Vehib ibn Verdi, Sufjan Theuriu dhe Jusuf ibn Esbati. Theuriu tha: deri sot e urreja vdekjen të më vjen befas, mirëpo sot dëshiroja të jem i vdekur. Jusuf ibn Esbati i tha: pse? Tha: frikem prej sprovave. Jusufi tha: mirëpo unë nuk e urrej jetën e gjatë. Theuria e pyeti: pse e urren vdekjen? Tha: ndoshta jetoj në ditën kur pendohem dhe bëj punë të mira. Pastaj iu drejtuan Vehibit dhe i thanë: çka thua ti? Tha: unë nuk zgjedhi asgjë, ajo që është më e dashur te All-llahu, është më e dashura te unë. E puthi Theuriu mes dy syve dhe tha: pasha Zotin e Kabes, inspirim nga shpirti.

14- Kënaqësia e All-llahut nga robi është më e madhe se xhenneti dhe çka në te, sepse kënaqësia është cilësi e All-llahut, kurse xhenneti krijesë e Tij.

All-llahu thotë:

“Besimtarëve dhe besimtareve All-llahu u premtoi xhennete nën të cilët rrjedhin lumenj, në të to do të jenë përgjithmonë, dhe (u premtoi) vendbanime të bukura në xhennetin e Adnit, edhe një disponim nga All-llahu që është mbi të gjitha. Ky, pra është ai shpëtimi i madh”.

[Et-Teube, 72]

15- Kur besimtari të kënaqet me All-llahun dhe nga All-llahu në çdo rast nuk i zgjedh çeshtjet, i mjafton kënaqësia e tij ndaj asaj që ia ka ndarë dhe caktuar All-llahu. Ai në vend se të kërkon prej Tij, ai e përmend Ate, ose nëse kërkon diç prej Tij kërkon ndihmë në përmendje të Tij dhe arritje të kënaqësisë së Tij. All-llahu [subhanehu ve teala] thotë në hadith kudsi: “atë që e angazhon përmendja Ime nga kërkimi prej Meje, i jap ma mirë sesa i jap atyreve që kërkojnë”.

16- Kënaqësia shkakton gëzimin e zemrës në çdo gjë, qetësimin e shpirtit në çdo gjendje, rehatinë e zemrës në çdo trishtim të kësaj bote, është i lumtur me përkujdesin e Zotit ndaj tij, i dorëzohet Mikut të vet në çdo gjë dhe është i kënaqur me çdo gjë që ia sjell All-llahu [subhanehu ve teala].

17- Kënaqësia ndaj caktimit të All-llahut e shpëton besimtarin nga kënaqja e njerëzve duke e hidhëruar All-llahun [subhanehu ve teala].

18- Kënaqësia i zvogëlon brengat dhe mërzitë e robit dhe i përkushtohet adhurimit ndaj All-llahut.

19- Veprat e trupit shumfishohen me masë të caktuar, kurse veprat e zemrës shumëfishohen pakufi, sepse veprat trupore të njeriut janë të kufizuara, kurse veprat e zemrës kurë nuk ndalen.

Këto ishin disa fryte që i shkakton kënaqësia ndaj All-llahut. E lusim All-llahun të na bëjë prej atyreve që kënaqen me Te dhe All-llahu të jetë i Kënaqur prej neve. Amin.

Bekir Halimi.

www.shkollaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit