Ministria Jashtme e Kazakistanit njoftoi të enjten se bisedimet e paqes për Sirinë, nën drejtimin e Turqisë, Rusisë dhe Iranit, parashikuar për më 12-13 qershor në kryeqytetin Astanë, janë shtyrë në një datë të pacaktuar…
Ministria Jashtme e Kazakistanit njoftoi të enjten se bisedimet e paqes për Sirinë, nën drejtimin e Turqisë, Rusisë dhe Iranit, parashikuar për më 12-13 qershor në kryeqytetin Astanë, janë shtyrë në një datë të pacaktuar.
I pyetur gjatë konferencës ditore për shtyp nëse do të shtyhej apo jo raundi i 5-të i bisedimeve për Sirinë, planifikuar të mbahej më 12-13 qershor në Astanë, zëdhënësi i Ministrisë kazake të Punëve të Jashtme, Enver Xhajnakov (Anwar Jainakov), pohoi se takimi është shtyrë dhe se vendet garantuese do të informojnë Kazakistanin për datat, nivelin e negociatave, pjesëmarrësit dhe agjendën e bisedimeve, të vendosura me konsensus.
“Sipas informacioneve të dhëna nga vendet garantuese të procesit të paqes në Astana, përfaqësuesit e Rusisë, Turqisë dhe Iranit do të vazhdojnë në ditët dhe javët e ardhshme takimet e punës në kryeqytetet respektive, në nivel ekspertësh”, theksoi Xhajnakov.
Këto bisedime parashikojnë veçanërisht harmonizimin e çështjeve lidhur me krijimin e zonave pa luftime dhe forcimin e armëpushimit në Siri.
Raundi i 5-të i negociatave të Astanës për Sirinë ishte njoftuar në fillim të qershorit nga një zyrtar i Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme.