22.7 C
Pristina
Saturday, June 29, 2024

Katër skenarët e zgjedhjeve të parakohshme në Francë

Më të lexuarat

Nëse fiton e djathta ekstreme, priten telashe për vendin por edhe BE-në

Nga Rama Yade, Atlantic Council

Pas vendimit të papritur të presidentit Emanuel Makron për të thirrur zgjedhjet e parakohshme në vazhdën e humbjes historike të partisë së tij në zgjedhjet evropiane të 9 qershorit, Franca është zhytur në një nga krizat politike më serioze që nga themelimi i Republikës së Pestë.

Në një fushatë të shkurtër vetëm 20-ditore – periudha më e shkurtër e lejuar nga kushtetuta franceze – kandidatët po konkurrojnë në 577 zona zgjedhore në dy raunde zgjedhjesh që do të mbahen më 30 qershor dhe 7 korrik. Peizazhi politik dominohet nga partia e ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar, e cila doli e para në zgjedhjet për Parlamentit Evropian me 31.4 për qind të votave.

Kjo parti kundër migracionit, euro-skeptike dhe ekstremiste, e bashkë-themeluar në vitin 1972 nga një ish-anëtar i njësisë famëkeqe naziste Waffen SS, ishte forca kryesore politike në 93 për qind të qyteteve franceze. Tani perspektiva në mendjen e të gjithëve është “bashkëjetesa”, me një president dhe kryeministër nga parti kundërshtare, dhe një parti të ekstremit të djathtë ose të majtë në krye të qeverisë franceze. Por bashkëjetesa, është vetëm një nga disa rezultate të mundshme. Ja cilat janë 4 skenarët e mundshëm, bazuar në përvojën time në politikën franceze:

Një shumicë e të djathtës ekstreme

Në këtë skenar, kreu 28-vjeçar i Tubimit Kombëtar, Zhordan Bardela, ka të ngjarë të bëhet kryeministër në një bashkëjetesë historike me Makron, i cili do të mbetej president. Ky rezultat është i mundshëm për shkak të kombinimit të katër elementëve. Së pari, sondazhet tregojnë se e djathta ekstreme mund të marrë 33-35 për qind të votave, duke fituar 235-265 vende në parlamentin e ri, ose tre herë më shumë se aktualisht.

Së dyti, vota për Tubimin Kombëtar nuk konsiderohet më si një veprim i turpshëm, dhe partia nuk përfaqën interesat e një grupimi të ngushtë. Gjithnjë e më shumë pensionistët por edhe ata me të ardhura të larta, që tradicionalisht nuk kanë votuar për të djathtën ekstreme, po i bashkohen Tubimit Kombëtar.

Së treti, shumë francezë besojnë se djathta ekstreme do të ketë aftësinë të qeverisë më mirë se partitë tradicionale. Së katërti, e djathta ekstreme po gjen tashmë mbështetje edhe midis partive tradicionale, siç tregohet nga mbështetja e papritur e Erik Sioti, kreu i partisë konservatore tradicionale, Republikanët. Këto 2 parti do të garojnë me 62 kandidatë  të përbashkët.

Është e qartë se një shumicë parlamentare e Tubimit Kombëtar, do të vinte në pikëpyetje angazhimet financiare afatgjata të Francës ndaj Ukrainës, dhe nuk do t’i jepte përparësi frenimit të aktiviteteve dezinformuese të Rusisë. Marrëdhënia midis Tubimit Kombëtar dhe Rusisë së presidentit Vladimir Putin, ku Marine Lë Pen gjeti mbështetje financiare për fushatat e saj politike, ka qenë në qendër të shumë polemikave.

Një shumicë e të majtës së bashkuar

Në këtë skenar, e majta mund të bashkohet rreth Frontit të Ri Popullor , që përbëhet nga Franca e Pamposhtur, Partia Komuniste, Partia Socialiste, Ekologët dhe Partia e Re Antikapitaliste. Matematikisht, shanset e së majtës për të udhëhequr vendin janë rritur, dhe sondazhet sugjerojnë se mund të marrë 25-32 për qind të votave.

Por meqë politika nuk është gjithnjë çështje numrash, mbetet e paqartë nëse e majta do ta shndërrojë në sukses elektoral këtë fillim premtues. Kjo do të varet nga aftësia e këtyre partive për të qëndruar të bashkuara në mesin e presioneve të brendshme (me aleatët në të majtë që hezitojnë të mbështesin të majtën ekstreme të Zhan-Lyk Melensho në përpjekjen e tij për t’u bërë kryeministër) dhe presionet e jashtme (Franca e Pamposhtur përballet me akuza për antisemitizëm në kontekstin e luftës në Gaza).

Megjithatë, nëse Melensho do të drejtojë qeverinë franceze, Fronti i Ri Popullor thotë se do të “mbrojë Ukrainën dhe paqen në kontinentin evropian nëpërmjet dërgimit të armëve të nevojshme”. Po ashtu mbështet “lirimin e pengjeve izraelitë të mbajtur nga Hamasi dhe të burgosurve politikë palestinezë”.

Përveç kësaj, partitë e krahut të majtë i bëjnë thirrje qeverisë franceze “të njohë menjëherë shtetin e Palestinës së bashku me shtetin e Izraelit” dhe të “distancohet nga mbështetja për qeverinë e ekstremit të djathtë” të kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu.

Fronti i ri Popullor synon të “imponojë një armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe të zbatojë urdhër-arrestet e Gjykatës Ndërkombëtare e Drejtësisë për krimet lufte dhe gjenocidin”. Në nivelin e BE-së, Fronti i Ri Popullor po bën thirrje t‘i jepet “fund marrëveshjeve të tregtisë së lirë” dhe për një “reformë të politikës së përbashkët bujqësore të BE-së”.

Po ashtu propozon “taksimin e më të pasurve në nivel evropian”. Një qeveri e bashkëjetesës me Makron president, do të ishte e qëndrueshme vetëm nëse partneri i saj fiton një shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare.

Mungesë e një shumice qeverisëse

Sipas sondazheve të fundit, është e mundur që pas raundit të dytë më 7 korrik, të mos dalë asnjë shumicë e qartë. Në një skenar të tillë, Makron nuk do të mund të thërrasë udhëheqësin e asnjë partie fituese në Matinjo, rezidencën e kryeministrit. Në këtë rast do të ishim në skenarin e një ngërçi politik dhe institucional total, të ngjashëm me atë në Belgjikë.

Një krizë politike do të kthehej shumë shpejt në një krizë të sistemit. Në këtë rast, numri i opsioneve është i kufizuar. Së pari, Makron mund të emërojë një figurë të jashtme e të respektuar duke i kërkuar të ndërtojë një koalicion. Ndërkohë kryeministri aktual, Gabriel Atal, ka të ngjarë të mbetet në pushtet për të menaxhuar punët derisa të formohet një shumicë.

Por ai nuk do të jetë në gjendje të miratojë asnjë ligj. Duke qenë se politika e jashtme franceze dominohet nga vendimet e presidentit, Makron mund të vazhdojë të veprojë ashtu siç ka bërë në skenën botërore. Por pa një shumicë në Asamblenë Kombëtare dhe pamundësinë kushtetuese për ta shpërndarë atë përpara vitit të ardhshëm, presidenti do të jetë aq i dobët politikisht, saqë legjitimiteti i tij do të vihet në dyshim çdo ditë nga kolegët e tij në Bruksel dhe gjetkë. Kjo situatë nuk mund të zgjasë gjatë.

Ndaj Makron mund të ketë zgjidhje tjetër veçse të japë dorëheqjen, siç e ka vënë në dukje kohët e fundit Marine Lë Pen apo edhe Pier Mazo, ish-president i Këshillit Kushtetues. Sipas kushtetutës franceze, presidenti i Senatit do të ishte presidenti në detyrë, dhe zgjedhjet presidenciale duhet të organizohen midis 20-35 pas dorëheqjes.

Një fitore për partinë e Makron

Edhe pse askush – madje as mbështetësit e tij – nuk e përmendin këtë mundësi, Makron, arkitekti i kaosit aktual, shpreson të arrijë një fitore të drejtpërdrejtë. Në këtë fushatë të shkurtër elektorale, ai synon të gjejë aleatë tek parti të tjera politike që e refuzojnë të majtën ekstreme dhe të ashtuquajturin “ pakt me djallin” midis kreut të konservatorëve dhe Tubimit Kombëtar.

Makron shpreson që sistemi i votimit me dy raunde, të sigurojë një “sqarim” nga votuesit francezë për fitoren e Tubimit Kombëtar në zgjedhjet e Parlamentit Evropian. Një fitore vendimtare për Makron, mund ta nxjerrë si një “lajthitje” momentale të publikut fitoren e Tubimit Kombëtar në fillim të këtij muaji.

Edhe pse nuk është e qartë se përse francezët do të votonin ndryshe brenda 20 ditësh, një fitore e Makron, do të tregonte se ai ishte në gjendje të kompensonte diferencën falë një fushate tepër efikase. Për BE-në, një rezultat i tillë do të nënkuptonte një rikthim tek veprimtaria normale normal me një homolog francez të plotfuqishëm, i cili i ka mbijetuar një sprove të madhe dhe është shfaqur më i fortë (me një kabinet qeveritar të riorganizuar).

Shënim: Rama Yade, ish/zëvendësministre e Jashtme e Francës në kohën e presidentit francez Nikolas Sarkozi (2007-2012).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit