1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

KATËR IMAMËT DHE ADHURIMI I TYRE – Nga JUSTINIAN TOPULLI

Më të lexuarat

Para se të flasim diçka për secilin prej tyre, na duhet të theksojmë se një nga arsyet kryesore të sukseseve të përhapjes së shkollave islame juridike, që ata themeluan me dijen e tyre, nuk ishte vetëm dija e gjerë dhe të kuptuarit e tyre të fesë, por edhe sinqeriteti dhe marrëdhënia personale, që këta imamë kishin me Zotin e tyre.


Është e vështirë që në pak rreshta, që të ofron faqja e një reviste të përshkruash jetën dhe veprimtarinë e katër prej kolosëve të dijes islame, siç ishin katër imamët e shkollave juridike islame, duke nisur me imam Ebu Hanifen e duke përfunduar me imam Ahmed ibën Hanbelin. Në fakt ajo që duam të cekim në këto rreshta është vetëm diçka nga adhurimi i këtyre njerëzve dhe përkushtimi që ata kishin ndaj Allahut. Para se të flasim diçka për secilin prej tyre, na duhet të theksojmë se një nga arsyet kryesore të sukseseve të përhapjes së shkollave islame juridike, që ata themeluan me dijen e tyre, nuk ishte vetëm dija e gjerë dhe të kuptuarit e tyre të fesë, por edhe sinqeriteti dhe marrëdhënia personale, që këta imamë kishin me Zotin e tyre. Këta njerëz nuk ishin imamë vetëm në çështje të dijes, por ishin imamë edhe në praktikimin e kesaj dije. Ata ishin shembull në jetën e tyre, dhe pikërisht për këtë arsye ata gjetën pranim në zemrat e njerëzve dhe gjejnë edhe sot e kësaj dite, pas kaq e kaq shekujsh, sepse njerëzit që fitojnë kënaqësinë e Allahut fitojnë më pas edhe kënaqësinë e njerëzve.



Imam Ebu Hanife

Ebu Hanife, imami i fikhut islam, lindi në Kufe të Irakut në vitin 80 h, dhe ndërroi jetë në Bagdad në 150 h. (699-767 e.s). Imam Ebu Hanife edhe pse merrej me tregtinë e mëndafshit, merrej me kërkimin e dijes, gjithashtu gjente kohë të adhuronte Zotin e tij dhe t’i përkushtohej Atij. Ai ishte nga njerëzit e rrallë që namazin e sabahut për gati dyzet vjet e fali me abdesin e namazit të jacisë, çka tregon qartë se nata për të nuk ishte kohë pushimi, gjumi dhe rehatie, por kohë adhurimi dhe përgjërimi para Allahut të Madhëruar. Nuk ishin të pakta rastet kur ky imam e niste dhe e mbyllte këndimin e Kuranit në një rekat të vetëm brenda natës.
Shpesh imamin e quanin “shtyllë”, për shkak të qëndrimit tepër të gjatë në këmbë gjatë faljes. Kjo ishte sjellja e tij gjatë gjithë vitit, ndërsa në muajin e Ramazanit ai ishte njeriu i Kuranit. Edhe pse duket e habitshme, por nuk është fare çudi kur lexojmë se Ebu Hanife në Ramazan i bënte gjashtëdhjetë herë hatme Kuranit, pra dy herë në ditë. Për njeri si ai që e këndonte tërë Kuranin në një rekat të vetëm nuk është e vështirë ta këndojë atë të tërin, dy herë në ditë, e në veçanti në këtë muaj të bekuar.



Imam Malik

Malik ibën Enes, imami i Darul Hixhres, lindi në Medinën e Profetit në vitin 93 h. dhe ndërroi jetë po aty në 193 h. (712 -795 e.s). Imam Maliku i ishte përkushtuar dijes dhe padyshim që kërkimi dhe përhapja e diturisë është nga adhurimet më të mira, që njeriu mund të bëjë pas kryerjes së detyrimeve fetare. Abdullah el-Umeriu e këshillonte imam Malikun, që të largohej nga njerëzit dhe t’i përkushtohej adhurimit, dhe imami iu përgjigj: “Allahu i ka ndarë veprat ashtu siç ka ndarë riskun. Ndoshta dikujt i jepet më shumë për namaz sesa për agjërim, e dikujt tjetër i jepet më shumë për xhihad dhe jo për namaz. Përhapja e dijes dhe mësimi i saj është nga veprat më të mira dhe unë jam i kënaqur për këtë që më ka dhënë Allahu. Nuk mendoj se unë jam më poshtë asaj që je ti, shpresoj që secili prej nesh të jetë në rrugë të mbarë dhe të mirë. Secili prej nesh e ka për detyrë të kënaqet me atë që Allahu ka caktuar për të.” E megjithatë pavarësisht kësaj, thuhet se imam Maliku kur vinte Ramazani e mbyllte librin e tij të hadithit dhe i përkushtohej Kuranit.



Imam Shafiu

Muhamed ibën Idris esh-Shafiu lindi në Palestinë në vitin 150 h. dhe ndërroi jetë në Egjipt në 204 h. (767-820 e.s). Imam Shafiu ishte një nga njerëzit më të shquar të kohës dhe nga njerëzit e rrallë, që në mënyrë të suksesshme ditën të përputhin në mes arsyetimit njerëzor dhe shpalljes hyjnore. Shafiu ishte njeri dorëlëshuar dhe sa herë që atij i dhurohej ndonjë shumë në të holla rrallë bënte vaki që t’i mbetej diçka për familjen dhe veten e tij, sepse gati çdo gjë e shpërndante si sadaka dhe dhuratë mes njerëzve nevojtarë. Imam Shafiu e ndante natën në tre pjesë, në një pjesë të saj ai falej, një pjesë ia kushtonte dijes dhe pjesën tjetër gjumit. Duket se me këtë veprim ai i ngjante Ebu Hurejrës, i cili vepronte në të njëjtën mënyrë dhe padyshim që një veprim i tillë është edhe më pranë Sunetit të Profetit. Imami hante pak dhe thoshte se ushqimi i tepërt e rëndon trupin, e ngurtëson zemrën, e largon zgjuarsinë, tërheq gjumin dhe të dobëson në adhurim. Por edhe ky imam ashtu si Ebu Hanife, kur vinte Ramazani e këndonte Kuranin gjashtëdhjetë herë brenda këtij muaji dhe këtë veprim e bënte duke u falur.



Imam Ahmed ibn Hanbeli

Ahmed ibën Hanbeli lindi në Bagdad në vitin 164 h. dhe ndërroi jetë po aty në 241 h. (781-856 e.s). Imam Ahmedi, ose ndryshe i quajtur edhe si Imami i sunetit, krahas dijes dhe përkushtimit të tij në mbledhjen dhe ruajtjen e hadithit të Pofetit, ishte një njeri i përkushtuar ndaj adhurimit të Allahut, një asket që shpesh refuzonte dhuratat në të holla nga njerëzit, edhe pse për të mbajtur veten dhe familjen e tij shpesh hynte në borxhe. I biri i tij Abdullahi tregon se imam Ahmedi e kishte kryer haxhin dy ose tri herë duke vajtur në këmbë dhe veç kësaj ai falte gjatë natës dhe ditës treqind rekate, kjo sa ai ishte mirë me shëndet, por edhe pas sproves dhe vuajtjeve që kaloi në burg ai nuk e la namazin, por për shkak të dobësisë që e kaploi falte gjysmën e treqindëshes që falte para se të burgosej.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit