9.2 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Karrigia e rezervuar

Më të lexuarat

 

Hutbeja e ditës së xhuma ishte e veçantë në veçantinë e saj.

Shumë njerëz kanë specifika të adhurimit që lënë gjurmë në kujtesën e besimtarëve, në zemrën e tyre.

Temë e kësaj të xhumaje ishte një besimtar, Qamil Pemaj, i cili prej vitesh udhëtonte nga një qytet në tjetrin, nga Durrësi në Tiranë, për t’u gjendur në një xhami modeste në hyrje të kryeqytetit.

Jo vetëm vinte, por ishte i pari që hynte në xhami ndër besimtarët, edhe pse shumë prej tyre jetonin pranë saj.

Me qetësinë e tij, pa shqetësuar njeri, zinte vend në një nga karriget në fund të xhamisë të lëna për të moshuarit, dëgjonte hutben, falte namazin,  dhe me të mbaruar niste rrugën e kthimit për në shtëpi. Një ritual i përsëritur çdo të premte.

Kaq e rëndësishme ishte e xhumaja për Qamilin, sa i numëronte ditën një nga një. Kur e enjtja trokiste, fillonte dhe përgatitja emocionale e fizike për udhëtimin të nesërmen.

Kështu kishte vazhduar për të, derisa dy javë para se të ndërronte jetë, kur e kishte humbur tashmë konceptin e kohës, i kishte thënë bashkëshortes pas mesnatës, aty nga një e gjysma e së premtes, se po nisej për Tiranë për të falur xhumanë…

* * *

Namazi i parë i tij kishte qenë pikërisht atë ditë, të xhumanë, para shumë dekadash, në vitet 1993-1994, në xhaminë e Medresesë. Një vëlla besimtar, Shkëlqim Kalamishi, Allahu e mëshiroftë, i kish thënë atëbotë, “Pse nuk vjen me ne për xhumanë, të dëgjojmë fjalën e imamit dhe të falemi bashkërisht?”

E kështu ishte bërë. Deshti Allahu, dhe ai pranoi. Ajo qe xhumaja e tij e parë.

* * *

Namazi i xhenazes iu fal Qamilit të enjten në xhaminë e dashur shumë, pas faljes së sabahut të 22 shkurtit (12 shaban 1445), nga imam Neki Kaloshi.

Ditën pasuese, të xhumanë, një i moshuar besimtar në atë xhami, në dijeni për ikjen e të ndjerit nga kjo botë, vajti të merret karrigen bosh për t’u ulur. Një bashkëmoshatar i Qamilit nuk e la. “Është e rezervuar,” i tha. “Po pres një besimtar, Qamilin, nga qyteti i Durrësit, që vjen çdo të xhuma.”

Karrigia mbeti pa njeri, në pritje të Qamilit të paardhur…

* * *

(Nga pjesa e dytë e hutbes)

Sot është xhumaja e parë pa Qamilin mes nesh. Për më tepër, bashkëshorten e tij e pret pas dy orësh një ndërhyrje kirurgjikale mjaft e vështirë.

E lusim Zotin e Gjithësisë që ajo të shërohet. (Lutuni, se Allahu i dëgjon lutjet dhe u përgjigjet atyre…) E nëse ndërron jetë, në nderim të saj, të një nëne shumë besimtare, e në mungesë dhe nderim të Qamilit, ta përcjellim atë si xhemat me faljen e namazit të xhenazes.

* * *

Të gjitha lavdërimet janë për Allahun xheleshanuhu, salavatet janë për Pejgamberin tonë të dashur, Muhammedin, sal’lallahu alejhi ve sel’lem, dhe nderimet janë për të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë atë deri në ditën e fundit të kësaj bote! Amin!

———————————

24 shkurt 2024 / 14 shaban 1445; e përgatiti tekstin, Hyjnor Kalamishi   

 

  

 

     

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit