1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Karakteristikat e sjelljeve të njerëzve në punë

Më të lexuarat

 Njerëzit punojnë së bashku në një institucion arsimor, duke qenë dhe duke e shprehur individualitetin e tyre të ndryshëm. Duke e ditur këtë fakt, autorët e ndryshëm janë marrë me studime shumë të ndërlikuara, për të kuptuar se si njerëzit veprojnë në mënyrë individuale dhe në grup në një institucion arsimor dhe se si institucioni arsimor funksionon nëpërmjet strukturave dhe proceseve të saja, të zhvilluara nëpërmjet sjelljeve të njerë­zve. Menaxherët e institucioneve arsimore duhet ta kuptojnë se në orga­nizatën e tyre ka individ dhe grupe të individëve të cilët kanë, ose mund të kenë, energji dhe sjellje, që nuk janë gjithherë në përputhje me qëlli­met e IA. Detyrë e menaxherëve të IA është që këto potenciale të sje­lljeve, të dinë t’i drejtojnë në drejtimin e duhur dhe në funksion të përmbu­shjes së qëllimit të IA. Nadler dhe Tushman (1980) kanë theksuar se menaxheri duhet të jetë në gjendje të kuptojë shembujt e sjelljeve të cilat është duke i vëzhguar dhe të parashikojë se në çfarë drejtimi sjelljet e tyre janë duke lëvizur dhe të shfrytëzojë këtë njohuri që t’i kontrollojë ato gjatë gjithë kohës[1]. Me që sjelljet e të punësuarve në një IA dhe jo vetëm në IA, varen nga persona­litetet e ndryshme të njerëzve punues, në vazhdim po i sqarojmë disa sjellje karakteristike themelore të njerë­zve në punë.

 

KARAKTERISTIKAT E SJELLJEVE TË NJERËZVE NË PUNË

 

Sjelljet e njerëzve kushtëzohen nga faktorë të ndryshëm, të brendshëm dhe të jashtëm. Faktorët e brendshëm janë kryesisht ata trashëgues, ndërsa ata të jashtëm janë kryesisht kultura e familjes, e komunitetit dhe e mjedisit të punës.  Menaxheri i IA duhet t’i kuptojë mirë faktorët që i shkaktojnë sjelljet e njerëzve në punë, në mënyrë që ai t’i menaxhojë me sukses ato në drejtimin e dëshiruar. Kur themi menaxheri, kjo nënkupton menaxherët e nivelit kombëtar, atyre institucionalë dhe ata në klasë. E gjithë kjo ka të bëjë me krijimin e një mjedisi sa më të favorshëm për mësimnxënie kreative në klasë, apo mjedise tjera të shkollës[2]. Roli i menaxherëve të arsimit në nivelin institucional është të arrijë qëllimet arsimore të IA dhe ato të shoqërisë, nëpërmjet sjelljeve të organizuara të mësimdhënësve, nxënësve dhe studentëve. Menaxherët duhet të vlerësojnë kapacitetet e IA se cilat janë kapacitetet e tij në motivimin e këtyre njerëzve në orientimin dhe drejtimin e energjive të ndryshme, për t’i arrirë objektivat dhe qëllimet e njëjta të IA. Sipas Kurt Levin (1951), sjellja është funksion i ndërveprimit të personit dhe mjedisit ku jeton dhe punon (S=P+M). Faktorët të cilët i përcaktojnë dhe i zhvillojnë karakteristikat individuale të sjelljes së njerëzve i ndajmë në disa kategori:

 

Dallimet individuale;

Qëndrimet;

Orientimi në punë.

Dallimet individuale

 

Menaxhimi i njerëzve do të ishte shumë i lehtë, sikur ata do të ishin të gjithë të njëjtë, por ata natyrisht nuk janë. Ata janë të ndryshëm, disa më shumë e disa më pak, por në përgjithësi asnjë njeri në botë nuk është plotësisht i ngjashëm, as binjakët njëvezësh, të cilët gjenetikisht janë plotësisht të ngjashëm. Njerëzit dallohen për nga inteligjenca, personaliteti, prejardhja dhe kultura (mjedisi në të cilin ata janë rritur) e tyre, ndërkaq gjinia, dhe aftësitë e kufizuara janë faktorë shtesë[1]. Këto ndryshime individuale ndërmjet njerëzve janë shumë të rëndësishme për shkak të krijimit të identiteteve të ndryshme që karakterizohen me përmbajtje fizike, mendore dhe shpirtërore specifike për individin. Tani mund të merrni me mend se sa njerëz ka në botë, po aq karaktere të ndryshme të njerëzve ka e që përfaqëson një pasuri të jashtëzakonshme të vlerave mendore dhe shpirtërore të shoqërisë njerëzore. Secili individ në shoqërinë njerëzore është një vlerë origjinale, më e ndryshme nga të gjithë të tjerët dhe që nuk është kopje e as zëvendësues i askujt tjetër në botë. Kjo është një mrekulli e përkryer dhe një dhuratë madhështore që natyra i fali njeriut.

 

Po nga vjen e gjithë kjo madhështi e vlerave, ky burim i pashtershëm i cilësive të ndryshme?

Burimi i gjithë këtij potenciali për të dalluar dhe për t’i bërë njerëzit e ndryshëm është ADN. Për ta kuptuar këtë më mirë duhet ta kuptojmë së pari, pak a shumë, ndërtimin e molekulës së ADN – së në të cilën janë të shkruara të gjitha këto vlera. ADN është e ndërtuar prej dy vargjeve polinukleotidike. Vargjet janë të ndërtuara prej katër molekulave të mëdha dhe të ndryshme ndërmjet veti, që quhen nukleotide, si: adeninë (A), guaninë (G), citozinë (C) dhe timinë (T). Në fakt, e gjithë ajo që posedon njeriu, është e shkruar nga katër shkronja (A, G,C,T).

 

Karakteristikat individuale të cilat i bëjnë njerëzit që të jenë të ndryshëm, janë:

Kompetenca, inteligjenca dhe shkathtësitë dalluese;

Kultura, korniza konceptuale se si njerëzit e kuptojnë dhe si sillen në mjedisin në të cilin punojnë;

Vlerat, besimi në atë që njerëzit i bënë të rëndësishëm;

Planifikimi i punës, njerëzit i vendosin qëllimet dhe i bëjnë planet për arritjen e tyre.

 

 

/Burimi: Bazat e Menaxhimit të Insitucioneve të Arsimit – Isuf Zeneli/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit