1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Kapitulli i parë nga parathёnia e Ibёn Maxhes

Më të lexuarat

1Mbi pasimin e Sunnetit të Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem

Hadithi Nr. 1

Transmetohet nga Ebu Hurejra, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Cfarë ju kam urdhëruar, merreni atë dhe çfarë ju kam ndaluar, përmbahuni nga ajo.” (Sahih-autentik)

Sqarim:

Ky hadith është i ngjashëm me fjalën e Allahut në Kur’an: “Cfarë t’ju japë Pejgamberi, atë merreni dhe çfarë t’ju ndalojë, përmbahuni…” Hashr: 7

Sqarim:

Shprehja: C”farë ju kam urdhëruar” përfshin edhe gjërat obligative edhe ato vullnetare. Shprehja “dhe çfarë ju kam ndaluar” përfshin haramet (ndalesat), por edhe të urryerat. Ligjërimi, edhe pse u është drejtuar atyre që kanë qenë të pranishëm, i përfshin unanimisht edhe ata që s’kanë qenë të pranishëm.

Hadithi Nr. 2

Transmetohet nga Ebu Hurejra, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Mos e teproni me pyetje për atë që ju kam mësuar, sepse ata që ishin para jush u shkatërruan për shkak të pyetjeve të tepërta dhe kundërshtimit të tyre ndaj të Dërguarve. Nëse ju urdhëroj me diçka, veprojeni atë sa të keni mundësi dhe nëse ju ndaloj nga diçka, përmbajuni.” Hadith autentik.

Sqarim:

Shkakun e thënies së këtij hadithi e transmeton imam Muslimi nga Ebu Hurejra, që thotë: “Na ligjëroi Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe tha: “O ju njerëz, Allahu ua ka bërë haxhin obligim, atëherë bëni haxh. Një njeri i tha: “A për çdo vit, o i Dërguari i Allahut?” Pejgamberi heshti, derisa e përsëriti njeriu tri herë. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i tha: “Sikur të thosha po, do të bëhej obligim për çdo vit dhe nuk do të kishit mundësi.” Pastaj tha:” Mos e teproni me pyetje për atë që ju kam mësuar …”

Imam Darekutni e transmeton të njëjtin hadith duke thënë se pas kësaj ngjarjeje zbriti fjala e Allahut: “O ju që keni besuar, mos pyetni për gjëra që, nëse ju shfaqen, nuk ju vjen mirë…” Këtë e ka transmetuar edhe imam Taberiu nga Ibën Abasi, Allahu qoftë I kënaqur me ta. Shprehja ” Mos e teproni me pyetje”: për gjëra që nuk kanë ndodhur, duke pasur frikë se mos bëhet obligim, siç e pyeti sahabiu për haxhin, se a është obligim për çdo vit. Ibën Ferexh për këtë thotë: “…do të thotë mos i detajoni gjërat shumë duke kërkuar për çdo gjë sqarim, sidomos në gjërat që janë të qarta dhe kuptohen edhe pa hyrë në detaje, si p.sh. çështja e haxhit, kur i Dërguari i Allahut ka thënë se bëni haxh. Kjo kuptohet në esencë, se haxhi është vetëm një herë në jetë, pra mos pyetni për çështjet që janë të kuptueshme nga vetë teksti e pastaj t’ju vështirësohet, siç vepruan beni israilët, kur Allahu i urdhëroi të thernin një lopë. Sikur ata të thernin çfarëdo lope, do ta zbatonin fjalën e Allahut, mirëpo kur vazhduan të pyetnin për gjëra që Allahu nuk i kishte ngarkuar, kur pyetën se çfarë lope ishte ajo, çfarë ngjyre kishte etj., atëherë Allahu ua vështirësoi dhe ua kushtëzoi që të thernin një lopë me disa cilësi, e cila gjendej vetëm në një vend. E gjithë kjo për shkak të pyetjeve të panevojshme nga ana e beni israilëve. Transmeton Bezari dhe Ibën Ebi Hatimi në Tefsirin e tij nga Ebu Hurejra, nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, se ka thënë:”Sikur benu israilët të thernin çfarëdo lope, do t’u mjaftonte atyre, mirëpo ata ia vështirësuan vetes. Atëherë, Allahu ua vështirësoi atyre.” (Ibën Haxheri thotë hadith hasen-i mirë). Transmetohet edhe nga Ibën Abasi si fjalë e tij.

Hadithi Nr. 3

Transmetohet nga Ebu Hurejra Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush më pason mua, vetëm se e ka pasuar All a – hun dhe kush më kundërshton mua, e ka ku nd ë – rshtuar Allahun az-ze ve xhel-le.” (Sa hih-autentik)

Sqarim:

Ka për qëllim se i Dërguari i Allahut është vetëm përcjellës i fjalës së Allahut, prandaj kush e pason atë, vetëm se e ka pasuar urdhë ru – esin e vërtetë, d.m.th. Allahun. E njëjta gjë vlen edhe për mëkatet. Ky hadith është i njëjtë me fjalën e Allahut: “Kush i bindet Pejgamberit, ai I është bindur Allahut, e kush e refuzon, Ne nuk të dërguam ty roje kundër tyre.” Nisa 80

Hadithi Nr. 4

Transmetohet nga Ebu Xheaferi se ka thënë: “Abdullah ibën Umeri, kur dëgjonte nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ndonjë hadith, nuk e tejkalonte atë dhe nuk linte mangët.” (Sahih-autentik)

Sqarim:

Shprehja “Lem jeaduhu – nuk e tejkalonte atë” ka për qëllim që nuk vepronte diçka më shu – më se çfarë ishte përmendur në fjalën e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, d.m.th. nuk e tepronte e të kalonte në ekstrem. Ndërsa shprehja “Ve lem jukas-sir dunehu – nuk linte mangët” do të thotë se nuk linte diçka pa e praktikuar, por tërë fjalën e Pejgamberit e çonte në vend duke mos shtuar dhe as duke mos pakësuar. Abdullah ibën Umeri ishte i njohur për përpikmërinë e tij në pasimin e hadithit të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Dihet se Ibën Umeri transmetoi njëherë hadithin: “Mos i ndaloni robëreshat e Allahut (gratë) nga xhamitë e Allahut”, ndërsa njëri nga fëmijët e tij tha “ne do t’i ndalojmë”. Atëherë ia ktheu me fjalë të rënda që askush deri atëherë nuk e kishte dëgjuar Ibën Umerin të shprehej ashtu dhe nuk i foli më deri në vdekje. Ka edhe shumë e shumë raste të tjera që tregojnë përpikmërinë e Ibën Umerit në zbatimin e hadithit të Resulullahut sal-lAllahu alejhi ve sellem.

Hadithi Nr. 5

Transmetohet nga Ebu Derda se ka thënë: “Erdhi tek ne i Dërguari i Allahut ndërsa ne ishim duke përmendur varfërinë dhe duke u frikësuar nga ajo. Atëherë na tha: “Varfërisë i frikësoheni?Pasha Atë që shpirti im është në dorën e Tij, të mirat e kësaj bote do të derdhen mbi ju derisa nuk do ta devijojnë zemrën ndonjërit prej jush vetëm se ato të mira! Pasha Allahun, ju kam lënë në të bardhë, ku nata dhe dita e saj janë të njëjta.” Ebu Derda thotë: “E ka thënë të vërtetën i Dërguari i Allahut. Na ka lënë, pasha Allahun, në të bardhë, ku nata dhe dita janë të njëjta.” (Sahih-autentik)

Sqarim:

Në këtë hadith Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e përgëzon umetin e tij se Allahu do t’i pasurojë pas varfërisë, mirëpo ua tërheq vërejtjen nga ajo pasuri e cila i bën ta harrojnë adhurimin ndaj Allahut, duke vazhduar kështu dashuria ndaj kësaj bote derisa të devijojnë zemrat e tyre pasi ishin të udhëzuara. Shprehja “Ala mithli el bejda – në të bardhë”, domethënë se ju kam lënë me zemra të bardha e të pastra për të mos anuar nga e kota, zemra të cilat nuk mund t’i largojnë nga Allahu as të këqijat e as të mirat. Kuptimi i saj mund të jetë se ju kam lënë në rrugë të qartë e të pastër.

Këtu është përdorur folja e kohës së kaluar “ju kam lënë”, ndërsa qëllimi është e ardhmja, d.m.th. nuk do të ndahem nga ju, nuk do të vdes vetëm se duke ju lënë në diçka të qartë e të pastër, që të mos devijoni.

Hadithi Nr.. 6

Transmetohet nga Muavije ibën Kurre, nga babai i tij, i cili ka thënë: “Ka thënë i Dërguari I Allahut sal-laAllahu alejhi ve sel-lem: “Do të vazhdojë një grup njerëzish nga umeti im që të jenë të ndihmuar. Ata që i braktisin nuk i dëmtojnë, derisa të ndodhë kiameti.” (Sahih-autentik)

Hadithi Nr. 7

Transmetohet nga Ebu Hurejra se i Dërguari I Allahut sal-laAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Do të vazhdojë një grup njerëzish nga umeti im praktikues të urdhrave të Allahut Az-ze ve xhel-le; nuk i dëmton ata kush i kundërshton.” (Hasen Sahih).

Hadithi Nr. 8

Transmetohet nga Ebu Inebete El Havlanij të ketë thënë se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Allahu vazhdon të mbjellë në këtë fe fidanë që të jenë të nënshtruar ndaj Tij.” (Hasen – i mirë)

Hadithi Nr. 9

Transmetohet nga Amr ibën Shuajbi, nga babai i tij, i cili ka thënë: “Muaviu u ngrit në minber dhe tha: “Ku janë dijetarët tuaj? Ku janë dijetarët tuaj? E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Nuk do të ndodhë dita e kiametit përveçse një grup njerëzish nga umeti im do të jenë ngadhnjimtarë ndaj njerëzve, nuk i preokupon ata kush I kundërshton apo kush i ndihmon.” (Sahih-autentik)

Hadithi Nr. 10

Transmetohet nga Thevbani se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Do të vazhdojë një grup njerëzish nga umeti im I ndihmuar në të vërtetën. Nuk i dëmton ata kush I kundërshton, derisa të vijë urdhri i Allahut.” (Sahih-autentik)

Sqarim:

Nga të gjitha hadithet e lartpërmendura dhe të tjera të ngjashme me to, të cilat imam Ibën Maxhe nuk i ka cekur në “Sunenin” e tij merren këto mësime:

1. Fjala e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sellem: “Do të vazhdojë një grup njerëzish nga umeti im” tregon se është një grup njerëzish muslimanë dhe jo tërë muslimanët dhe gjithashtu sinjalizon për ekzistimin e grupeve të tjera.

2. Shprehja “…nuk i dëmton ata kush i kundërshton…” tregon se ekzistojnë grupe të tjera, të cilat e kundërshtojnë palën e ndihmuar në çështjet e fesë. Ky është i ngjashëm me hadithin e përçarjes, së umeti do të përçahet në shtatëdhjetë e tre grupe, ku grupet e tjera do ta kundërshtojnë palën e ndihmuar në gjërat e fesë që kjo pale praktikon.

3. Ky hadith përmban përgëzimin për këtë grup të ndihmuar, se do të jenë të ndihmuar, të shfaqur dhe ngadhnjyes në këtë botë.

4. Shprehja “derisa të vijë urdhri i Allahut” ka për qëllim erën që ua merr shpirtrat çdo besimtari e besimtareje dhe nuk ka kundërthënie mes kësaj dhe hadithit që thuhet “derisa të ndodhë kiameti”, sepse qëllimi është se ata do të jenë ngadhnjyes derisa të vijë kjo erë e t’ua marrë shpirtrat pak para kiametit dhe shfaqjes së shenjave

të tij.

Cilësitë e palës së ndihmuar:

1. Ajo është në të vërtetën – hakun.

2. Ithtarët e palës së ndihmuar janë praktikues të urdhrave të Allahut, urdhërojnë për të mirë dhe ndalojnë nga e keqja.

3. Pala e ndihmuar është ngadhnjimtare deri në Ditën e Gjykimit.

4. Ajo është durimatare, e qëndrueshme. Për këtë tregon hadithi i Enes ibën Malikut Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili thotë se i Dërguari sal-lAllahu aleji ve sel-lem ka thënë: “Do të vijë te njerëzit një kohë kur durimtari në fe është sikurse ai që mban gacën.”

Kush janë pala e ndihmuar?

Imam Buhariu ka thënë: “Kapitulli: Fjala e Pej – gamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Do të vazhdojë një palë nga umeti im ngadhnjimtare në të vërtetën, e ata janë dijetarët.”

Ibën Haxheri thotë: “Abdullah ibën Mubareku ka thënë: “Për mendimin tim ata janë pasuesit e hadithit.”

Imam Neveviu thotë: “Ka thënë imam Ahmedi: “Nëse nuk janë pasuesit e hadithit, nuk e di se kush janë.”

Kadij Ijadi thotë se imam Ahmedi ka për qëllim me pasuesit e hadithit Ehlu Sunetin dhe xhematin dhe kush i ka bindjet e pasuesve të hadithit.”

Ahmed ibën Sinani, dijetari i madh, ka thënë: “Ata janë dijetarët dhe pasuesit e ethereve-gjurmëve të të parëve tanë të mirë.”

Imam Neveviu thotë se këtë palë të ndihmuar mund ta përbëjnë shumë lloje njerëzish dhe prej tyre mund të ketë trima luftëtarë, juristë, muhadithë, asketë, ata që urdhërojnë për të mirë dhe nda lojnë nga e keqja dhe të tjerë.

Imam Ibën Haxheri thotë: “Nuk është e domosdoshme që kjo palë të jetë e bashkuar në një vend, por mund të ekzistojë edhe e ndarë në shu – më vende të botës.”

Rezymeja e fjalëve të dijetarëve është se këtë pale mund ta përbëjnë shumë lloje njerëzish dhe se mu nd të ekzistojnë në shumë vende duke qenë të shpërndarë. Mirëpo nuk ka dyshim se ata që merren me dituritë fetare, duke ua mësuar njerëzve akiden (besimin), fikhun (jurisprudencën), hadithin, tefsirin dhe shkencat e tjera fetare, duke i praktikuar ato dhe duke ua mësuar të tjerëve, duke e mbrojtur Sunetin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem nga gënjeshtrat dhe shpifjet, pa dyshim se këta janë më meritorët për të qenë pala e ndihmuar. Allahu na bëftë prej këtyre! Amin!

Hadithi Nr. 11

Transmetohet nga Xhabiri Allahu qoftë i kënaqur me të se ka thënë: “Përderisa ishim tek i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ai vizatoi një vizë dhe pastaj vizatoi dy viza në të djathtë dhe dy viza në të majtë, pastaj vendosi dorën e tij te viza e mesme dhe tha: “Kjo është rruga e Allahut”, pastaj lexoi këtë ajet kuranor: “Dhe se kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), pra përmbajuni kësaj e mos ndiqni rrugë të tjera e t’ju ndajnë nga rruga e Tij.” En’am 153

Sqarim:

Në këtë hadith sqarohet çështja e fesë duke treguar se rruga e Allahut është rruga e drejtë dhe nuk ka devijime, është mestare. Gjithashtu këtu sqarohet gjendja e ndjekësit të kësaj rruge dhe se ai duhet të jetë syçelur sepse çdo devijim, qoftë i vogël, mund ta shpjerë në devijim të thellë për shkak të afërsisë së rrugëve të tjera devijuese. Imam Ibën Kethiri, kur komenton këtë ajet kuranor, thotë: ” është përdorur rruga e Allahut në njëjës sepse ajo është e vetme dhe nuk ka tjetër. Pra, e vërteta është një, ndërsa rrugët e tjera janë përdorur në shumës për të treguar se rrugët e devijimit janë të shumta.

Kjo i ngjan fjalës së Allahut: “Allahu është Mbikëqyrës i atyre që besuan, i nxjerr ata prej errësirave në dritë. E kujdestarë të atyre që nuk besuan janë djajtë, që i nxjerrin ata prej drite e I hedhin në errësira…” Bekare 257

Literatura e konsultuar:

Për shkallën e haditheve jamë mbështetur në mendimet e dijetarit Muhamed Nasirudin Albani.

1.Sqarimi i Sunenit të Ibën Maxhës nga imam Ebul Hasen El Hanefij, i njohur si imam Sindij

2.”Fejdul Kadir”, sqarimi i “Xhami’ Sagir” të imam Sujutit. Autor Abdurreuf El Munavij.

3.”Fet’hul Barij”, sqarim i Sahihut të Buharit. Autor Ibën Haxher El Askalanij.

4.”El Minhaxh”, sqarim i Sahihut të Muslimit. Autor imam Neveviu.

5.”Silsilet el ehadith es-sahiha”, autor Muhamed Nasirudin Albani.

6.”Tefsiri i imam Ibën Kethirit”.

Vazhdon…

Pӫrgatiti: Mr. Fidan XHELILI

Burimi: www.shkollaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit