0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Kapitulli i dytё nga parathёnia e Ibёn Maxhes – vazhdim

Më të lexuarat

4Hadithi nr. 15

Urve ibën Zubejri transmeton nga Abdullah ibën Zubejri se i kishte thënë: “Një njeri nga ensarët kishte ngritur padi ndaj Zubejrit tek i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem për shkak të kanaleve të ujitjes, ujë me të cilin ujitnin hurmat. Ensari i tha (Zubejrit): “Lëshoje ujin të ecë”, mirëpo (Zubjeri) e kundërshtoi një gjë të tillë, prandaj erdhën të gjykonin tek i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-Iem. I Dërguari tha: “O Zubejr, ujite tokën ti njëherë, pastaj lëshoje ujin për fqinjin tënd.” Ensari u hidhërua dhe tha: “A vetëm pse është djali i hallës tënde?!” Të Dërguarit iu ndërrua çehrja e fytyrës dhe më pas i tha: “O Zubejr! Ujit dhe mos e lësho ujin, derisa uji të kthehet te muret e kopshtit.” Ka thënë (Abdullahu i biri i Zubjerit): “Zubejri ka thënë: “Mendoj se për këtë ngjarje ka zbritur ky ajet i Kur’anit: “Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht.” (Nisa: 65)

Hadithin e transmeton Buhariu me nr. 2359 dhe 2360 dhe Muslimi me nr. 6065.

Kush është Zubejri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij?

Ai është Ez-Zubejr ibën el-Av-vam ibën Huvejlid, shok i afërt i të Dërguarit dhe djalë i hallës së tij Safijes, vajzës së Abdulmutalibit, njëri nga dhjetë të përgëzuarit me xhennet, njëri nga gjashtë personat e Shuras dhe i pari që e nxori shpatën në rrugën e Allahut. Është bërë musliman i ri, në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare. Transmetoi shumë pak nga i Dërguari dhe nuk ka marrë ndonjëherë ndonjë post. Zoti i kishte dhënë pasuri të madhe. Thuhet se pasuria e tij ishte pesëdhjetë milionë e dyqind mijë dërhemë. Buhariu thotë se Zubejr ibën Av-vami është vrarë në vitin 36 hixhrij në kalifatin e Aliut, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.

Sqarimi i hadithit

Rreth emrit të ensarit nga Medina i cili ra në mospajtim me Zubejrin ka dilema dhe mospajtime dhe gjithashtu disa kanë thënë se ka qenë munafik, dyfytyrësh, mirëpo të tjerë kanë thënë se nuk ka qenë munafik, por kjo fjalë ka dalë nga ai për shkak të pakujdesisë dhe ngutjes. Megjithatë, ne nuk kemi edhe shumë dobi nga ajo se kush ka qenë ai. Dobia qëndron në atë se si duhet pasur kujdes kur është fjala për raportin me të Dërguarin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem gjatë jetës së tij edhe pas vdekjes, karshi traditës së tij në mënyrë që të mos i kthehet fjala apo gjykimi atij sepse ai nuk flet dhe nuk gjykon nga hamendja, por vetëm atë që i shpallet. Në të njëjtën kohë, dobia e këtij hadithi qëndron në anën legjislative lidhur me ujërat kolektive për ujitje se si duhet të shfrytëzohen ato dhe kush ka më shumë merita për to.

Në këtë rast, Zubejri ishte i pari për të ujitur sepse toka e tij ishte më lart tokës së ensarit. I Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i tha Zubejrit “ujite tokën pak dhe më pas lëshoje për fqinjin tënd”, d.m.th. mos e merr të drejtën tënde në tërësi, por deri në një masë, sepse i Dërguari deshi të bënte miqësi mes tyre, por kur dëgjoi çfarë tha ensari, atëherë i tha Zubejrit “ujite tokën dhe mos e lësho ujin derisa të kthehet uji te muret e kopshtit”. Dijetarët e kanë komentuar në mënyra të ndryshme këtë thënie. Disa kanë thënë se qëllimi është të ngopet toka me ujë e të dalë uji mbi të deri te zogu i këmbës, disa kanë thënë se qëllimi është të bëhet gropa rreth rrënjëve të pemëve të mëdha për të mbajtur ujin dhe i Dërguari e urdhëroi Zubejrin që ta linte ujin derisa të mbusheshin gropat plot rreth pemëve, sepse kjo ishte e drejta e Zubejrit.

Imam Neveviu tregon nga dijetarët e mëhershëm se kanë thënë: “Sikur sot dikush të shprehet me shprehje të ngjashme siç u cek në hadith “a vetëm pse është djali i hallës tënde”, atëherë këtë person e përfshijnë rregullat e renegatëve-të dalëve nga feja dhe vritet nëse plotësohen edhe kushtet e tjera (ky rregull vlen për vende ku gjykohet me ligjin e Zotit e jo diku tjetër), mirëpo e ka lënë i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem sepse në fillim të Islamit i afronte zemrat e njerëzve dhe i largonte problemet në mënyrën më të mirë dhe në të njëjtën kohë duronte ndaj të këqijave të munafikëve dhe atyre që i kishin zemrat e sëmura.

Dobitë nga ky hadith

Imam Siraxhudin ibën Mulek-kin, Allahu e mëshiroftë, në sqarimin e tij të “Sahihut” të Buhariut, kur vjen tek ky hadith, ndër të tjera thotë:

1) Ujërat e kanaleve për ujitje, lumenjve të vegjël që nuk janë pronë e askujt dhe nuk është punuar në to nga dikush për t’i nxjerrë nga thellësia e tokës, të gjitha këto në esencë janë të lejuara dhe kush i arrin i pari, ai ka më shumë merita.

2) Ata që janë më lart kanë të drejtë para atyre që janë më poshtë për nga vendi i tokës.

3) Në të ka argument se ai që është lart, nëse e merr të drejtën e tij, nuk i lejohet që t’ia ndalë ujin atij që është poshtë.

4) Në të ka argument se udhëheqësi i muslimanëve ka të drejtë të mos e zbatojë ndaj dikujt dënimin që meriton, siç ka të drejtë ta zbatojë atë (sepse në këtë rast ky person, ensari, meritoi të ndëshkohet për atë se si e ofendoi të Dërguarin, se gjoja nuk gjykoi drejt, por ai nuk u ndëshkua).

5) Ky hadith sinjalizon për atë se duhet të urdhërojmë përherë për miqësi dhe afrim e jo armiqësi e largim (këtë e marrim nga pjesa e parë e hadithit, se i Dërguari në fillim i tha Zubejrit që të ujiste kopshtin, por jo ta merrte të drejtën e tij në tërësi, të ujiste pak dhe më pas t’ia lëshonte ujin fqinjit, edhe pse Zubejri kishte të drejtë ta ujiste tokën e tij derisa ajo të ngopej me ujë).

6) Në të ka argument se kur gjykatësi dëshiron t’i miqësojë palët dhe i udhëzon në atë që është më e mirë për ta, mirëpo nuk gjen mirëkuptim, që d.m.th. se nuk lëshojnë pe asnjëra palë, atëherë ia jep të drejtën secilit ashtu siç e meriton.

Kujdes!

Në këtë rast, i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem gjykoi mes Zubejrit dhe ensarit duke qenë i hidhëruar nga ensari me veprimin e tij, kur dihet se nuk lejohet gjykimi mes dikujt duke qenë i hidhëruar. Kjo rregull vlen për njerëzit në përgjithësi, se nuk u lejohet të gjykojnë mes të tjerëve duke qenë të hidhëruar sepse nuk mund të gjykojnë drejt, mirëpo i Dërguari ndryshon nga të tjerët sepse ai është i mbrojtur nga Allahu si në gëzim ashtu edhe në hidhërim që të thotë vetëm të vërtetën.

Hadithi nr. 16

Transmetohet nga Abdullah ibën Omeri se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Mos i ndaloni robëreshat e Allahut (gratë) që të falen në xhami. Një djalë i tij i tha: “Ne do t’i ndalojmë ato.” Atëherë ibën Omeri u hidhërua shumë dhe i tha: “Të transmetoj nga i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe më thua se do t’i ndalojmë?!”

Hadithin e transmeton Buhariu me nr. 873 dhe Muslimi (989) dhe të tjerët.

Sqarim: Disa hadithe trajtojnë të njëjtën gjë, por vetëm se në to janë përmendur disa shtesa të cilat mbartin me vete dobi të shumta:

a) “Nëse dikujt nga ju i kërkon gruaja e tij leje për xhami, mos ta ndalojë atë.” (Muslimi nr. 987)

b) Transmeton Salimi, djali i Abdullah ibën Omerit, se e ka dëgjuar ibën Omerin duke thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin duke thënë: “Mos i ndaloni gratë tuaja nga xhamitë, nëse ju kërkojnë leje.” Atëherë, Bilali (djali i Abdullah ibën Omerit) tha: “Pasha Allahun, do t’i ndalojmë!” Abdullahu u kthye nga ai dhe e fyeu me një fyerje të keqe që nuk e kam dëgjuar më herët asnjëherë dhe i tha: “Të tregoj nga i Dërguari dhe më thua pasha Allahun do t’i ndalojmë?!” (Muslimi nr. 988)

Në disa transmetime është kufizuar kërkimi i lejes nga ana e grave për namazin e mbrëmjes, d.m.th. të akshamit dhe të jacisë:

c) “Mos i ndaloni gratë që të dalin për në xhami gjatë natës (aksham e jaci), atëherë njëri nga djemtë e ibën Omerit i tha: “Nuk do t’i lëmë të dalin e të bëhet fesad-çrregullim në tokë.” (Muslimi nr. 991)

d) “Mos i ndaloni robëreshat e Allahut nga xhamitë e Allahut, por të dalin duke qenë të paparfumuara.” (Ebu Davudi nr. 565; dijetar Albani thotë sahih-autentik)

e) “Mos i ndaloni gratë tuaja nga xhamitë, edhe pse shtëpitë e tyre janë më të mira për to.” Ebu Davudi nr. 567 (dijetar Albani thotë sahih-autentik)

Nga këto hadithe mësojmë disa gjëra:

1) Gruas nuk i lejohet që të dalë për në xhami apo diku tjetër pa kërkimin e lejes nga burri.

2) Në qoftë se gruaja i kërkon leje burrit që të shkojë në xhami, atëherë burri nuk ka të drejtë ta ndalë atë nga xhamia, mirëpo me disa kushte të cilat dijetarët i kanë përmendur nëpër libra. Në mesin e këtyre kushteve janë: të mos jetë e parfumuar, të mos lyhet e të zbukurohet, të mos vendosë zinxhirë apo diçka që dëgjohet gjatë të ecurit e t’ia tërheqë vërejtjen burrave, të mos veshë rroba të bukura, të mos përzihet me burra, të mos ketë gjatë rrugës diçka nga e cila mund të frikësohemi se mund t’i ndodhë diçka e keqe gruas etj. Përndryshe, nëse gruaja e ka njërën nga këto cilësi, atëherë është e drejtë e burrit që të mos e lejojë të dalë për në xhami. Allahu e di më së miri.

3) Për gruan më mirë është që të falet në shtëpinë e saj sepse namazi i saj në shtëpi është më i vlefshëm sesa në xhami, sepse në shumicën e rasteve sprovat janë të pranishme kur gruaja del nga shtëpia. Këtë e argumenton hadithi i lartpërmendur që e transmeton Ebu Davudi, ku i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Mos i ndaloni gratë tuaja nga xhamitë, edhe pse shtëpitë e tyre janë më të mira për to.”

Gjithashtu hadithi që transmetohet nga Abdullah ibën Mes’udi, ku i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Namazi i gruas në dhomën e saj është më i mirë sesa namazi i saj në huxhretiha (dhomën e pritjes, sallon), ndërsa namazi i saj në mahdaiha (një dhomë e vogël brenda dhomës së vet ku ruan gjërat e çmuara) është më i mirë sesa namazi i saj në dhomën e saj.”

4) Hidhërimi i Abdullah ibën Omerit ndaj djalit të tij arsyetohet me atë sepse kur ai i tha: “I Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Mos i ndaloni gratë nga xhamitë”, djali i tij tha të kundërtën: “Pasha Allahun, do t’i ndalojmë!” Këtu është kundërshtimi direkt i fjalës së të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, që është gjë e ndaluar.

Edhe pse djali i tij qëllimin e kishte të mirë, që të mos përhapej imoraliteti dhe sprovat e ndryshme dhe fjala e tij ishte si rezultat i fillimit të një shfrenimi nga ana e grave, siç kishte thënë edhe Aishja pas vdekjes së të Dërguarit, se sikur i Dërguari të ishte gjallë e t’i shihte gratë në kohën e saj se si kishin ndryshuar dhe kishin filluar të zbukuroheshin e të dilnin nëpër rrugë, do t’i ndalonte i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem që të dilnin në xhami.

Mirëpo prapëseprapë këto arsye nuk e justifikuan djalin e ibën Omerit dhe që ibën Omeri të heshte ndaj tij sepse ishte një kundërshtim direkt. Çfarë mund të themi për ditët e sotme për ata të cilët e kundërshtojnë fjalën e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem për shkaqe shumë të ulëta dhe epshet e veta personale?

Literatura e konsultuar:

1. “Suneni i Ebu Davudit”, me verifikim tё haditheve nga dijetari Muhamed Nasirudin Albani. Me përkujdesjen e dijetarit Mesh’hur ibёn Hasen al Selman, “Mektebet el mearif”, Riad, botimi i parё.

2. “Suneni i Tirmidhiut” me verifikim tё haditheve nga dijetari Muhamed Nasirudin Albani. Me përkujdesjen e dijetarit Mesh’hur ibёn Hasen al Selman, “Mektebet el mearif”, Riad, botimi i parё.

3. “Suneni i Ibёn Maxhes”, me verifikim tё haditheve nga dijetari shqiptar Muhamed Nasirudin Albani, me përkujdesjen e dijetarit Mesh’hur ibёn Hasen al Selman, “Mektebet el mearif”, Riad, botimi i parё.

4. “El Minhaxh sherh Sahih Muslim ibën el Haxhaxh”, autor imam Muhjidin En Neveviu, me verifikim të esh-shejh Halil Me’munë Shejha, Darul Ma’rife, Bejrut, botimi i nëntë.

5. “Et-Tevdih li-sherh el xhami’i es-sahih”, autor Siraxhudin ibën Mulek-kin, verifikoi Darul fellah, botoi Ministria e Vakëfit dhe Çështjeve Islame nga Katari, botim i parë 2008.

6. “Sijer e’alam en-nubela”, autor imam Dhehebiu, Dar ihja et-turath el-arabij- Bejrut. Është kujdesur për verifikimin e librit Mahmud Shakir, botimi i parë 2006

Pӫrgatiti Mr.Fidan Xhelili

Burimi: www.shkollaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit