1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Kapitali dhe puna – Kushtet që duhet të respektohen (sipas Imam Gazaliut)

Më të lexuarat

 

Marrëveshja e pestë
KAPITALI DHE PUNA

Te kjo marrëveshje tregtia është e përbashkët mes dy personave, njëri me kapital e tjetri me punë.Në këtë çështje ka tri kushte që duhet të respektohen:

Kushti i parë është kapitali.

Kusht është të jenë para të gatshme, të jetë shumë e caktuar saktë dhe t’i dorëzohet personit të angazhuar me punë.
Nuk duhet të jetë pasuri e luajtshme apo e paluajtshme sepse tregtia me to nuk është e shpeshtë. Nuk lejohet as një qese dërhemë si kapital, për shkak që nuk dihet shuma e saktë. E kur nuk dihet kapitali i saktë as fitimi nuk mund të përcaktohet saktë.
Nuk mund të lejohet as që pronari i kapitalit të kushtëzojë që fjala e tij të jetë vendimtare, sepse do të ngushtohej hapësira për tregti.

Kushti i dytë është fitimi.

Edhe fitimi duhet të përcaktohet me përqindje, si me një të tretën, me gjysmën, ose me ndonjë tjetër pjesë. Nëse pronari i kapitalit thotë: “nga fitimi, ty të takojnë njëqind dërhemë, mua pjesa tjetër”, një kusht i tillë nuk mund të lejohet, sepse mund të ndodhë që fitimi të mos arrijë as atë njëqindësh.
Prandaj nuk lejohet përcaktimi i shumës së saktë të fitimit, por ajo definohet me përqindje.

Kushti i tretë është puna të cilën duhet ta kryejë i angazhuari.

Pronari i kapitalit nuk duhet ta kufizojë atë në tregti ose ta detyrojë me diçka tjetër. Nëse pronari i kapitalit kushtëzon që punëtori me kapitalin e tij të blejë lopë, por që do të presin të pllenohet lopa dhe të përfitojnë prej viçit, ose të blejë grurë, që prej tij të prodhojë bukë e tek fitimin nga shitja e bukës ta ndajnë mes vete, kjo nuk është e drejtë.

Sepse marrëveshja për ortakëri është tregti dhe punë rreth tregtisë si matje, peshim e vlerësim, por vetëm kaq, kurse pjekja e bukës dhe kujdesi për kopenë e lopëve janë zanate tjera.
Nëse pronari i kapitalit kushtëzon të angazhuarin me punë për të blerë mall vetëm nga një person i caktuar, ose vetëm stof të një ngjyre, ose çfarëdo kufizimi tjetër, marrëveshja ndërprehet. Pas ndërprerjes së marrëveshjes mes vete në mënyrë të prerë, i angazhuari bëhet përfaqësues dhe menaxhon me mallin si përfaqësues.

Pronari i kapitalit mund të anulojë marrëveshjen kur të dojë. Nëse marrëveshja anulohet në situatën kur i gjithë malli është në para të gatshme, atëherë nuk ka problem; edhe kapitali edhe fitimi janë të njohura. Pasi që e merr kapitalin fillestar, fitimi ndahet me lehtësi.
Nëse është vetëm malli e para nuk ka, dhe nuk ka pasur fitim, malli i kthehet pronarit të kapitalit dhe prapë nuk ka problem, kurse i angazhuari nuk do të ishte i obliguar ta kthejë atë mall në para të gatshme, sepse marrëveshja është anuluar.
Nëse i angazhuari do të thoshte: “E kisha shitur këtë”, e pronari refuzon, do të veprohet sipas qëndrimit të pronarit, por nëse i angazhuari tashmë ka gjetur blerësin që siguron fitim, atëherë vepron sipas qëndrimit të vet.

Kur lajmërohet rasti për fitim, i angazhuari është i obliguar të shesë shumën e kapitalit bazë për kapital të llojit të njëjtë, që të mund të ndahet shtesa si fitim, ku ata kanë hise. Në atë rast, nuk obligohen që të shesin edhe shtesën mbi kapital.
Nëse kapitali qëndron mbi një vit, detyrohen të llogarisin vlerën e pasurisë, për shkak të zeqatit. E nëse ka edhe fitim, më e logjikshmja do të ishte që zeqati për pjesën që i takon të angazhuarit ta japë vet ai, pasi që ai është pronari i qartë i asaj pjese të fitimit.

I angazhuari nuk mund të shkojë në një vend tjetër për të blerë mall pa lejen e pronarit të kapitalit.(Sipas Imam Hanefisë, në kohëra të sigurta mund të shkojë.)

Nëse shkon (pa leje), blerja është e vlefshme, por vet i paguan harxhimet e udhëtimit. E nëse shkon me lejen e pronarit të kapitalit, atëherë harxhimet e udhëtimit, transportit të mallit dhe të ruajtjes së mallit i paguan pronari i kapitalit.
Gjithashtu, harxhimet e matjes dhe transportet që nuk janë të zakonshme për tregtarin do të shkojnë në llogari të pronarit të kapitalit. Për mbështjellje të rrobave dhe punë tjera të lehta, harxhimet i llogariten punëtorit.

Është obligim i punëtorit që të bartë harxhimet e ushqimit dhe banimit për vete në vendin e tij. Qiranë e dyqanit nuk e paguan. Nëse obligohet të shkojë jashtë për tregti, të gjitha harxhimet shkojnë në llogari të pronarit të kapitalit. Kur kthehet nga rruga, i angazhuari obligohet të kthejë gjërat e nevojshme për rrugë si ibriku, sofrabesi e të ngjashme.

Burimi: Rregullat e sjelljes gjatë fitimit dhe sigurimit të jetesës, Imam Gazaliu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit