-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Kanuni i Lekë Dukagjinit, ana tjetër e medaljes

Më të lexuarat

Kanuni i Lekë Dukagjinit, ana tjetër e medaljes
by paultedeschini më 31/05/2009
Tribuna Shqiptare

Nga Ajet Nuro

Një Konicë* i kohëve moderne me një libër në Internet kundër gjakmarrjes

Para disa ditësh, miku im Kadri Sherifi më njohu me projektin e tij për të përmbledhur shkrimet e tij që kanë si temë Kanunin (që njihet edhe si Kanuni i Lekë Dukagjinit) në një libër të botuar në linjë (Internet). E ndjeva si përgjegjësi por edhe si kënaqësi të shkruaja nja dy fjalë. Mund të quhet ky recension, mund të quhet analizë, le të marrë çfarë emri që meriton por qëllimi i këtij shkrimi është të tërheqë vëmendjen.

Kanuni i Lekë Dukagjinit apo … Kanuni i Neglizhencës?

Kanuni i Lekë Dukagjinit është një përmbledhje kodesh dhe rregullash në formë ligjesh që rregullonin jetën e përditëshme në disa nga principatat shqiptare mesjetare. Duke shërbyer si kushtetutë, për kohën kur të tjerët rreth nesh nuk kishin as ligje e as rregulla, Kanuni ka qenë krenaria e shqiptarëve. Madje, edhe sot ka nostalgjikë që krenohen me këtë kod që përbën një rudiment, për më tepër që pikërisht sot, në emër të këtij ligji, jashtë ligjeve të shteteve shqiptare, shuhen jetëra njerëzish, thyhen ëndrra, ngujohen mijra të tjerë dhe mbi kryesorja, kështu vritet e ardhmja e shqiptarëve kudo që ata jetojnë. Nëse në kohën e vet, Kanuni ka marr emrin e një princi si Lekë Dukagjini që nga dalja e artikullit fshikullues të Kadri Sherifit me titull “Kanuni i neglizhencës” tashmë Kanuni ka marr pikërisht emrin e këtij artikulli fanar. Kërkoni në Google titullin e këtij artikulli dhe do bindeni edhe vet për rrezatimin dhe efektin e këtij shkrimi në një kohë shumë të shkurtër.

Sikur Konica të ishte gjallë…

Ndryshe nga Naim Frashëri që i bëri shqiptarët ta donin vendin e tyre me romantizmin me të cilin ai e shihte Shqipërinë (natyrën e bukur…) duke i prekur në sedër me ato vargje të ëmbla e delikate aq sa bashkëkombasit e tij do të ndiheshin keq po të mos e donin atë vend të bekuar që të ep nder, Konica i kritikonte shqiptarët për sëmundjet e tyre të kohës që sigurisht nuk ishin objekt i këngëve të Naimit. Por, që të dy këto figura madhështore të letërsisë dhe mendimit shqiptar kishin të përbashkëtën e tyre: dashurinë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kush i ka lexuar shkrimet e bashkatdhetarit Kadri Sherifi por sidomos kush ka folur e diskutuar me të (jam një prej tyre) konstaton se pena e tij është një penë Konice. Kadri Sherifi në qendër të shkrimeve të tij ka pikërisht Kanunin por edhe zakone të tjera që i pengon shqiptarët të ecin para si të tjerët.

Lexoni tek “Mesjeta në mesditë”: Nëse flia është ushqimi kombëtar kosovar, OKB-ja nuk duhet ta pranojë Kosovën si anëtare! Çfarë kontributi mund t’i japë asaj organizate një popull që ha fli? Një popull me psikologji të komplikuar si flia! Një popull të cilit nuk ia vret ndërgjegjen ideja e flisë, është në gjendje të bëjë dhe të gëlltisë edhe absurditete tjera të të njëjtit nivel.

Çfarë sarkazme. Çfarë komenti mund të shtosh në këtë pikë?! Nuk di nëse Konica po të ishte gjallë do thoshte më shumë për t’i përgjegjësuar kosovarët që duan të bëjnë një shtet. Shteti i ri duhet t’i japë kontribut njerëzimit si i tillë e jo të jetë nën mëshirën e të tjerëve për shkak të psikologjisë së komplikuar të një pjese të popullatës…

Një libër “virtual”

Kadri Sherifi është i njohur në libraritë frankofone për disa libra të tij. Përmendim këtu: L’Interprète: communicateur ou transmetteur, Clé en main: techniques de prononciation du français…. Pra, për të nuk është e vështirë të përgatisë dhe botojë një libër. Por, duke e shkruar një libër dhe duke e vënë në linjë për tu lexuar nga të gjithë, ai e ndihmon një çështje që përbën një shqetësim për shqiptarët: gjakmarrjen. Ai e ndihmon edhe një tjetër që ndoshta ende nuk është një shqetësim për shqiptarët por që sot në botë është kthyer në shqetësim madhor: ambienti. Si përparësi të tjera për botimin në Internet mund të përmendim faktet që vëllimi në fjalë nuk është i censuruar nga askush, nuk është përdorur në të një gjuhë e komplikuar për t’u larguar nga lexuesi gjoja se për t’i rritur nivelin shkrimit për shitje. Ky libër nuk kushton asgjë për ta lexuar por edhe, e theksojmë prap, botimi i tij në linjë nuk është kundër mjedisit sepse kursen disa të shkurtuara druri.

Nuk dua të zgjatem shumë në atë që mund ta konstatoni vetë me një KLIK në adresën SiViS.net vetëm po i shtoj dy fjalë për gjuhën. Libri është shkruar në një gjuhë të lehtë dhe autori ka marr masat që shkronjat të jenë të mëdha për të favorizuar leximin. I përbërë nga 10 kapituj, volumi në fjalë ka rreth 14.000 fjalë.

Kam frikë se lexuesi shqiptar nuk është ende i përgatitur të çmojë shkrimet e Internetit, mjetit më demokratik të informimit. Profesorët e letërsisë, të drejtësise, të sociologjisë… ndoshta nuk do t’a fustin këtë vepër në listën e librave për të lexuar qoftë në vitet e fundit të shkollës fillore, të mesmes dhe universitetit sepse në planet e tyre është i paraparë shablloni: emri i autorit, shtëpia botuese, viti i botimit… e kështu me radhë – por ende jo… adresa Internet.

Sa i përket tonit, vetëm fillimi i veprës është pak argumentues por leximi i tërë librit është tepër interesant falë një gjuhe shumë të larmishme apo të ngjyrosur. Pra, përdoret një ton komik, pak a shumë si ai i një të hidhëruari i cili jep argumente dhe bën krahasime që të bëjnë të qeshësh edhe pse e di se nuk duhet.

Në një citat tjetër në kapitullin me titull Dasma torollake thuhet: “Dasma tradicionale e ka hedhur në erë gjithë ekonominë e famijles dhe asaj i është dashur një kohë e gjatë për ta marrë veten. Papritmas bëheni filozof dhe ju kaplon një pyetje në lidhje me investimet e këqija apo torollake: Cili popull, përveç atij i cili e ka të skalitur në traditë të flakë gjithë ekonominë e familjes për një dasmë, e ka investuar gjithë ekonominë e shtetit për të ndërtuar bunkera?”

Dihet se në Kanun ka rregulla ose ligje edhe për dasmën, por siç thotë Kadriu, Kanuni nuk jep receta se si mbillen, kultivohen dhe përdoren patatet në receta, sepse kjo gjë do të ishte në interes ekonomik të shqiptareve…. Ndërsa Kanuni është kundër interesave ekonomike të shqiptarëve!
Për ata që do të guxojnë ta lexojnë librin

Mbase ka qindra tema që ju propozohen çdo ditë, ju besoj kur thoni se jo të gjitha janë interesante. Por ajo çka ju propozon vëllimi Kanuni i Neglizhencës është interesante për të gjithë. Sigurisht, ai kryeplaku i fshatit në malet e veriut (apo edhe të jugut…) që interpreton Kanunin i cili urdhëron marrjen e gjakut nuk di të lexojë. Edhe nëse di të lexojë (duke e pasur parasysh se ka edhe kompjuterin…) ai nuk do të dojë ta lexojë anën tjetër të medaljes së Kanunit të Lekë Dukagjinit. Nuk ka njeri më të shurdhër se ai që nuk do të dëgjojë! Bile edhe disa që e kanë për detyrë t’i japin fund këtij fenomeni nuk do të duan ta lexojnë këtë libër. Jo të gjithë janë të interesuar t’i japin fund këtij rrethi vicioz. Pra, daullja bie për ata që kanë vesh. Për mua, ty, e të gjithë sa na rrethojnë ne. Gjithë ata që quhen shqiptarë, duhet të ndryshojnë diçka. Përmbysja e së keqes bëhet kur ne që e mbartim do të kemi guximin ta hedhim tej.

Po klasa politike ? Ndoshta nuk mund të akuzojmë klasën politike për krijuar një fenomen të tillë por ajo do të akuzohet nëse do të qëndrojë indiferente. Një peticion është hartuar (Kadri Sherifi ka qenë nismëtari…) dhe në shtator do organizohet edhe një javë aktivitetesh kundër gjakmarrjes nga TribunaShqiptare.com. Do të ketë ndonjë ndikim? Varet nga unë, ti, ai, ajo, ne… askush nuk mund të thotë: “nuk më përket mua ta zgjidh këtë çëshje”. Sepse ajo është një çështje mbarëshqiptare…

Të dhënat:
Kanuni i Neglizhencës

Titulli: Kanuni i Neglizhencës.
Nëntitulli: A mund të çrrënjoset gjakmarrja nga mentaliteti shqiptar?
Forma: Variacione me të njëjtën temë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit