-0.5 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Kanuni i Lekë Dugagjinit vazhdon të ngujojë

Më të lexuarat

Fiks Fare rikthen në vëmendjen e publikut gjakmarrjen, një plagë e hershme e shoqërisë sonë, e cila vazhdon të jetë e pranishme, sidomos në zonat e Veriut. Emisioni investigativ e trajtoi këtë fenomen nëpërmjet historisë së tre familjeve në Tropojë, të ngujuara për vite me radhë, shqetësimet kryesore të tyre dhe apelin që i bëjnë shtetit për një jetë normale. Ata rrëfejnë frikën me të cilën jetojnë çdo ditë përballë vështirësive të shumta ekonomike dhe sociale.

Historitë e këtyre familjeve nuk u përkasin vetëm fshatrave të thella të Tropojës, siç janë “Lekbibaj” dhe “Paqe”, por dhe qytetit “Bajram Curri”.

Të shoqëruar nga pajtimtarët e gjaqeve grupi i xhirimit ndalet fillimisht në qytetin “Bajram Curri”, në familjen Biberi, e cila qëndron e ngujuar prej 3 vitesh, kryefamiljari thotë se janë përfshirë në një konflikt më një familje në Dragobi dhe për pasojë nipi i tij ka vrarë një djalë 27 vjeçar. Ai thotë “qëndrojmë të gjithë të ngujuar, i madh dhe i vogël”. Me lot në sy djali i vetëm i kësaj familje, i diplomuar për drejtësi apelon vetëm për një gjë, liri. Një pjesë e kësaj familje jeton në fshatin Paqe, por historia që tregon nëna e vrasësit, i cili po vuan dënimin në burg, pohon se familja e saj paqen nuk e njeh prej tre vitesh. Ajo shprehet “kur mora vesh se djali im vrau një djalë tjetër 27 vjeçar ndjeva një dhimbje të madhe, pasi vura veten në vendin e nënës që e humbi përgjithmonë të birin”.

Lekbibaj është zona me më shumë probleme të kësaj natyre, pajtimtarët e gjaqeve që shoqërojnë grupin e xhirimit për në këtë krahinë thonë se ka vite që nuk po arrijmë më pajtime. Nuk lënë pa përmendur komunizmin, si një kohë që i mbyllte këto probleme. “Në atë kohë mblidhej një komision dhe paguante familjen e të ndjerit, i thoshte bëj provë e vrit”, thotë Avdi Rexha njëri nga pajtimtarët.

Në familjen Ademi, në Lekbibaj plaga është akoma më e madhe. Vëllai i Pjetër Ademit ka vrarë një vajzë 18 vjeçare për një vijë uji. Pjetri tregon mes dhimbjes se me familjen e vajzës janë kushërinj dhe se kjo gjë ka ndodhur pa dashje edhe pse vëllai i tij po vuan dënimin në burg. Vajzës më të vogël të familjes i është privuar e drejta e shkollimit. I ati konfirmon se vajza e fitoi të drejtën e studimit, por në ato kushte nuk kishte se si të arsimohej. Vetë Anisa 20 vjeçare tregon për Fiksin se tani nuk mendon më për shkollën, por dëshiron vetëm që familja e saj të jenë mirë. “Kam një dëshirë, të jemi krejt mirë”, thotë Anisa mes lotësh.

Në drejtorinë arsimore Tropojë, drejtori thotë se nuk ka fëmijë që nuk shkojnë në shkollë për shkak të gjakmarrjes dhe se zonat që kanë qënë problematike janë përpjekur t’i zgjidhin, po ashtu Drejtori i Policisë së Qarkut Kukës thotë se nuk ka familje të ngujuara në Tropojë, për rastet e xhiruara ai thotë se nuk kemi asnjë ankesë apo denoncim.

Historitë nuk mbarojnë dhe emisioni Fiks fare do të vazhdojë edhe nesër me trajtimin e kësaj plage shqiptare./tch

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit