Gjermania në prag të vendimit të Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA), në lidhje me organizimin e Kampionatit Evropian në futboll “EURO 2024”, është duke u përballur me çështje që lidhen me racizmin, mitmarrjen dhe protesta të gjera.
Këshilli ekzekutiv i UEFA-s të enjten do të vendosë se kush do të jetë organizatori i Kampionatit Evropian në vitin 2024. Në prill të këtij viti, kandidaturë zyrtare dorëzuan Federata e Futbollit të Turqisë (TFF) dhe Federata e Futbollit të Gjermanisë (DFB). Turqia shpreson të jetë organizatori i Kampionatit Evropian për herë të parë, pas kandidimet të katërt radhazi.
Të premten, UEFA vlerësoi kandidaturën e Turqisë dhe Gjermanisë për “EURO 2024”.
Raporti përfshin informacion mbi gjendjen e stadiumeve, por edhe aspektet politike, sociale dhe ekologjike, së bashku me çështjet që lidhen me sigurinë, mobilitetin, akomodimin dhe kampet e trajnimit.
Sipas raportit të UEFA-s, katër nga dhjetë qytete gjermane që janë caktuar, nuk janë anëtarë të Koalicionit Evropian të Qyteteve Kundër Racizmit. Përveç kësaj, Reinhard Grindel, presidenti i DFB përballet me akuza për racizëm.
Në korrik, Mesut Özil, shtetas gjerman me origjinë turke, u largua nga përfaqësuesja gjermane dhe ku si arsye citoi diskriminimin racor. Özil gjithashtu theksoi se Grindel nuk e mbështeti atë kur mori mesazhe urrejtjeje, telefonata kërcënuese dhe komente raciste në rrjetet sociale. Presidenti i DFB-së më vonë pranoi se nuk kishte bërë mjaftueshëm për të mbrojtur Özilin.
Tifozët gjermanë vazhdojnë të protestojnë kundër kandidaturës për organizimin e “EURO 2024”. Gjatë ndeshjes së të shtunës ndërmjet Augsburgut dhe Werderit, fansat brohorisnin kundër kandidaturës.
Ngjashëm ishte edhe në Dresden, ku tifozët e ekipit të ligës së dytë Dynamo, mbanin transparentë me mbishkrimin: “Nuk kemi nevojë për turnire me euro. Kemi nevojë për ndryshime”.
Të premten, tifozët e Shtutgartit zbuluan një transparentë: “Paraja që bashkon: të korruptuar në qendër të Evropës”, duke aluduar në kandidaturën e Gjermanisë: “Futbolli që bashkon: së bashku në qendër të Evropës”.
Vitet e fundit, DFB është përfshirë në skandale që lidhen me racizmin dhe me mashtrimet.
Gazeta javore gjermane “Der Spiegel” në vitin 2015 pohoi se FF e Gjermanisë pagoi 6.7 milionë euro për organizimin e Botërorit 2006.
Wolfgang Niersbach, president i atëhershëm i DFB-së, u detyrua të japë dorëheqje për pretendimet për ryshfet ndërsa Federata Botërore e Futbollit (FIFA) e suspendoi nga futbolli për një vit./AA