2 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Kandidatja, një profesore e etikës për ta ndryshuar politikën

Më të lexuarat

Merjeme Uka është një ndër kandidatet për të qenë pjesë e parlamentit të Kosovës pas zgjedhjeve të 11 qershorit. Vjen nga fusha e arsimit. Eshtë profesoreshë e etikës dhe do garojë nën siglën e Partisë së Drejtësisë. Në një bashkëbisedim me të, është interesante të vihet re vizioni i saj politik. E sheh atë si një afirmim moral, duke iu qasur pikërisht nga etika. Dhe pra, me atë çfarë posedon si aftësi, por dhe si kredo, ajo e sheh veten si një “gur” kontribuues në një tjetër ngrehinë politike që i duhet Kosovës. Dhe ja se si…

Bisedoi: Shkëlzen Rrecaj

Një profesore e etikës në vendin ku etika është në krizë! Shumë intriguese kjo. Do ju pëlqente që investimin personal në politikë ta kishit dhe në këtë pikë, pra tek një ndryshim etik më së pari?

Etika është rrënja kryesore e njeriut, e familjes dhe e shoqërisë. Etika, pra “morali”ose si i themi shqip “Nderi dhe Ndershmëria”, për njeriun dhe shoqërinë është dhe duhet të jetë si “rrapi”që ka rrënjët shumë thellë në tokë që nuk e lëkund dot asnjë stuhi.

Këtë nuk e them se jam profesoreshe e po kësaj lënde që sa vite, por e them se njeriu, ju, unë dhe çdo njeri nga mëngjesi deri në darkë flet për nder, për moral, për etikë. Eshtë për të ardhur keq por etikën e kemi shumë problematike në shoqërinë tonë. Bile kur bëhet fjala për moral e ndershmëri në politikë, lë shumë pë të dëshiruar… Morali, nderi është çelësi kryesor që neve na ka mbajtur gjallë si njerqz dhe si komb.

Moralin edhe pse e shofim vetqm si vetjak, nuk mund të themi që është i tillë. Morali është vetjak, është familjar, është shoqëror, është kombëtar. Për këtë, mendimi im është që gjendja jonë aktuale politike, problemin më të madh e kame etikën, pra me moralin. Politikani i pandershëm s’lë gjë pa bërë. Ai shet nderin,veten dhe familjen e vet; ai shet rrethin e vet; ai shet Kosoven e krejt kombin shqiptar. Ne, mos të kishim moralin, nderin e besën s’do ishim sot më si shqiptarë në këtë tokë që na e ka falë i madhi Zot.

Është për të ardhur keq që me vërtetë pika kryesore e krizës së vendit tonë është etika, është morali. Une pikërisht në këtë fushë do japë të pamundurën të bëhen rregullime. Për ne shqiptarët kjo është pikë shumë delikate dhe në asnjë mënyrë shqiptari për nder nuk pranon negociata. S’duhet t’i biem mohit asaj vlere që familja jonë ka trashëguar për ne, se po i ramë mohit vlerave tona, s’do ja arrisim kurrë një të ardhmeje më të mirë.

A ka realisht krizë etike politika kosovare? Nëse po, ku shfaqet dhe si shfaqet? Është thjesht çështje komunikimi apo dhe diç më tepër se kaq?

S’kemi si mund ta quajmë ndryshe këtë akualitet politik. Biles nuk duhet ta kufizojmë veç me Kosovën tonë. Shikojeni e gjithë rajonin, shikojeni se në çfarë krize politike dhe etike janë e gjitha trevat shqiptare.

Kjo krizë shfaqet në të gjithë aspektin politik. Investimet e huaja direkte apo indirekte, statistikat si makro ashtu dhe mikro ekonomike tregojnë vetë se kemi një krizë. Investimi kërkon stabilitet politik; por politika jonë ka probleme shumë. Kriza jonë fillon nga etika. Një shtet shumë i ri nga pikëpamja historike që rri duke ndërruar vazhdimisht qeveritë, tregon që ka probleme dhe është shumë larg stabilitetit.

Kam vendos me një besim të palëkundur për çka dua të bëj për popullin tim. Kam vite të tëra, për mbi një dekatë që punoj e përgatis veten për të punuar e shërbyer popullit edhe më shumë. Për këtë kërkoj votën, dhe jam e sigurtë që unë të paktën do ta vendos një gur shumë të madh në themelin e etikës politike të Kosovës; ku me kohën ai gur që do të vendos unë do të bëhet shembull e do t’i japë frutat e duhura politikës e polikbërësve tanë. Sepse siç e thashë dhe më parë, etika dhe morali është guri i themelit të ekzistencës tonë.

A ka qenë prania juaj në politikë pjesë e një vizioni individual, apo është nga ato befasitë që të dhuron jeta dhe të ngjan sikur je në ëndërr?

Në fakt kjo është një pyetje që më bëhet shpesh. Dhe u jam përgjigjur vazhdimisht. Por për tesheshi.com po e them një përgjigje pak më gjërë. Unë si njeri nuk e kam besuar asnjëherë në jetën time deri në këtë moshë që gjërat nodhin rastësisht, sepse çdo gjë ka një sebep, biles dhe ëndrrat.

Politika për mua është vizion individual. Më kujtohet ajo fjala që thotë se “Politika është arti i të pamundurës”; për këtë fakt duhet ta dimë se me politikë të moralshme të pamundurën e arrin ta bësh art, ku me të mund të bësh shumë e më shumë për popullin tënd.

Prej dekadash, për tj’a arritur këtij vizioni vazhdimësinë kam pas mbeshtetje të fortë. Më lejoni të shpreh dhe të falenderoj këtu mbështetjen e prindërve të mi kur isha e re. Pas martese mbështetjen më të madhe pa asnjë hezitim e kam gjithnjë nga bashkëshorti im së bashku me dy familjet tona, që falë të madhit Zot i kemi familje që janë shembull nga çdo aspekt në Prizren, Kosovë e mbarë trevat shqiptare. Këtu do përmendi edhe ndihmën e birit tim, që tani është bërë burrë dhe e kam si vëlla, asistent dhe këshilltar, Eljesi.

Është e vërtetë që ëndërrat janëshumë të bukura dhe kanë ndikim ndoshta tek shumë njerëz me sa kam pa, dëgjuar e lexuar. Por për mua fillimi dhe udhëtimi sa do i gjatë të jetë në realitet nuk fillon me ëndrra. Sepse koherenca e ëndrrës është e shkurtër dhe kur të del gjumi, ajo mbaron dhe pa asnjë realitet. E po vazhdove jetën me ëndrra apo si në ëndërr nuk munde me shku askund.

Njerëzit e mëdhej nuk shofin ëndërra, ata shofin realitetet dhe rezultatet e ëndrrave të mëdha për kombit të tyre.

Dhe pra nuk jeni në ëndërr. Realisht ju aspironi të jeni deputete e Kuvendit të Kosovës. Ngjan shumë populiste të thonit ato frazat e njohura tashmë “do i shërbej popullit”, “do jem me hallet e popullit të njerëzve” – këtë e thonë dhe ata që prej vitesh janë nëpushtet – por tej kësaj, ç’standart do donit të instalonit me modelin individual në politikëbërje?

Po, normal që aspirimi im është ky. Këtë aspirim e kam me mend në kokë dhe tani praktikë në botët reale, jo në ëndërr. Por s’pari pa i hy populizmit, dua të them që me sa kam pasë mundësi, unë si Mejreme kam bërë dhe i kam shërbyer popullit. Dhe normlisht pa ju kërkuar votën apo diçka tjetër, vetëm e vetëm për hir të të madhit Zot. Unë nuk i kam hyrë kësaj rruge për populizëm, por i kam hyrë me bë edhe shumë më shumë për popullin, për Kosoven tonë, për kombin tonë.

Ne në Kosovë por edhe tek gjithë shqiptarët,me sa kam parë si në Shqipëri e Maqedoni kemi një problem të madh mes të zgjedhurve e zgjedhësve, pra mes politikanëve e popullit. Vetëm në zgjedhje shofin njëri-tjetrin, më pas me u pa s’bëhet fjalë, e jo ma që të të zgjidhen problemet e hallet…

Këtë raport ne duhet ta ndryshojmë më patjetër. Unë do të bëhem deputete e popullit, përfaqësuesja e tij, që do të thotë shërbyesja e tij. Populli, pra votuesi do më japë një prokurë mua për ta përfaqësuar atë, që unë me bë shumë gjëra për të mirën e tij

Një shoqëri ka shumëçështje për të zgjidhur. Në rastin e Kosovës, cila mendoni se është priortare. Fjala vjen, duhet një reformë e thellë në arsim, por pret puna në një sektor tjetër. Pra, ku konsiston emergjenca?

Çështjet problematikë prioritare të Kosovës tonë janë shumë, nganjëherë edhe unë hezitoj se nga cila do t’ia filloj.

Normalisht që mbarë Kosova por dhe mbarë kombi shqitpar e dimë se arsimi është ndër problemet tona më kryesore. Dhe tani në këtë rrjedhë globale duhet të bindemi se pa arsim, dije dhe shkencë nuk ka të ardhur asnjë komb, asnjë popull, asnjë shoqëri. Jam e vetëdijshme dhe insistoj që arsimi është i vetmi investim që bëjmë dhe që e kemi të sigurtë që nuk rrezikojmë asnjë fije humbje me të. Nga arsimi, dija, shkenca del e mira, e nga injoranca del vetem e keqja. Me arsim e dije arrihen të dëshiruarat për njëriun, për popullin, për kombin.

Dhe një gjë tjetër që rrjedh nga besimi im dhe më brengos në zemër për arsimin është se urdhëri i parë i të madhit Zot për njëriun është “LEXO”. Ne, këtë urdhërin e Zotit e kemi kuptuar shumë thjeshtë, lexo e asgjë tjetër. Ose me një thënie të botës së sotshme globale dhe virtuale e shofin këtë leximin si një “likë”, dhe po hynë më thellë shko deri “lexo titullin e beri i like e vazhdo like’t për tjerë”. Po ashtu dhe përpara shumë pak kemi pasë që kanë lexuar, sepse të ishim të lexuar si duhet gjëndja jonë do ishte shumë më mirë se sa jemi.

E lexuara është arsimi, dija, shkenca, shpikja e veprimi për të mirën e vehtes, familjes, të shoqërisë, të popullit, të kombit e mbarë njerëzimit. Unë këtë kam kuptuar për vete që kur kam mësuar shkrim e lexim. Unë këtë jua jap, këtë jua them dhe jua kërkoj studentëve të mi. S’janë të barabartë ai që di e ai që nuk di. Në qoftë se duam të ardhme, fillimi është arsimi/dija/shkenca.

Do kandidonit për çdo parti nëse do iu kish ardhur një propozim, apo vetëm për Partinë e Drejtësisë?

Ne jetojmë në një shtet demokratik ku çdokush e thotë mendimin e vet, është e drejta e fjalës. Dhe kësaj nuk i ndërhyjmë dot, sepse nuk është etike. Por unë do thojsha që kur të flasim, ti qëndrojmë besnikë rregullave të etikës. Ne jemi shqiptarë dhe kemi kanun, besë e burrni. Shpifjet, intrigat, thashethëmet e gënjeshtërat nuk na shkojnë neve. Ma ka mësuar nëna ime një princip kur isha e vogël, dhe unë skam lëshuar e sdo lëshoj pe nga ai princip.

Ime nënë më thoshte: “O bija ime Mejreme, mos rrej, mos ban thashetheme, mos ja ha hakun kujt, se e vetmja gjë është që edhe i madhi Zot nuk ta falë. Edhe në qoftë në të keqën tande thuaje veç të drejtën. Edhe po nuk pate asnjë njeri përreth bëjë vetem të drejten, se Zoti të shef kudo të jesh”

Për ata që se dinë, le ta mësojnë tani që aktivizimiim politik në skenen e politikës ka filluar që kohë para. Po me këtë parti dhe jo me tjetër, ku unë jam pjesë e Partia e Drejtësi’së prej shumë kohësh dhe jo sot.

Unë tek kjo parti e kam gjetë vehten time, prej shumë kohësh. Siç e dini dhe ju që problem kryesor në Kosovë e kemi drejtësinë. Partia e Drejtësisë edhe pse elektorati është jo aq sa është dëshiruar deri më sot, ajo ka një kontribut shumë të madh dhe të pazevendësuar në politkën e Kosovës. Tani s’ka dyshim që do të rritet edhe më shumë me ndihmen e te madhit Zot.

Por unë si politikane e re në arenen e politikës, jam e vetdijshme se ku jam, pse jam, ça do bëj, si do e bëj, me kë do e bëj. Tani janë zyrtarizuar listat dhe unë jam aty ku kam qënë dhe ku duhet të jem.

Dhe në fund, a keni ndonjë aksiomë individuale që do ju shoqërojë në fushatë në bashkëbisedim me njerëzit, dhe cila është apo do ishte ajo?

Po normalisht që kam. Siç e thashë dhe më parë, që unë kam dalë në këtë udhëtim për ti shërbyer popullit të Kosovës dhe kombit tim. Kam aksiomë individuale dhe partiake në fushatë.

Unë kam një parti, dhe kandidoj nën siglen e Partisë për Drejtësi. Bashkëbisedimi me elektoratin një për një është parim i partisë tonë. Në flasim direkt me njerëzit. Po nuk folë direkt me njerëzit nuk je në gjëndje të jua dish hallet që kanë. Ne, çdo njëriu qoftë i partisë sonë apo jo i shtrëngojmë doren dhe i japim besën e shqiptarit për çdo gjë që e flasim, e premtojmë. Ne si parti,edhe unë si person, nuk e flasim atë që se mbajmë. Nuk kemi premtuar asnjëherë dhe nuk do premtojmë kurrë gjëra që ne sdo mund ti bëjmë. Në besojmë tek vetvetja jonë se puna jonë siç ka qënë deri më sot do jetë sa të jetë jeta veç për të mirën e popullit, për të mirën e Kosovës.

Politika jonë siç ka qënë gjithnjë, është e do të jetë me vepra de fakto (të kryera)më e mira e së drejtës për drejtësi, demokratike, konstruktive, gjithëpërfshirëse, respekton stilin e jetës të çdo etnie të popullit tonë të Kosovës, është garanci për çdo etni e fe, është garanci e çdo shtrese të shoqërisë sonë, është zhvillim, është e ardhmja e rinisë tonë, është besë e dhënë për çka flet e premton, është atdhedashuri, është institucionale, është larg gjuhës së keqe, është liri, është jo-izolim, është paqes, e shpresës, është etikë, është moral, është vlerë, është besim. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit