Një ish i burgosur kanadez, i cili ishte deklaruar fajtor për vrasjen e një ushtari amerikan në Afganistan, ka marrë një pagesë prej miliona dollarësh nga qeveria e Kanadasë, pasi gjykata konkludoi se të drejtat e tij ishin abuzuar, dhe se ishte burgosur duke qenë i mitur.
Një zyrtar kanadez konfirmoi se Omar Khadr ishte dëmshpërblyer me 8 milionë dollarë.
Khadr, i cil ikishte lindur dhe ishte rritur në Kanada, ishte 15 vjeçar kur u kap nga trupat amerikane pas një sulmi me armë zjarri në një kompleks të al-Kaedës në Afganistan. Ky sulm kishte rezultuar me vdekjen e një ushtari amerikan të forcave speciale.
Khadr i cili ishte i dyshuar për hedhjen e granatës, u dërgua në Guantanamo dhe përfundimisht u akuzua për krime lufte nga një komision ushtarak.
Ai u shpall fajtor në vitin 2010 për akuzat që përfshinin vrasje, dhe u dënua me tetë vjet plus kohën që kishte kaluar tashmë në paraburgim.
Ai u kthye në Kanada dy vjet më vonë për të kryer pjesën e mbetur të dënimit të tij dhe u lirua në maj të vitit 2015 në pritje të një ankese, pasi ai tha se krimin e kishte kryer duke qenë i detyruar.
Khadri qëndroi për 10 vjet në Guantanamo. Rasti i tij mori vëmendje ndërkombëtare pasi ai ishte ende fëmijë.
Ai ishte i burgosuri më i ri perëndimor i mbajtur në burgun ushtarak amerikan në gjirin e Guantanamos në Kubë.