-0.4 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

“Kamila Chocolate”, fabrika e turkut me origjinë nga Kosova

Më të lexuarat

Çokollata është një ëmbëlsirë ndër më të dashurat në botë. 

Ajo prodhohet nëpër vende të ndryshme botërore, nga marka shumë të njohura, prandaj hyrja në këtë biznes, përkatësisht në këtë konkurrencë shpesh shihet si e papërballueshme. 
Në Kosovë çokollatat vinë nga shumë vende, posaçërisht vinë nga vendet evropiane, nga shtetet tashmë lider në këtë fushë. 

Por, tashmë disa vite shijohet edhe çokollata vendore. Çokollatën kosovare në realitet nuk e shijojnë vetëm vendorët, por e shijojnë me kënaqësi edhe njerëzit nga të gjitha kontinentet e kësaj bote.

Fjala është për çokollatën Kamila, e cila prodhohet në një fabrikë në Prizren. 

Fabrika paraqet investim të një shtetasi turk me origjinë nga Kosova, tregon për Radion Zëri i Turqisë drejtori Muhamet Doblibara. 

“Kamila Chocolate”, fabrika e turkut me origjinë nga Kosova

MD: “Kamila është një biznes me kapital 100% privat, është pronar shtetas i Turqisë, me prejardhje nga Kosova. E hapur në Gjakovë me 28.12.2007 është regjistruar si biznes, kurse faktikisht me 01. 01. 2008 ka startua në Gjakovë, deri më 31 janar 2011. Nga 1 shkurt 2011 kemi kalua në Prizren ku ka fillua ndërtimi i fabrikës, ka zgjat deri kah fundi i vitit kur edhe është bërë hapja zyrtare në muajin gusht.”

MS: Gjatë vizitës në fabrikë, pronari Shenkardesh ndodhej në Turqi. Kurse drejtori i fabrikës, Doblibara na informoi se në çfarë mënyre është themeluar fabrika:

MD: “Themeluesi i Kamilës z. Erdal Shenkardesh ka qenë blerës ekskluziv i prodhimeve të Mozartit në Gjakovë, për dy vite. Mozarti ka prodhua çokollatë në Gjakovë. Kurse në atë kohë e merë objektin e Mozartt-it me gjithë pajisje me qira. Punon siç thash deri në fund të janarit 2011. Pas asaj ka vazhdua biznesin e vet si Kamilë, si i vetmi pronar.”

MS: Investimet në Kosovë janë të vogla, me rënie të vazhdueshme. Nëpër media të Kosovës shpesh kritikohen institucionet për trajtim jo të duhur të investitorëve. Pa probleme, nuk kishte kaluar as ky investitor, njofton drejtori Doblibara.

MD: “Në fillim nuk kemi pasur kurrfarë problemi, se unë kam qenë prej ditës së parë kur është hapur Kamila. Nuk kemi pas problem të veçantë me institucione, me përjashtim se në Gjakovëkur ka kërkuar lokacionin për ndërtimin e fabrikës, është neglizhuar disa muaj derisa e ka humbur durimin dhe ka kaluar në Prizren. Kurse në Prizren i është mundësuar kjo parcelë ku jemi edhe sot. Ndryshe, ndihmë morale kemi gjetur mjaft në Kosovë, por ndihmë materiale lirisht po them asnjë cent. Jo se s’kemi kërkuar, por s’kemi gjet mbështetje.”

MS: Pas investimit disa milionësh në objektin e fabrikës në hyrje të Prizrenit, është kërkuar ndihmë nga shteti për ndërtimin e infrastrukturës rrugore, por investitori në fund është detyruar të shtrojë rrugën vet. Drejtori i cili çdo ditë udhëton nga Gjakova për të punuar në këtë fabrikë, këtë e sheh si mangësi në Kosovë, duke shtuar se investitorit duhet me i dal në ndihmë.

MD: “Përndryshe, ky investitor ka menduar të largohet nga Kosova duke e pasur shumë maltretime, por për shkak se prejardhja e tij është kosovare edhe jo fort moti të dalë, në vitet ’57 janë larguar nga Kosova kur kanë qenë dyndjet masive. Thotë se ka pasur obligim ndaj babës, i cili para pak ditë i ka vdekur pronarit. I kishte thënë: unë jam ikë nga sllavi, ju po doni të më dërgoni tek sllavi. Ka kërkua me shkua në Maqedoni për shkak të benefiteve që i ka ofrua Maqedonia. Por ka fillua, ka investua në një objekt me të gjitha standardet, kemi HACCP, ISO, kemi tregun.” 

“Kamila Chocolate”, fabrika e turkut me origjinë nga Kosova

MS: Drejtori Muhamet Doblibara, thotë se janë bërë mbi 4 milionë euro investime, ku përfshihen objekti dhe makineria. Fabrika në fjalë, përveç prodhimit të çokollatës, prodhon edhe disa ëmbëlsira tjera. 

MD: “Kemi filluar me çokollatë, kurse kemi zgjerua kapacitetin me bombone, sheqerka, dhe si e fundit është keksi i veshur me çokollatë. Por nuk është e shfrytëzuar as 60%-70% e kapacitetit, por si investim i madh ka nevojë me prit pak kohë për ndonjë program tjetër. Mbështetje nuk kemi gjet. Kemi kërkua, kemi prit që do të na ndihmojnë edhe me grante prej Ministrisë së Tregtisë që i kanë ndarë para pak kohësh, me BE-në. Sipas nesh besoj se të gjitha kushtet i kemi përmbush por nuk kemi marrë asnjë cent mbështetje.”

MS: Për sa i përket fuqisë punëtore, që janë mbi 100, vinë kryesisht nga Prizreni e rrethina:

MD: “Kryesisht janë të malësisë dhe të Korishës. Një pjesë tjetër është e Prizrenit, një numër më i vogël jemi prej Gjakovës.”

MS: Po si janë kushtet e punës?

MD: “Si firmë private jemi për lakmi. Nuk kemi punëtorë që nuk ka kontratë të punës gjë që nuk është e zakonshme në Kosovë. Nuk kemi një cent të papaguar në Trustin e Pensionit. Nuk kemi asnjë javë vonesë në të ardhurat personale, prej ditës së parë kur ka filluar Kamila, e deri më sot. Kemi ushqimin si dhe transportin e punëtorëve të siguruar. Kemi pushim vjetor, kemi pushimin e lehonisë.”

MS: Përveç drejtorit, edhe vet punëtorët shprehen të kënaqur me kushtet e punës dhe trajtimin në këtë fabrikë:

Punëtore1: Ton: “Punoj qe tre vite këtu. Jemi të kënaqur me kushte me rroga. Ashtu si punojmë kemi të ardhura, edhe pas orarit shtesat paguhen. Në krahasim me firmat e tjera në Kosovë ne e kemi shumë mirë.”

MS: Në fabrikën Kamila, përveç punëtorëve shqiptarë punojnë edhe ata turq, të cilët poashtu shprehen të lumtur:

Punëtore2: “Janë bërë tre vite që punojë këtu, që nga hapja e fabrikës. Shumë mirë është këtu shumë jam e kënaqur me kushtet e punës. Na janë plotësuar të gjitha kushtet e punës, prandaj nuk kemi asnjë problem, tash e tre vite. Edhe pas kësaj nuk besoj se do të ballafaqohemi me ndonjë problem.”

“Kamila Chocolate”, fabrika e turkut me origjinë nga Kosova

MS: Në fabrikë ka edhe punëtore boshnjake:

Punëtore3: “Shumë mirë është. Jam e kënaqur me punën, me stafin. Unë jam një boshnjake në mesin e punëtorëve shqiptarë e turq, por jam shumë e kënaqur. Vetëm respekt. “

MS: Puna e vyeshme e këtyre punëtoreve, si dhe e menaxhmentit ka bërë që fabrika më shumë të shet produkte jashtë sesa brenda Kosovës.

MD: “Po flas për vitin 2014, 83% kemi eksport, kurse 17% kemi shitje në Kosovë. Eksportin e kemi në 30 shtete të botës. Se jemi në të gjitha kontinentet thjesht.”

MS: D.m.th Kamila e plotëson atë hendekun e madh që e ka Kosova për sa i përket eksportit?

MD: “Mund të them se po. Janë nja 2900 tonë eksport në vitin 2014. Vlera e shitjes, gjithsejtë kemi 3.500.000,00 euro shitje bashkë me tregun e Kosovës, në vitin 2014.”

MS: Janë shumë shtete botërore ku shijohen çokollatat edhe bonbonet e Kamilës, shpjegon përgjegjësi për eksport, Dren Dollambari:

DD: “Sipas shteteve ku ne dërgojmë mallra, vijnë kryesisht së pari shtetet e Arabisë dhe të Lindjes së Mesme. P.sh. Arabia Saudite, Katari, Omani, Bahrejni, në Dubai qojmë në Emiratet e Bashkuara. Pastaj dërgojmë edhe në Irak, në Azerbajxhan. Prej shteteve arabe në Afrikë janë Egjipti, Libia, Sudani dhe Algjeria.”

MS: Përveç këtyre shteteve, Kamila eksporton edhe nëpër Europë:

DD: “Nga shtetet e Ballkanit, thuajse në të gjitha shtetet dërgojmë mall, përveç Bullgarisë ku ende nuk kemi filluar. Në Greqi, në Serbi, Mal të Zi, dërgojmë mall, në Maqedoni e Shqipëri. Nga Europa e kemi Çekinë e Holandën, një sasi kemi dërguar edhe në Belgjikë e Gjermani.”

“Kamila Chocolate”, fabrika e turkut me origjinë nga Kosova

MS: Dollambari thotë se Kosova përmes Kamilës tani eksporton edhe në disa vende shumë specifike:

DD: “Disa shtete që i kisha përmend e që ia vlen të përmenden, e që nuk ma merë mendja që ndonjë kompani në Kosovë ka dërgua mall ndonjëherë është Mauritania, është Kolumbia ku kemi pas tri dërgesa atje, është Mianmar (Birmani), që nuk ma merë mendja që kanë dëgjuar aq shumë, edhe në Maldive kemi dërgua mall.”

MS: Po sa është vështirë të eksportohet një produkt Made in Kosova?

DD: “Po tash kur po themi nga Kosova, ndonjë nga shtete edhe nuk po dinë saktë se ku është Kosova. Por pastaj, kur po iu tregojmë se është në Ballkan, në Europë atëherë po shikojnë me një sy më të mirë. Edhe kjo e ka epërsinë e vet se Kosova ndodhet në Europë edhe po e marrin si produkt i Europës.”

MS: Përgjegjësi për eksport në Kamila thotë se kanë edhe disa kërkesa nga blerësit e produkteve të tyre:

DD: “Në të gjitha produktet tona shënohet se janë me origjinë kosovare, por në të njëjtën kohë kemi edhe prej disa klientëve që eksportojmë atje që kërkojnë të shkruajmë se është produkt nga Kosova dhe njëkohësisht se është në kontinentin e Europës.”

MS: Dreni thotë se vendndodhja e Kosovës në Europë po krijon epërsi për sa i përket eksportit në vendet jashtë evropiane:

DD: “Po krijon një epërsi, posaçërisht në krahasim me vendet që kanë një nivel më të ultë, atëherë ne po kemi një imazh më të mirë.”

“Kamila Chocolate”, fabrika e turkut me origjinë nga Kosova

MS: Dreni thotë se në vendet e Arabisë Saudite po mund të plasojnë produktin edhe pa qenë i certifikuar si Hallall:

DD: “Nuk jemi të certifikuar ende me Hallall por kemi në plan.”

MS: D.m.th nuk është problem?

DD: “Nuk është problem ngase është një besim ndërmjet klientit edhe shitësit. Ata edhe po dinë se Kosova është një vend me popullsi shumicë myslimane edhe nuk po ka shumë problem për ta blerë produktin tonë. Edhe gjithashtu në përmbajtje të produkteve i kemi të gjitha përmbajtjet e shënuara nëpër ambalazh edhe shohin se nuk përdorim ndonjë produkt që është ndaluar nga ana e tyre.”

MS: Dren Dollambari thotë se ndihen shumë të lumtur që ndihmojnë Kosovën në rritjen e eksportit:

DD: “Jemi shumë të kënaqur se jemi njëra prej kompanive të Kosovës që eksportojmë e që është shumë me rëndësi për Kosovën. Dihet se Kosova është një shtet që më së shumti importon mallra dhe ka deficit të eksportit. Ka nevojë shumë më shumë të bëhen investime në Kosovë për të shtuar eksportin e për të sjellë të ardhura brenda shtetit.”

MS: Kështu, ky investim i një qytetari nga Turqia me prejardhje nga Kosova është treguar shumë i suksesshëm për një kohë relativisht të shkurtë. Kjo gjë ka bërë që të rriten aspiratat dhe përgatiten planet për të ardhmen. E ato sipas drejtuesve të “Kamilas” janë zgjerimi i asortimentit dhe rritja e eksportit që do të siguronte shfrytëzim të plotë të kapaciteteve prodhuese.

– Realizoi për TRT Shqip M.Saragjolli, Kosovë –

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit