Raportimi i shërbimit qendror të REL-it zbuloi përdorimin në rritje të kamerave të prodhuara nga Kina në vendet që janë ose anëtare të BE-së dhe NATO-s ose që aspirojnë të anëtarësohen, duke përfshirë Kosovën, dhe ku qeveritë e ndërgjegjshme për buxhetin, po kthehen gjithnjë e më shumë drejt kompanive kineze të përballueshme.
Të dhëna publike në baza kombëtare lidhur me kamerat e vëzhgimit, nuk ekzistojnë për shumicën e vendeve.
Mirëpo, të dhënat e grumbulluara nga REL-i tregojnë se Dahua dhe Hikvision – dy kompani kineze pjesërisht shtetërore që janë ndër ofruesit kryesorë në botë të sistemeve të mbikëqyrjes – dominojnë tregjet në Hungari, Serbi, Rumani, Moldavi, Ukrainë, Bosnje e Hercegovinë, Kosovë, Bullgari dhe Gjeorgji.
“Dallimi më i madh midis këtyre [firmave kineze] dhe të tjerave është se kompanitë e tjera nuk kanë një katalog kaq të gjerë të dobësive për t’u shfrytëzuar”, tha për Radion Evropa e Lirë Conor Healy, drejtor i kërkimit qeveritar në IPVM, një firmë kërkimore e industrisë së mbikëqyrjes.
“Në thelb, siguria ka të bëjë me planifikimin e kërcënimeve të mundshme dhe qeveritë dhe organizatat e sigurisë kombëtare duhet të përqendrohen në këtë”.
Raportimi i Radios Evropa e Lirë tregon se, pavarësisht nga rritja e vetëdijes në kryeqytetet perëndimore për një varësi të tepruar në teknologjinë kineze për infrastruktura kritike, kamerat Dahua dhe Hikvision janë në përdorim edhe në vende të ndjeshme, duke përfshirë bazat ushtarake në Rumani dhe selitë speciale të policisë në Hungari, të cilat ekspertët thonë se i ekspozojnë ato ndaj hakerëve dhe kundërshtarëve të huaj.
Përderisa vende si Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Australia i kanë futur në listën e zezë të dy firmat, një ndalim i tillë nuk ekziston në Evropë.
Por, mes një vizite historike evropiane nga lideri kinez Xi Jinping që filloi më 5 maj, një mori skandalesh spiunazhi kinez në të gjithë kontinentin dhe një goditjeje nga BE-ja ndaj praktikave tregtare kineze, fuqia në rritje e këtyre kompanive në Evropë mund të shënojë një pikë kthese.
“Ne kemi parë që biseda të evoluojë me kalimin e kohës në vende si Shtetet e Bashkuara dhe të çojë në një ndalim, por është ende e paqartë se cilën rrugë do të ndjekin vendet evropiane,” shtoi Healy.
Hungaria
Nuk ka shifra zyrtare për numrin e kamerave të vëzhgimit të prodhuara në Kinë të blera nga Hungaria apo shtrirjen e përdorimit të teknologjisë kineze të njohjes së fytyrës atje.
Por, sipas Shodan, një softuer kërkimi për pajisjet e lidhura me internetin, ka 3.567 pajisje Dahua dhe 18.166 Hikvision që operojnë në vend.
Sipas faqes hungareze të lajmeve, Atlatszo, policia e Hungarisë nënshkroi kontratat e para me Dahuan në vitin 2017, duke nënshkruar marrëveshje për rojet kufitare të vendit dhe sistemin administrativ të policisë për të përdorur kamerat dhe softuerin e kompanisë.
Të dhënat e përpiluara nga Sistemi Elektrik i Prokurimit Publik të Hungarisë tregojnë se disa universitete dhe Akademia e Shkencave, kanë blerë produkte Hikvision.
Disa administrata lokale, si dhe policia e trazirave të Hungarisë përdorin gjithashtu kamerat e vëzhgimit të kompanisë kineze.
Megjithatë, në disa raste, përdorimi i produkteve kineze është ndaluar.
Në një rast në vitin 2023, prodhuesi gjerman i armëve Rheinmetall bllokoi përdorimin e kamerave kineze në fabrikën e tij në Hungarinë perëndimore.
Megjithatë, përdorimi i pajisjeve duket se do të rritet, veçanërisht pasi lidhjet midis Budapestit dhe Pekinit thellohen nën kryeministrin hungarez, Viktor Orban.
Në shkurt, Hungaria nënshkroi një marrëveshje sigurie me Kinën për të rritur bashkëpunimin midis agjencive të tyre të zbatimit të ligjit. Marrëveshja mund të çojë në patrullim të policisë kineze në pjesët më të qarkulluara të Budapestit, ku jeton diaspora më e madhe kineze në Evropën Qendrore.
Është e paqartë se si do të ndahen të dhënat dhe qasja në kamera midis zyrtarëve hungarezë dhe kinezë, por kjo situatë ka ngritur zile alarmi në Bruksel dhe në mesin e aktivistëve kinezë jashtë shtetit.
Ukrainë
Qindra mijëra kamera Dahua dhe Hikvision janë instaluar në të gjithë Ukrainën, sipas të dhënave të përpiluara nga baza e të dhënave të industrisë ImportGenius dhe të siguruara nga Radio Evropa e Lirë.
Organet e rendit në Ukrainë dhe kompanitë private kanë blerë një numër të madh të kamerave të vëzhgimit të prodhuara nga Kina.
Sipas ImportGenius, kompania ukrainase “Shtëpia tregtare e sistemeve të vëzhgimit me kamerë” është blerësi më i madh i kamerave Dahua dhe pajisjeve të tjera.
Të dhënat tregojnë se kompania ukrainase bleu më shumë se 1 milion pajisje të mbikëqyrjes me video – e cila përfshin kamera vëzhgimi, pajisje termike të imazhit dhe pajisje të tjera me kamera – nga viti 2016 deri në 2023.
Shifrat e ImportGenius tregojnë, gjithashtu, se një grup kompanish ukrainase që punojnë drejtpërdrejt me Hikvision kanë importuar një numër të ngjashëm pajisjesh vëzhgimi gjatë së njëjtës periudhë.
Por, shqetësime mbi sigurinë janë ngritur për kamerat Dahua dhe Hikvision.
Në janar, Shërbimi i Sigurisë Shtetërore të Ukrainës (SBU) pretendoi se inteligjenca ruse hakoi dy kamera vëzhgimi në Kiev përpara një sulmi raketor rus në kryeqytetin ukrainas që vrau të paktën tre persona.
Një zyrtar ukrainas i zbatimit të ligjit, i cili kërkoi të mbetej anonim për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, tha për Schemes, ekipi hulumtues i Shërbimit Ukrainas të Radios Evropa e Lirë, se një nga kamerat ishte e Hikvision dhe ishte instaluar në vitin 2016.
Moldavia
Moldavia ka blerë mijëra kamera kineze vëzhgimi për policinë, ushtrinë dhe shërbimin e saj diplomatik në pesë vjetët e fundit, sipas të dhënave të prokurimit publik, por numri i saktë mbetet i paqartë.
Vendi nuk ka një bazë të dhënash publike për numrin e kamerave të vëzhgimit që operojnë brenda vendit.
Mirëpo, shifrat nga Shodan listojnë 15.133 kamera Hikvision dhe 4.177 kamera Dahua.
Portali i prokurimeve publike të Moldavisë, achizitii.md, tregon se më shumë se 7210 kamera Dahua dhe Hikvision janë blerë mes viteve 2018 dhe 2023.
Ndër blerësit kryesorë ishin organet e sigurisë, si policia dhe Regjimenti i Aviacionit “Decebal” në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe Ministria e Punës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Banka Kombëtare.
Kamerat e prodhimit kinez kanë hyrë edhe në sistemin e transportit publik në kryeqytetin Kishinau, të pajisur me kamera Dahua.
Administrata Kombëtare e Burgjeve gjithashtu ka blerë dhe instaluar më shumë se 800 kamera kineze në ambientet e saj mes viteve 2018 dhe 2023.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Moldavisë, po ashtu, bleu 2.300 kamera vëzhgimi pas zgjedhjeve parlamentare të vendit më 2019. Të dhënat e prokurimit tregojnë se ato janë blerë nga një kompani e quajtur Rapid Link, një distributor i autorizuar i Hikvision.
Serbia
Shifrat e doganës serbe nuk specifikojnë importin e kamerave vëzhguese të prodhimit kinez, por të dhënat gjatë pesë vjetëve të fundit tregojnë një rritje të vazhdueshme të numrit të kamerave të blera gjatë asaj kohe.
Vetëm në vitin 2023, Beogradi shpenzoi rreth 5.8 milionë dollarë për blerjen e kamerave.
\REL\