0.7 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Kamata është prej mëkateve më të mëdha, e cila është e ndaluar me Kuran dhe Sunet

Më të lexuarat

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut xhele shanuhu. Salavatet qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin salallahu alejhi ue selem, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë muslimanët që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Fatkeqësisht te shqiptarët është përhapur shumë kamata me llojet e saj të ndryshme, si kreditë, shitblerja me këste (rata) nëpërmjet bankave etj. Kamata është prej mëkateve më të mëdha, e cila është e ndaluar me Kuran dhe Sunet.

Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngrihen ndryshe vetëm se si ngrihet ai çmenduri nga të prekurit e djallit. (Bëjnë) kështu ngase thanë: “Edhe shitblerja nuk është tjetër, por njësoj sikurse edhe kamata!” E, Allahu e ka lejuar shitblerjen, por e ka ndaluar kamatën.” (El Bekare, 275)

Ata të cilët merren me kamatë apo kredi ose me shitblerje me këste, në Ditën e Gjykimit do të ngrihen sikurse të ishin të sëmurë nga shejtanët, nuk mund të rrinë as në këmbë, as ulur e as shtrirë. Katade ka thënë: “Ai i cili ha kamatën do të ringjallet në Ditën e Gjykimit i çmendur dhe kjo është një cilësi me të cilën do të njihen në Ditën e Gjykimit.” Tedhkire 1/115.

Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Largojuni shtatë mëkateve shkatërruese.” I thanë të pranishmit: “Cilat janë ato, o i Dërguar i Allahut?” Pejgamberi salallahu alejhi ue selem tha: “T’i bësh shirk Allahut, sihri, vrasja e njeriut që ta ka ndaluar Allahu, përveç me të drejtë, ngrënia e kamatës, ngrënia e mallit të jetimit, ikja nga fronti i luftës si dhe shpifja për motra muslimane të pastra.” Buhariu 2615, Muslimi 89.

Shumë vëllezër muslimanë janë zhytur në këtë mëkat duke e zhvlerësuar atë apo duke menduar se haram është vetëm marrja e kamatës, kurse Pejgamberi salallahu alejhi ue selem në hadithin që transmeton Ibn Mesudi ka thënë: “Pejgamberi salallahu alejhi ue selem e ka mallkuar atë i cili e ha (e merr) kamatën, ai i cili e jep, dëshmitarët dhe atë i cili e shkruan këtë kontratë. Dhe ka thënë: “Ata janë njësoj (në mëkat).” Muslimi 1597.

A jeni të vetëdijshëm o muslimanë se sa mëkat i madh është kamata me të gjitha llojet e saj? Për të vetëdijesuar muslimanët dhe për t’u treguar mëkatin e madh të kamatës, do të sjell dy hadithe. Transmeton Ibn Mesudi, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kamata është shtatëdhjetë e tre (73) lloje, më e lehta prej tyre (mëkati më i vogël i këtyre 73 llojeve) është sikur të martohet një njeri me nënën e tij.”Bejhekiu, Ibn Maxhe dhe Hakimi në mustedrekun e tij. Shejh Albani ka thënë se hadithi është sahih, shih Sahih el Xhami 3539.

Gjithashtu transmeton Abdullah ibn Handhale, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Një dërhem i kamatës që e ha njeriu duke e ditur (që është haram) është më i vështirë tek Allahu sesa tridhjetë e gjashtë (36) zina (amoralitete).” Ahmedi dhe Taberaniu. Shejh Albani ka thënë se hadithi është sahih, shih Sahih El Xhami 3375.

Këto ishin disa prej argumenteve të cilat flasin për mëkatin e kamatës, por ka shumë hadithe të tjera që flasin për të njëjtën tematikë. Së fundi, secili prej nesh le ta pyesë veten: Edhe pas gjithë këtyre argumenteve kemi karakter t’i bëjmë mëkat Allahut të Lartësuar duke e ditur se kamata është më e madhe se sa të bësh zina 36 herë dhe më e madhe se sa të martohesh me nënën tënde? Duke e ditur se sa i madh është ky mëkat, a mund të vazhdojmë në të?

Për t’ua sqaruar muslimanëve se çfarë hyn në kamatë, do të cekim shkurtimisht disa lloje që janë të përhapura në vendin tonë:
1. Të gjitha kreditë që merren në banka të ndryshme, edhe sikur të jetë kamata 0.001 %.
2. T’i marrësh dikujt borxh dhe t’i kthesh më shumë sesa shuma e parave që i ke marrë. Për shembull, nëse huazon 1000 Euro për një vit me kusht që pas një viti t’i kthesh 1010 euro ose 1001 euro.
3. Blerja e sendeve, si p.sh. mobilie, vetura, motorë, telefona mobilë etj., me këste (rata) nëpërmjet bankave.

Të gjitha këto janë haram dhe janë kamatë dhe e kanë haramin të gjithë ata që merren me këto lloje biznesi; ata e kanë haramin njëlloj sikurse ai i cili e merr ashtu edhe ai i cili ndërmjetëson, dëshmitarët etj.

E lusim Allahun e Lartësuar që të na mbrojë nga çdo lloj kamate dhe të na falë mëkatet tona, të prindërve tanë dhe të të gjithë besimtarëve deri në Ditën e Gjykimit!
Përgatiti: Eroll Nesimi
1.8.2008

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit