0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Kaluan 72 vite nga Nakba, “katastrofa” e Palestinës

Më të lexuarat

Nakba, e cila për palestinezët është simbol i migrimit të detyruar, grabitjes dhe masakrës, shpreh një dhimbje që nuk ka pushuar prej 72 vitesh. Palestinezët i kanë dhënë emrin Nakba pikërisht sepse kjo ka kuptimin “Katastrofa e Madhe”

Kuds

ESAT FIRAT

Miliona palestinezë të përballur me migrim të detyruar dhe masakra me vendosjen e Izraelit mbi territoret e Palestinës më 14 maj 1948 dhe të cilët ende ndodhen dhe jetojnë nën okupim, rrethim dhe si refugjatë, ëndërrojnë në vitin e 72-të të Nakba-s (Katastrofës së Madhe) rikthimin në atheun e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Qëllimet kombëtare të palestinezëve të cilët çdo ditë largohen edhe pak nga ëndrrat e tyre, po përballen me sulme të pamëshirshme në vitet e findit.

Kushtet e shkaktuara si pasojë nga afrimi i botës arabe me Izraelin, procesi i normalizimit, ndarja e brendshme e palestinezëve, dobësia e palëve ndërkombëtare dhe qasjet e paligjshme të SHBA-së dhe Izraelit që injorojnë ligjet, cilësohet si situata më e rëndë me të cilën kauza palestineze është përballuar vitet e fundit.

Palestinezët që humbën një pjesë të madhe të atdheut të tyre me formimin e Izraelit, hynë në vitin e 72-të të Nakba-s nën hijen e të ashtuquajturit Plani i Paqes për Lindjen e Mesme, të cilin presidenti i SHBA-ve, Donald Trump e njoftoi bashkë me kryeministrin izraelit, Banjamin Netanyahu nga Shtëpia e Bardhë me qëllim për zgjidhjen e problemit izraelito-palestinez.

I ashtuquajturi plani i paqes i SHBA-së i jep Izraelit sovranitet të plotë në pozitën gjeografike mes Mesdheut dhe Lumit Jordan, ndërsa palestinezëve u imponon që të pranojnë këtë privilegj të njohur nga Tel Avivi në këmbim të “ashtuquajturit shtet” dhe “mirëqenies ekonomike”.

Plani në fjalë i cili injoron kërkesa të tilla si të drejtën e palestinezëve për rikthim, Kudsin Lindor dhe heqjen e vendbanimeve, eliminon gjithashtu plotësisht edhe mundësinë e një “zgjidhjeje me dy shtete” në territoret historike të Palestinës.

Për më tepër, i ashtuquajturi plani i paqes i cili parashikon ruajtjen e situatës aktuale (status quo) në Xhaminë Al-aksa e cila është kibla e parë e muslimanëve dhe që ndodhet në zonën e qytetit të vjetër në Kudsin Lindor, në të vërtetë në kuadër të tezave izraelite ai ndryshon në favor të hebrenjve “status quo”-në e Aksasë duke e hapur atë për adhurimin e hebrenjve

Izraeli i cili pavarësisht palestinezëve dhe komunitetit ndërkombëtar zbaton në territoret palestineze hap pas hapi planin e Trumpit, eliminon gjithashtu plotësisht idenë e një shteti plotësisht të pavarur, sovran palestinez me kryeqytet Kudsin Lindor në kufijtë e vitit 1967 për të cilët palestinezët ëndërrojnë.

Dhimbja që nuk pushon prej 72 vitesh

Nakba, e cila për palestinezët është simbol i migrimit të detyruar, grabitjes dhe masakrës, shpreh një dhimbje që nuk ka pushuar prej 72 vitesh. Palestinezët i kanë dhënë emrin Nakba pikërisht sepse kjo ka kuptimin “Katastrofa e Madhe”.

Shpallja e pavarësisë së Izraelit në territoret e Palestinës më 14 maj 1948, u bë për palestinezët fillimi i një sërë katastrofash që vazhdojnë për dhjetëra vite me radhë. Për këtë arsye data 15 maj është simbolizuar si dita “Nakba”, pra një ditë pas 14 majit kur Izraeli shpalli pavarësinë e tij.

Në këtë proces që zgjat deri në ditët e sotme, shumica e tokave palestineze janë okupuar, mijëra palestinezë janë vrarë me masakra sistematike, rreth 1 milion njerëz janë shpërnguluar nga atdheu i tyre, 675 fshatra janë djegur dhe disa qytete janë hebrenizuar.

Izraeli që nga Nakba e deri më tani ka zgjeruar okupimin e tij dhe aktualisht ka konfiskuar 85 për qind të 27.000 kilometrave katrorë të territoreve palestineze. Ndërkohë që palestinezët mund të përdorin vetëm 15 për qind të kësaj zone.

Gjithashtu Izraeli vazhdon ndërtimin e njësive të vendbanimeve të paligjshme hebreje në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor që ka pushtuar në vitin 1967.

Ndërkohë historiani sirian, Constantine Zureiq, një nga teoricientët më të rëndësishëm të nacionalizmit arab është personi i parë që e emërtoi si “Nakba” ditën kur qindra mijëra palestinezë brenda një dite u dëbuan nga atdheu i tyre dhe ranë në situatën e “refugjatëve”.

Pas publikimit të librit të Zureiq me titull “Çfarë do të thotë Nakba” ky emër u ndërthur me 15 majin. Në çdo datë 15 maji në mbarë botën zhvillohen protestat Nakba.

Rreth 1 milion palestinezë u dëbuan

Dita e 15 majit që palestinezët e kanë emërtuar si “Nakba”, perceptohet në mënyrë të kundërt në mendjet e palestinezëve dhe izraelitëve.

Derisa për izraelitët 14 maji është dita e “themelimit të shtetit”, për palestinezët kjo ditë kujton ditën kur 957 mijë persona, apo 67 për qind e popullatës palestineze u dëbua me forcë nga vendlindja dhe paraqet serinë e katastrofave që kanë vazhduar deri më sot me shkatërrimin e strukturës kulturore dhe sociale.

Që nga ajo ditë, së bashku me rritjen e popullatës, edhe numri i refugjatëve palestinezë në mbarë botën ka arritur në 6 milionë e 20 mijë, prej të cilëve 5.3 milionë janë të regjistruar në Agjencinë Humanitare të Kombeve të Bashkuara për Palestinezët (UNRWA).

Janë shkatërruar 675 fshatra dhe qyteza të vogla

Gjatë Nakbas, forcat izraelite shkatërruan 675 fshatra dhe qyteza të vogla dhe vranë mijëra palestinezë. Gjithashtu, shumë qytete historike palestineze u hebreizuan.

Po ashtu u dëbuan nga vendet e tyre edhe fiset beduine që jetonin në rajonin Negev. Ndërsa, u shënjestrua edhe identiteti kulturor, duke u ndryshuar emrat e rajoneve të banuara.

Më shumë se 5 milionë palestinezë jetojnë në kampe refugjatësh

Qindra mijëra palestinezë të dëbuar gjatë Nakba-s vazhdojnë të jetojnë në kushte të rënda në 61 kampe refugjatësh të ngritura brenda dhe jashtë vendit.

Vetëm në Gaza, një nga vendet ku palestinezët janë strehuar më intensivisht, ndodhen 8 kampe refugjatësh. Kampi i refugjatëve Xhibalija që ndodhet në veri të Rripit të Gazës nën bllokadë nga Izraeli, strehon 108 mijë palestinezë. Xhibalija, kampi më i madh në rajon, njihet si vendi ku shpërtheu Intifada Palestineze në vitin 1987.

Gjithashtu kampe ku janë strehuar palestinezët e detyruar të largohen nga territoret e tyre gjatë themelimit të Izraelit ka edhe në vendet fqinje, ku vetëm në Liban ndodhen 12 kampe, në Jordani 10 dhe 12 në Siri.

Nakba daton para dy shekujve

Thuhet se farat e para të Nakba-s “janë hedhur me idenë e gjeneralit francez, Napoleon Bonaparta, janë formësuar me Deklaratën e Balfurit, kurse më në fund janë konkretizuar nga kryeministri i parë izraelit, Ben Gurion.

Në vitin 1799, Napoelon Bonaparta solli idenë për krijimin e një shteti hebre në Palestinën që atëkohë ishte nën administrimin osman. Në periudhën më pas, u sigurua migrimi i hebrenjve në grupe drejt Palestinës nga katër anët e botës. Në këtë mënyrë, u përgatit terreni për zaptimin e territoreve palestineze nga hebrenjtë cionistë.

Përkundër të gjitha përpjekjeve osmane për ta penguar këtë proces, migrimi hebre në Palestinë vazhdoi. Gjenerali anglez Edmund Allenby, në dhjetor të vitit 1917 pushtoi Jerusalemin dhe në këtë mënyrë i dha fund varësisë palestineze nga shteti osman i cili humbi gjatë Luftës së Parë Botërore dhe hapi terren aktivitetesh për cionistët.

Me hyrjen e rajonit nën mandatin britanik, migrimi hebre drejt Palestinës u përshpejtua. Me Deklaratën e Balfurit, e cila u publikua nga Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe në vitin 1917 dhe e cila parashikonte themelimin e një shteti hebre në Palestinë, britanikët shpallën mbështetjen e tyre për krijimin e Izraelit.

Nga mandati britanik drejt Nakba-s

Më 29 nëntor të vitit 1947, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së u miratua rezoluta që parashikonte ndarjen e Palestinës si shtet hebre dhe palestinez. Derisa shtetet arabe me në krye Palestinën kundërshtuan rezolutën, cionistët e mirëpritën vendimin.

Një ditë pas vendimit të ndarjes, organizata në formën e bandave të armatosura të themeluara nga cionistët dhe të quajtur “Haganah”, zaptoi rajonet e përgatitura për vendosjen e hebrenjve. Me të mbaruar qeverisja e mandatit britanik në Palestinë, organizatat e armatosura më 14 maj të vitit 1948 njoftuan për themelimin e shtetit izraelit nga David Ben Gurion.

Kështu, pas kësaj date u përshpejtua migrimi hebre drejt territoreve “të caktuara për ta”, gjë të cilën nuk mundën ta pengojë as lufta e zhvilluar mes Izraelit dhe ushtrisë arabe e krijuar nga Egjipti, Siria, Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordania.

Kjo luftë përfundoi me pranimin e Izraelit si anëtar i plotë i OKB-së më 3 mars të vitit 1949. Izraeli fillimisht u njoh nga SHBA-të dhe më pas edhe nga shumë shtete të botës.

Pretendimi i cionizmit

Si “arsyetime” të cionistëve për pushtimin spikasin tri pretendime të tyre.

E para nga këto ishte ideja “toka pa popuj” të cilat shprehen me fjalën “tokë pa popuj për një popull pa tokë” të shkrimtarit Israel Zangwill. Më këtë pretendim që u paraqit si një prej propagandave më të mëdha për të “treguar të drejtë” okupimin e Palestinës u mohua ekzistenca palestineze.

Pretendim i dytë i cionistëve është se “shteti izraelit” ka ekzistuar në këto troje qysh para 2070 vitesh.

Ndërsa pretendimi i tretë ishte se “palestinezët kanë shitur tokat e tyre dhe kanë braktisur vullnetarisht vendlindjet”, pretendim i cili është paraqitur vazhdimisht nga Izraeli dhe i cili ka gjetur mbështetje ndërkombëtare, duke shpërfillur masakrat dhe deportimet ndaj palestinezëve. Ndërkohë, përkundër këtij pretendimi, përqindja e territorit të hebrenjve nuk tejkalonte 5 për qind kur i krijua shteti i Izraelit.

Ndërtimi i shtetit izraelit

Në konferencën Pal të zhvilluar në Zvicër vitin 1897 nën kryesimin e themeluesit të idesë cioniste moderne, Theodor Herzl, u përcaktuan parimet e shtetit të ri që do të formohej.

Që nga ky çast, thuhet se “Cionizmi u bë lëvizje politike kolonialiste jo fetare që përfshin ide nacionaliste dhe që i shërben kolonizimit imperialist dhe racist”.

Herzl u përpoq të merrte miratim ndërkombëtar për projektin e themelimit të shtetit hebre. Ai nuk arriti ta bindte padishahun e atëhershëm osman, Sulltan Abdylhamitin II, “për sigurimin e territorit në Palestinë për hebrenjtë”, ndërsa arriti që mbështetjen që kërkonte ta gjente tek Britania.

Herzl, në vitin 1902 pretendoi se “Ky shtet do të ishte stacioni i përparuar i civilizimit të vendosur përballë barbarisë”.

Por, kjo thënie e Herzl nuk gjeti vlerë në të vërtetë. Përkundrazi, me “ligjin e kthimit” të viti 1950, çdo hebreu që vinte si emigrant në Izrael iu dha e drejta e shtetësisë dhe territoret palestineze u shpallën “atdhe” për çdo hebre në mbarë botën.

E drejta e palestinezëve për kthim

Palestinezë të shumtë që vazhdojnë jetën larg atdheut të tyre në kampet e refugjatëve në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës si dhe në vende të ndryshme të botës si në Siri, Liban dhe Jordani, në çdo rast theksojnë se fytyrat i kanë ende të kthyera nga Palestina, të cilën e përkufizojnë si “parajsë e vjedhur”.

Nga ana tjetër, Izraeli refuzon zbatimin e rezolutës 194 të OKB-së që parashikon “kthimin e refugjatëve palestinezë që dëshirojnë të jetojnë në paqe me fqinjët në shtëpitë e tyre, lejimin që këto dëshira të realizohen sa më shpejtë të jetë e mundur dhe që të paguhet dëmshpërblim për territoret e atyre që kanë vendosur të mos kthehen”.

Për miliona palestinezë që jetojnë jetë të vështirë larg atdheut prej dhjetëra vitesh, Nakba (Katastrofa e Madhe) vazhdon të jetë simbol i migrimit të detyruar, plaçkitjes dhe masakrave.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit