KALOI EDHE NJË PISHTAR
Vdekja e dr Rexhep Bojës konfirmoi edhe një herë të vërtetën e (gjithë)njohur se disa jetojnë pa bërë zhurmë, ndërsa gjëma ndodhë ditën kur vdesin.
Hoxha, atdhetari dhe humanisti dr Rexhep Boja ishte manifestim i kthesës që i ndodhi kombit tonë e komunitetit mysliman në veçanti. Ishte ndër kuadrot e parë të shkolluar dhe diplomuar në studimet islame, ndërsa ishte (me sa mbaj mend) doktori i parë shqiptar i shkencave islame.
Kam pasë nderin që, pikërisht në kohën e kthimit të tij nga studimet, të isha një nga nxënësit e tij në Medresenë “Alaudin” dhe, pa e marrë mundin të shpalosi ndonjë kujtim të veçantë, më duhet të pranoj se dukja, paraqitja, sjellja e edhe dituria, të përmbledhura të gjitha bashkë në personalitetin e tij, u bënë burim frymëzimi për të gjithë ne që patën rastin atëbotë të mësonim prej tij. Kam kujtime shumë të freskëta të detajeve të cilat u bënë themele të formimit tim më tutje, e që për to i jam borxhli hoxhës, Allahu e mëshiroftë.
Të jesh hoxhë sot, të avancosh në studime e hulumtime, të bësh punë me vlerë në shërbim të Islamit e shoqërisë, krahas faktit se është nder dhe obligim, është shumë me e lehtë se sa koha kur ka avancuar, vepruar e punuar dr Rexhepi, për shkak të vështirësive që me to u përball ai brez i hoxhallarëve dhe intelektualëve.
Qoftë i këndshëm rahmeti dhe ndjesa e Allahut për rahmetliun!
Ndërsa ne do ta mbajmë mend për përkushtimin, modestinë, sjelljen dhe kontributin e tij.
Hoxhë Ekrem Avdiu