Në fjalën që mbajti në një panel të Samitit të Këshillit të Atlantikut në Stamboll zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kallën, tha se Amerika duhet të shfaqë një qëndrim të qartë në çështjen e Organizatës Terroriste FETO.
Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kallën (İbrahim Kalın) tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) duhet të kenë një qëndrim të qartë lidhur me çështjen e Organizatës Terroriste Guleniste Struktura Paralele në Shtet (FETO/PDY).
Ambasadori Kallën foli në sesionin e titulluar “Turqia, Lindja e Mesme dhe Perëndimi: Sfidat dhe Mundësitë”, organizuar në kuadër të Samitit të Këshillit të Atlantikut, Stamboll 2017.
Zëdhënësi i Presidencës, Kallën tha se Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) pajtohen në shumë çështje, por është e qartë se gjatë periudhës së ish-Presidentit Barak Obama është mbrojtur mendimi për mbështetjen e PYD e YPG, që janë zgjatime të organizatës terroriste separatiste PKK në Siri, kundër DAESH-it, gjë kjo që ka shkaktuar tension mes dy vendeve.
Kallën u ndal edhe në vizitën që do të bëjë muajin e ardhshëm në ShBA Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan).
“Në takimin që do të mbahet më 16 maj në Shtëpinë e Bardhë, të dy presidentët do të paraqesin një hartë rrugore për të gjithë ne, në mënyrë që këtë çështje ta lëmë prapa. Për sa i përket çështjes së FETO/PDY, ne duam që administrata amerikane të shfaqë një qëndrim të qartë. Pa dyshim që e mbështesim procesin e drejtësisë që zhvillohet në kuadër të sundimit të ligjit (shtetit ligjor), vetëm se ka disa gjëra që qeveria amerikane mund ti bëjë në lidhje me këtë çështje. Pasi kreu i FETO-s e drejton këtë perandori krimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). Nuk është vetëm një njeri. Ai ka ekipin e tij, ka njerëzit e tij, ka me qindra njerëz të tij, të cilët me paratë që marrin nga sistemi, ligjet dhe taksapaguesit amerikanë sulmojnë vendin tonë, zhvillojnë fushata shpifjeje kundër vendit dhe presidentit tonë. Një gjë e tillë nuk përshtatet shumë me Amerikën dhe Turqinë në aspektin e një aleance shumë të fuqishme dhe një partneriteti model (që kanë të dyja vendet)”, tha ai.
Duke iu referuar faktit se bota islame dhe marrëdhëniet me Perëndimin kanë një të kaluar të gjatë, zëdhënësi i Presidencës, tha: “Kohët moderne nga shumë njerëz janë përshkruar si: epoka e ankthit, epoka e ideologjisë etj., por duke u nisur nga zhvillimet e fundit ato mund të përkufizohen si besim ose pasiguri”.
“Ndërmjet vendeve islame dhe atyre perëndimore ka aq shumë pasiguri sa që kjo duhet trajtuar në nivelet politike, ekonomike, në marrëdhëniet njerëzore”, shtoi ai.