1.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Kalin: Bota mbetet spektatore derisa Halepi vazhdon të digjet

Më të lexuarat

Zv/Sekretari i Përgjithshëm dhe zëdhënësi i Presidencës së Turqisë Ibrahim Kalin ka vlerësuar se “Nëse ka diçka që kemi mësuar nga lufta e llahtarshme që po zgjat prej pesë vitesh (në Siri), është se krijimi i zonave të sigurisë është alternativa e vetme për t’i parandaluar vrasjet e tmerrshme masive, asgjësimin e qyteteve dhe valët e mijëra refugjatëve drejt Turqisë dhe shteteve të tjera”, raporton Anadolu Agency (AA).

Kalin, në artikullin që ka shkruar për gazetën ‘Daily Sabah’ me titullin “Zonat e sigurisë do ta shpëtojnë jetëra dhe njerëzinë tonë”, ka potencuar se bota mbetet spektatore derisa Halepi vazhdon të digjet.

Kalin ka theksuar se thirrja e Turqisë për krijimin e zonave të sigurisë në Siri është po aq urgjente dhe shpëtuese e jetërave sa ka qenë çdoherë, duke shtuar se “Mosveprimi nga bashkësia ndërkombëtare vetëm do t’i hapë rrugën barbarizmit të regjimit të Asadit, do ta përhapë kërcënimin nga DAESH-i dhe të çojë në humbjen e mëtutjeshme të jetërave të pafajshme”.

Kalin më tej është shprehur se që nga dështimi i armëpushimit të arritur bashkarisht nga SHBA-të dhe Rusia më 9 shtator, qindra njerëz kanë vdekur në sulmet ajrore nga forcat e regjimit të Bashar Asadit.

“Vetëm më 25 shtator, 60 persona u vranë në Halep, shumica gra dhe fëmijë. Qyteti historik, një simbol i kulturës, artit dhe tregtisë dhe një mozaik njerëzish, ka qenë skenë e sulmeve më të rënda ajrore që nga fillimi i konfliktit sirian në vitin 2011. Është e qartë se qëllimi i regjimit të Asadit, është asgjësimi i tërë qytetit dhe banorëve të tij në mënyrë që ta shkatërrojë njërën nga fortesat e forcave opozitare”, ka thënë Kalin.

Sipas tij, ky është një regjim që e ka dëshmuar pa pushim kapacitetin e tij për mizori dhe vrasje gjenocidale.

Po ashtu, Kalin ka bërë të ditur se regjimi i Asadit ka manipuluar për interesa të tij me çdo përpjekje për armëpushim për të fituar kohë dhe për të vazhduar me strategjinë e tij të futjes së frikës, për të shtuar më tej se me mbështetje ushtarake nga Rusia, Irani, Hezbollahu dhe grupe të tjera të milicisë, ai çdo ditë ka djegur tokën e Halepit me dhjetëra sulme ajrore vdekjeprurëse dhe bomba fuçi.

Duke tërhequr vëmendjen se as autokolonat e OKB-së nuk u kursyen nga kjo masakër, Kalin ka vënë në pah se regjimi i ka bërë të gjitha këto në javën derisa po mbahej mbledhja e 71-të e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe në këtë mënyrë ka shpërfillur dhe është tallur haptazi me bashkësinë ndërkombëtare.

Ibrahim Kalin, siç e kishte diskutuar edhe më parë, ka shkruar se Rezoluta 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (KS i OKB-së) e miratuar më 18 dhjetor 2015, është dashur të vë një kornizë të re dhe një afat kohor të caktuar për t’i dhënë fund luftës, për të sjellë ndihma humanitare dhe për të filluar procesin e tranzicionit politik për një qeveri gjithëpërfshirëse, legjitime dhe demokratike në Siri.

Ai ka shtuar se rezoluta është menduar po ashtu për të ndihmuar në luftën kundër DAESH-it.

Kalin është shprehur se Marrëveshja e Mynihut për “ndërprerjen e armiqësive” e pranuar më 11 shkurt është dashur ta përgatisë terrenin për bisedime të kryesuara nga OKB-ja në Gjenevë dhe se nuk është për t’u habitur se regjimi ka përdorur sërish bisedimet për të bërë avancime në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet.

Ai rikujtoi se edhe zyrtarët e OKB-së kanë konfirmuar se regjimi i Asadit ka shkelur vazhdimisht Rezolutën 2254 dhe Marrëveshjen e Mynihut në mënyrë sistematike. Kalin thotë se regjimi sirian ka bombarduar zonat civile dhe ato të kontrolluara nga opozita në Idlib, në veri të Lataikas dhe Halep, duke vrarë qindra civilë dhe pamundësuar qasjen e ndihmave humanitare për nevojtarët.

– “Nuk ka kuptim që regjimi i Asadit të justifikohet sërish”

Zëdhënësi Kalin artikullin e tij e ka vazhduar si në vijim: “Nuk ka kuptim që regjimi i Asadit të justifikohet sërish. Banda kriminale në Halep nuk është e interesuar për paqe apo tranzicion politik. Ata nuk mund as të tolerojnë që ndihma humanitare të shpërndahet për civilët. Është marrëzi të presim mëshirë nga një përbindësh. Cilado qoftë e ardhmja ushtarake e këtij konflikti, bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë për t’i mbrojtur civilët në Halep dhe në pjesën tjetër të vendit. Mënyra më e mirë për të bërë këtë është krijimi i zonave të sigurisë për popullatën civile”.

Kalin thekson se “Nëse ka diçka që kemi mësuar nga kjo luftë e llahtarshme që po zgjat prej pesë vitesh, është se krijimi i zonave të sigurisë është alternativa e vetme për t’i parandaluar vrasjet e tmerrshme masive, asgjësimin e qyteteve dhe valët e mijëra refugjatëve drejt Turqisë dhe shteteve të tjera”.

Sipas tij, zonat e sigurisë do të ndihmojnë në mbrojtjen e civilëve nga vrasjet e rrëmujshme si nga regjimi, njashtu edhe nga DAESH-i, dy përbindëshat bineq të luftës në Siri.

“Kjo do të ndihmojnë në uljen e numrit të refugjatëve dhe do të sigurojë strehim për njerëzit e zhvendosur brenda vendit. Kjo do të mundësojë që OKB dhe institucionet e tjera ta koordinojnë punën e tyre për dërgimin e ndihmave humanitare”, thotë ai.

Në artikullin e tij, Kalin ka theksuar se zonat e sigurisë do t’u japin popullit siran një ndjenjë të shpresës se ata nuk janë të vetëm dhe se bashkësia ndërkombëtare është pranë tyre për t’i mbrojtur, duke shtuar më tej se krijimi i tyre është në interesin e të gjitha palëve, duke përfshirë SHBA-të dhe Evropën.

Duke vënë në pah se kjo nuk është një synim i pamundur, Kalin ka thënë se kostoja politike dhe ushtarake nuk është asgjë në krahasim me vuajtjet e sirianëve dhe dështimin e plotë të çdo procesi politik gjatë pesë viteve të fundit.

– “Bashkësia ndërkombëtare i ka të gjitha mjetet për të realizuar këtë qëllim”

Më tej, Kalin ka shkruar se të ashtuquajturat “komplikime” në krijimin dhe ruajtjen e zonave të sigurisë në Siri duket se janë justifikime në vend se shqetësime reale dhe se lufta kundër DAESH-it për aq sa ka pasur sukses, ka qenë jo më pak e rrezikshme ushtarakisht.

Ai potencoi se krijimi i zonave të sigurisë do të ketë dobi të madhe. “Do t’i mbrojë civilët, do të detyrojnë regjimin e Asadit të ulet në tryezën e bisedimeve, do të zvogëlojnë numrin e refugjatëve, do t’i fuqizojnë grupet e moderuara opozitare siriane kundër regjimit dhe DAESH-it në zonat e mbrojtura dhe do të sjellin një shkallë ekuilibri në konfliktin sirian.

Kalin, artikullin e tij e ka përfunduar me fjalët: “Është më e kuptimtë si politikisht, ashtu edhe moralisht, të kërkohet krijimi i zonave të sigurta në Siri, sesa të lutet regjimi i kriminelit Asad për armëpushim apo paqe. Bashkësia ndërkombëtare i ka të gjitha mjetet për ta realizuar këtë qëllim. Kësaj, megjithatë, i mungon vullneti politik dhe vizioni moral që u zhduk nga politika globale në një mënyrë keqardhëse dhe skandaloze. Turpi më i madh moral i kohës sonë nuk mund të tolerohet tutje, duke patur parasysh vdekjen e njerëzisë sonë së bashku me popullin sirian”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit