Universiteti i Oksfordit ka shpallur “brain rot” (kalbjen e trurit) si fjalën e vitit. Ky term përshkruan përkeqësimin e gjendjes mendore të një personi për shkak të konsumit të tepërt të përmbajtjeve të kota online. Shpesh lidhet me sjellje si “doom-scrolling”, i njohur si shfletimi i pafund i lajmeve apo videove ‘pa kuptim’.
A po “kalbim” trurin tonë? Ekspertët thonë se përdorimi i tepruar i mediave sociale po ndikon negativisht tek ne. Ai ul përqendrimin, krijon një ndjenjë lodhjeje mendore dhe “mjegull” në tru, madje ndikon në marrëdhëniet tona duke na bërë më të vetmuar.
Sipas Dr. Kyra Bobinet, një pjesë e trurit që quhet habenula është përgjegjëse për këtë sjellje. Kjo zonë, kur aktivizohet, na ul motivimin dhe na shtyn të humbasim kohë në shfletim të panevojshëm, duke shmangur detyrat reale.
Si të shpëtojmë nga ky cikël? Ekspertët japin disa këshilla të thjeshta për të shmangur ndikimin negativ të “kalbjes së trurit”. Ata sugjerojnë që të kufizojmë kohën online dhe të përqendrohemi më shumë në përmbajtje me vlerë.
Gjithashtu, është e rëndësishme të vendosim “zona pa teknologji” në shtëpi, sidomos për familjet. Kalimi i kohës jashtë, si me shëtitje apo lojëra, dhe krijimi i lidhjeve reale me njerëzit duke takuar një mik apo duke vizituar të afërmit, mund të përmirësojnë mirëqenien tonë.
Dr. Don Grant paralajmëron se kjo sjellje po shkatërron imagjinatën, kujtesën dhe madje edhe edukimin e fëmijëve. Ai sugjeron të pyesim veten pas përdorimit të teknologjisë: “A më bëri mirë kjo kohë e shpenzuar online? A ndihem më mirë pas saj?”
Këto hapa mund të na ndihmojnë të shmangim “kalbjen e trurit” dhe të përmirësojmë jetën tonë mendore dhe emocionale.