FITIM ZEKTHI
Gjithnjë në prag zgjedhjesh, kudo që të jenë, thuhet se ato janë zgjedhjet më të rëndësishme të dekadës apo se janë zgjedhje me rëndësi historike etj. Në parim, çdo palë zgjedhje kanë rëndësi historike, por përdorimi i një gjuhe të tillë bëhet rëndom për shkak të nevojës që kanë palët për të nxitur pjesëmarrje të lartë të mbështetësve të tyre. Zgjedhjet e këtij viti në Shqipëri, për shkak të mënyrës sesi po shkojmë tek ato, për shkak të mënyrës sesi u zhvillua jeta politike këto katër vite, për shkak të mënyrës sesi qeveriset vendi, janë me të vërtetë të një rëndësie të pazakontë.
Si në çdo palë zgjedhje, ndoshta edhe më shumë këtë herë, në shoqëri, në media, në opinionin publik, flitet për “palë që janë njësoj”, për mospjesëmarrje fare në zgjedhje, për votim të së “keqes më të vogël” etj.
Debate të kësaj natyre bëhen kudo në botë dhe autorë të shumtë përpiqen të shpjegojnë nga kënde të ndryshme të filozofisë morale se cili ishte një votim i moralshëm, nëse votohet “kur palët janë njësoj”, nëse zgjidhet mes të keqes më të vogël apo nëse abstenohet. Pra, a ka moral zgjedhja e së keqes më të vogël, a duhet votuar në qoftë së “palët janë njesoj”, apo duhet abstenuar?
Johanes Stern, filozof gjerman i Universitetit të Munihut, për shembull, thoshte se zgjedhjet në Francë duhen bojkotuar sepse Macron nuk është më i mirë sesa Le Pen. Ajo që përfaqëson Macron është e pamoralshme, është një lojë sistemit për të shitur diçka si diçka tjetër dhe mbijetuar po e njëjta gjë. Edhe Le Pen nuk ka moral më të mirë. Ajo është një lëvizje popullsitë që kerkon të përdorë një krize dhe disa ndjesi për të avancuar një dështim. Pra, duhet abstenuar sipas Stern.
Gina Miller e quante Jeremy Corbyn po aq të keq sa Boris Johnson dhe kërkonte mosvotim për asnjërin, ndërsa Gary Younge mendonte se Jeremy Corbyn është një e keqe më e vogël sesa Boris Johnson.
Në lidhje me zgjedhjet në SHBA, Cornel West, një filozof i rëndësishëm amerikan, shprehej se ai do të votonte kundër fashizmit, ndonëse Joe Biden, sipas tij, është i lidhur fort me Wall Street-in dhe me militarizmin. “Ne e dimë tha ai se Biden do të tradhtojë çdo ideal dhe parim, për të cilin, unë (Cornell West) luftoj, por do ta votoj”. Të njëjtën gjë tha edhe Noam Chomsky. “Do t’i inkurajoj njerëzit të votojnë për Biden, ndonëse kjo është si të kërcesh nga një kolonë e rrënuar te një tjetër, me shpresë”. Angela Davis, një mendimtare dhe aktiviste e majtë, tha se duhet votuar për kandidatin, të cilit i ushtrohej më lehtë presion, që ishte Biden sipas saj. Wayne Gruden, një profesor teologjie në Feniks, Arizona, tha se Trump është një mundësi shumë e mirë për të mundur të majtën progresive radikale, ndonëse ka shumë, shumë të meta. Alasdair Mc Intyre, ndoshta filozofi më i rëndësishëm konservator sot, shkroi një artikull shumë influent në vitin 2004, kur garonte Presidenti Xhorxh Bush dhe senatori Xhon Kerry.
Mc Intyre tha se vota më e mirë, vota më e moralshme, është ajo abstenuese. Edhe Xhorxh Bush edhe Xhon Kerry, tha Mc Intryre, përfaqësojnë të njëjtën gjë, të njëjtin sistem, ata përfarojnë sistemin e përjashtimit. Ai nuk u mor fare me faktin, sipas tij të pranishëm, që as njëri dhe as tjetri nuk ishin të përshtatshëm për President. Sistemi që përfaqësonin ata, nuk i lejonte njerëzit që prekeshin nga politikat e tyre, të kishin qoftë edhe një pjesëmarrje simbolike, sipas Mc Intyre, në vendimet që çonin në këto politika.
Ndoshta, Alasdair Mc Intyre, si konservator, ndryshe nga Noam Chomsky apo Corbel West, që janë të majtë, i kushton një rëndësi shumë më të madhe moralit dhe nuk zgjedh të votojë Bush, por kjo është një temë tjetër.
Po në Shqipëri, në zgjedhjet e 25 prillit si duhet votuar. Duhet thënë se brengat morale nuk i kanë militantët e verbër të partive. Ata dalin dhe votojnë në masë, por kurrë në faqe të botës nuk janë fituar ndonjë palë zgjedhje me votat e tyre. Brengat morale i ka një shtresë tjetër, ajo që njihet si shtresa gri dhe që kërkon një alternativë ose një themel moral për votën e saj përveç përkatësisë (partia ime… është e imja dhe pikë). Pa dyshim që edhe në Shqipëri ka njerëz të pavendosur, ka njerëz që mendojnë se të dyja partitë janë njësoj, që mendojnë se nuk ka dallim të madh mes PD-së dhe PS-së, që mendojnë se edhe PS-ja, edhe PD-ja, përfaqësojnë, siç tha Mc Intyre, një sistem përjashtimi. Nuk po llogarisim këtu, siç nuk llogariti Mc Intyre, që ka njerëz që mendojnë se në të dyja partitë ka njerëz që nuk janë të përshtatshëm për të qenë zyrtarë, qeveritarë apo përfaqësues publikë, që në të dyja partitë ka shumë pak ose aspak njerëz që mbrojnë ide të qarta të djathta apo të majta, etj.
A do të duhet të zgjedhin këta, shtresa e quajtur gri, por edhe kushdo që i jep rëndësi moralit, të keqen më të vogël apo duhet të abstenojnë? Cili do të ishte një votim i moralshëm?
Së pari, duhet thënë që zgjedhja e së keqes më të vogël është parimisht e moralshme. Në mitologji thuhet se Odiseu zgjodhi të shkojë te Shilla dhe jo te Karibda. Po të shkonte te Karibda, ai do t’i humbte të gjithë njerëzit ndërsa te Shilla humbi vetëm gjashtë. Edhe fetë e mëdha monoteiste e quajnë të moralshme zgjedhjen e së keqes më të vogël. Në judaizëm, në historinë e Absalomit dhe Davidit, vihet re qartë se Davidi është ai që fiton. Edhe në historinë e Jedonijas dhe Solomonit apo Jerobaomait dhe Rehoboamit është po e njëjta gjë. Pra, zgjidhet e keqja më e vogël.
Në lidhje me krishterimin po themi se në ungjillin e Xhejmsit, 4:17, thuhet: “Ai që e di gjënë e drejtë dhe nuk e bën, kjo për të është mëkat”. Ose në Korinthiasve 1:12 thuhet: “Asnjë tundim nuk ju kap ju që nuk është i zakonshëm për njerëzit. Zoti është besëplotë dhe nuk do ju lejojë të tundoheni përtej aftësisë suaj”.
Të krishterët thonë në mënyrë metaforike se, çdo palë zgjedhje është një zgjedhje e së keqes më të vogël, përderisa në fletën e votimit nuk është emri i Jezusit. Te myslimanët, zgjedhja e së keqes më të vogël është gjithashtu shumë e rëndësishme. Profeti Muhamed a.s nënshkroi një marrëveshje me idhujtarët në Hudejbije, marrëveshje që nuk i lejonte të shkonte në Mekë me popullin e tij për pelegrinazh dhe i vendoste kushte “të papranueshme”. Myslimanët gjithashtu këshillohen t’i rregullojnë gjërat me dorë, ta largojnë të keqen me veprim dhe kur nuk mundin me dorë ta bëjnë atë me fjalë dhe kur nuk mundin me fjalë ta duan të mirën, me zemër. Pra, edhe këtu zgjidhet “keqja më e vogël”. Pra, të gjithë ata që janë besimtarë, kanë arsye parimore të votojnë duke zgjedhur të keqen më të vogël. E keqja më e vogël duket ashiqare se cila është, parë nga këndi i besimtarëve që rrinë në shtresën gri. Qeveria Rama ka tetë vite në pushtet. Vendi është në mjerim, korrupsioni i jashtëzakonshëm, derisa në atë masë sa ministri i Brendshëm akuzohet nga Prokuroria për trafik droge, deri atë masë sa Parlamenti mbushet me njerëz që vijnë nga krimi, deri në atë masë sa zgjedhjet zhvillohen siç dolën nga përgjimet në Durrës dhe Dibër, padrejtësia deri në atë masë sa burgosen hallexhinj dhe të uritur për mospagim dritash, ndërsa ministra apo kryetarë bashkie as nuk merren në pyetje…
Në terma të tjerë, shumë më të gjerë, morali i vendimmarrjes qëndron mbi dy parime të thella etike. Sociologu Max Weber, në esenë “Politika si Vokacion”, thotë se moralisht vendimet merren ose mbi etikën e pikëmbërritjes fundore ose mbi etikën e përgjegjësisë. Këto të dyja kanë një kontrast humneror, tha ai. Etika e qëllimit fundor është emocionale, intuitive, e zemrës. Sjellja në këtë rast synon veprimin e drejtë, dënon të keqen, largon të dëmshmen dhe nuk bën llogari se si do të shkojnë gjërat më pas. Një sjellje e tillë gjërat më pas ia lë në dorë Zotit. Një sjellje e tillë thotë se nëse merr vendimin e drejtë, largon të keqen, heq dëmin, atëherë më pas “një Zot i madh do të kujdeset vetë për gjërat”. Etika e përgjegjësisë i kushton një rëndësi shumë të madhe mënyrës se si do të jenë gjërat më pas, përpiqet të bëjë llogari, të bëjë parashikime, të gjejë se cila është mënyra apo rruga që çon te një situatë apo gjendje e mirë. Zgjidhje të tjera morale përtej këtyre, nuk ka. Cilado nga dy llojet e etikës është e mirë dhe moralshme. Kjo vlen për vendet ku demokracia funksionon, ku zgjedhjet janë të lira, ku gjykatat dhe prokuroria ndjekin dhe luftojnë korrupsionin. Në Shqipëri, zgjidhja e vetme është etika e pikëmbërritjes fundore.
Të gjithë njerëzit e shtresës gri, të gjithë ata që kanë dyshime tek opozita, të gjithë ata që mendojnë se opozita ndryshon pak ose se opozita nuk është aq e djathtë apo aq me ide sa duhet, se opozita nuk ofron një diferencë sistemike në qasje apo se ajo ka emra që nuk thonë asgjë, duhet të votojnë për të larguar të keqen, për të liruar lakun nga qafa e njerëzve.
Qeveria jonë nuk është një e keqe e zakonshme, çka do të na shtynte të bënin analiza dhe llogari se si do të ishte Shqipëria nesër me qeverinë e opozitës. Për fat të keq, ne kemi një qeveri që ka bërë gjithçka, të blejë njerëzit dhe mendjet e tyre, që ka bërë gjithçka të bllokojë rrotacionin, që ka krijuar një aleancë trefishe me një pjesë të krimit të organizuar, me një pjesë të biznesit klientelist dhe me një pjesë të vogël të PS-së. Të gjithë shqiptarët që kërkojnë moral, që duan të vendosin dhe zgjedhin në baza morale, duhet të votojnë masivisht opozitën, jo sepse ajo do të sjellë një parajsë apo një qeverisje linkolniane, por sepse ajo është mënyra e vetme për të larguar një të keqe të rëndë, që ka prirjen të bëhet e skëterrshme dhe të kthejë në zezonë të ardhmen e vendit. Mbi etikën e pikëmbërritjes fundore, u vendosen shqiptarët në vitin 1991, mbi këtë etikë ata larguan Ramiz Alinë. Mbi këtë etikë vendosën ukrainasit, në vitin 2014, kur larguan Janukovich, mbi këtë etikë vendosën egjiptianët kur larguan Mubarak. Nuk ka një vend në botë ku një qeveri në tetë vite të prodhojë këtë mungesë shprese, këtë prani të krimit në qeverisje dhe zyra publike, këtë borxh prej rreth 8 miliardë eurosh, këtë shkatërrim kirurgjikal të zgjedhjeve, këtë përdhunim verbal propagandistik dhe shkatërrim sistemik të institucioneve.
Prandaj, është e moralshme dhe plotësisht e ndershme të ndiqet etika weber-aiane e pikëmbërritjes fundore dhe të votohet kundër qeverisë. Pasi Shqipëria të bëhet një vend me zgjedhje të lira, një vend ku Prokuroria dhe Gjykata nuk mbron pushtetin dhe qeverinë e nuk burgos hallexhinjtë, atëherë mund të flasim apo votojmë mbi etikën e përgjegjësisë. Tani, ajo është papërgjegjësi dhe ndoshta e pamoralshme.