Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas të martën pasdite ka takuar ndaras kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në këtë takim, kreu i ekzekutivit të Kosovës tha se ka kërkuar që Serbia ta dorëzojë në Kosovë, kryeterroristin, Milan Radoiçiq, përgjegjës për sulmin në Banjskë.
“Në takim diskutuam çështjet e progresit të Kosovës sa i përket integrimeve evropiane, por edhe raportet me fqinjin tonë verior. Ia theksova që kemi pasur rritje ekonomike dhe progres demokratik të paparë në Kosovën e pavarur dhe njëkohësisht kemi menaxhuar sfidat më të rënda të sigurisë, kërcënimet më serioze të cilat rezultuan me vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku”.
“Kryekrimineli i bandës që kreu këtë mbahet i lirë dhe mbështetet nga Serbia. Ne kërkuam, si në çdo takim tjetër, dorëzimin e Radoiçiqit tek autoritetet e Kosovës pasi Prokuroria tani ka aktakuzë prej 160 faqesh dhe grupin e tij prej mbi 40 persona”, ka thënë Kurti.
E pas takimeve ndaras që ka realizuar me Kurtin dhe presidentin e Serbisë është deklaruar edhe shefja e diplomacisë evropiane, Kallas.
Ajo ka thënë se autorët e sulmit të fundit terrorist duhet të përballen me drejtësinë.
Kallas pas këtyre takimeve në një postim në “X” ka shkruar se rruga e vetme për anëtarësimin në BE të dyja vendeve është normalizimi i marrëdhënieve.
“Takova sot kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq. Rruga e vetme për anëtarësim në BE është normalizimi i marrëdhënieve të tyre, në bazë të marrëveshjes së Ohrit”, ka shkruar Kallas.
Kallas ka theksuar se kanë folur edhe për sulmin e fundit terrorist në Ibër-Lepenc që ndodhi të premten më 29 nëntor.
“E mirëprita gatishmërinë për të bashkëpunuar plotësisht pas sulmit të fundit terrorist. Autorët duhet të përballen me drejtësinë”, ka shkruar Kallas.
E gjatë vizitës në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim edhe me presidentin e sapozgjedhur të Këshillit Evropian, Antonio Costa.
“Në Bruksel pata kënaqësinë që të takoj dhe të bashkëbisedoj me presidentin e ri të Këshillit Evropian, António Costa, i cili sonte është gjithashtu nikoqir i darkës me liderë të Ballkanit Perëndimor,” ka deklaruar Kurti.
Gjatë takimit, Kurti ka theksuar përgatitjen dhe përkushtimin e Kosovës për të përparuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Ai i ka uruar Costës suksese në detyrën e re dhe ka ofruar bashkëpunim të ngushtë dhe të sinqertë, duke ritheksuar qëndrimin e Kosovës për integrimin në familjen evropiane.
“Vendi ynë mbetet i palëkundur në përkushtimin për integrim brenda familjes evropiane, aty ku Kosova përket,” ka përfunduar Kurti.
Ndërsa, Costa, theksoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.
“Le të punojmë për ta bërë realitet”.
“Ky ishte mesazhi që përcolla, së bashku me Kaja Kallas (shefja e diplomacisë së BE-së) dhe Marta Kos (Komisionere Evropiane për Zgjerim), gjatë darkës së sotme me liderët e Ballkanit Perëndimor”, tha Costa. /Telegrafi/