1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Jusufi a.s dhe tradhëtia bashkëshortore

Më të lexuarat

Nga: Xhasim Mutava

Jusufi a.s dhe tradhëtia bashkëshortore

Hyrje
 
Njeriu ka disa dëshira dhe nevoja instiktive, prej të cilave mund të përmendim dëshirën dhe nevojën për të ngrënë, nevoja për t’u ndjerë i respektuar, dëshira për të pasur sa më shumë, dëshira për pushtet, dëshira dhe nevoja për t’u kënaqur seksualisht etj…
Islami – në kundërshtim me opinionin e disave – nuk e ka ndrydhur instiktin seksual të njeriut. Ajo që ka bërë islami është se e ka kanalizuar dhe sistemuar, duke treguar rrugët hallall të shfrytëzimit të këtij instikti. Nëse kjo dëshirë dhe pasion do të lihej i lirë, pa iu nënshtruar normave dhe kritereve morale dhe të Sheriatit, pasojat do të ishin katastrofale dhe të paimagjinueshme. Një ndër pasojat më të rrezikshme është dhe përhapja e tradhëtisë bashkëshortore. Mbi tradhëtinë bashkëshortore do të flasim gjatë trajtimit të historisë së Jusufit a.s me gruan e Azizit. Aty do të përmendim llojet e tradhëtisë bashkëshortore dhe shkaqet e saj, mënyrën e edukdimit seksual të fëmijëve me qëllim që të mos bien pre e epsheve të pakontrolluara.
 
 
Historia e Jusufit a.s dhe gruas së Azizit
 
Thotë Zoti i madhëruar në suren Jusuf:”
“Por ajo në shtëpinë e së cilës gjendej ai, nisi t’a joshë në kundërshtim me dëshirën e tij. Ajo ia mbylli të gjitha dyert dhe i tha:”Jam e gatshme për ty!” Kurse ai tha: “Allahu më ruajt! Me të vërtetë, Zoti im ka treguar kujdes për mua dhe, pa dyshim, keqbërësit nuk do të shpëtojnë kurrë”. Ajo e dëshiroi atë; por edhe Jusufi do ta kishte dëshiruar atë, sikur të mos kishte parë provën e Zotit të vet. Kështu e larguam nga e keqja dhe vepra e shëmtuar, sepse ai, në të vërtetë, ishte nga robërit Tanë të sinqertë. Që të dy vrapuan nga dera dhe ajo ia shqeu këmishën atij nga mbrapa. Te dera, ata hasën burrin e saj. Ajo tha: “Çfarë dënimi meriton ai që kërkon t’i bëjë të keqe gruas sate, përveç burgosjes apo dënimit të dhembshëm?” (Jusufi) tha: “Ajo provoi të më joshte”. Një i afërt i saj (që u gjend aty), pohoi: “Nëse këmisha e tij është shqyer përpara, atëherë ajo thotë të vërtetën, kurse ai gënjen. Por, nëse këmisha e tij është shqyer prapa, atëherë ajo gënjen, ndërsa ai thotë të vërtetën”. Kur burri i saj pa se këmisha e Jusufit ishte shqyer nga mbrapa, tha: “Patjetër që kjo është një nga dredhitë tuaja (të femrave). Në të vërtetë, dredhitë tuaja janë të mëdha! Ti, o Jusuf, largohu nga kjo! Kurse ti (gruaja ime), kërko falje për këtë gjynah, sepse, në të vërtetë, ti je fajtore”. (Jusuf, 23-29)
Fakti që të gjithë profetët janë njerëz, do të thotë që do të sprovohen ashtu siç sprovohen dhe njerëzit e tjerë. Madje, profetët mund të sprovohen më shumë dhe më rëndë, pasi sprovat janë sipas besimit. Prandaj, teksa shfletojnë historinë e profetëve, shohim që prej tyre janë vrarë për arsye meskine, si Jahja a.s. Ka pasur profetë të tjerë që janë dëbuar nga vendlindja, siç ndodhi me profetin Shuajb a.s. Profetë të tjerë u është refuzuar besimi dhe mesazhi me të cilin i dërgoi Zoti dhe kjo ka vazhduar për breza të tërë, siç ndodhi me Nuhun a.s. Të tjerë janë burgosur, siç ndodhi me Jusufin a.s, të tjerë janë keqtrajtuar dhe u kanë shpëtuar disa përpjekjeve për t’u vrarë, siç ndodhi me profetin Muhamed a.s në Uhud.
Historia e Jusufit a.s me Zulejhanë, përbëjnë një nga mësimet më të rëndësishëm për t’u pasur si model dhe shembull për nderin, pastërtinë morale dhe distancimin nga harami. Kjo, edhe pse mund të ketë pasoja të rënda më vonë.
Thotë Shehu islam, Ibnu Tejmije – Zoti e mëshiroftë -:”Durimi i Jusufit a.s për të përballuar joshjen e gruas së Azizit, ishte më i madh se durimi që bëri kur u hodh në pus, u shit si skllav dhe u nda nga familja e tij e dashur. Kjo, pasi këto sfida i erdhën pa dëshirën dhe vullnetin e tij. Ai nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të duronte.
Kurse durimi dhe maturia që tregoi përballë joshjeve dhe tundimit të Zulejhasë, ishte me vullnetin dhe zgjedhjen e Jusufit a.s. Përveç joshjes së Zulejhasë, Jusufi a.s kishte dhe arsye të tjera që mund t’a bindnin t’i përgjigjej tundimit të saj. Ai ishte i ri, ishte skllav, i hijshëm, ishte përballë një femre shumë të bukur dhe me pozitë të lartë, ajo ishte pronarja e Jusufit a.s, askush tjetër nuk i shihte, ishte ajo që e ftonte dhe joshte duke përdorur çdo mënyrë, e kërcënoi se do e burgosë dhe keqtrajtojë nëse nuk i bindet etj… Megjithë këto rrethana lehtësuese, Jusufi a.s e përballoi me dëshirë dhe vullnet këtë sprovë duke shpresuar në shpërblimin dhe kënaqësinë e Zotit të Madhëruar.” (Medarixh salikin, i Ibnul Kajjim 2/156)
Për të përshkruar atë që bëri gruaja e Azizit, kur u përball me refuzimin e Jusufit a.s, është një fjalë popullore që thotë:”Thërret hajduti, kapeni hajdutin!” Ku i akuzuari shndërrohet në akuzues, duke i përmbysur kriteret e drejtësisë.
Vallë çfarë do të ndodhte nëse Jusufi a.s do e pranonte ofertën e Zulejhasë?
Thotë Ibnul Kajjim, Zoti e mëshiroftë:”Betohem në Zotin e madhëruar që Jusufi a.s nuk korri lavdi dhe nuk jetoi i lumtur më vonë, veçse me atë qëndrim që mbajti para gruas së Azizit dhe tundimeve të saj. Nëse do i ishte bindur epshit,  vallë a do ishte Jusufi që njohim sot? Krahasojeni rastin dhe qëndrimin e Jusufit a.s me atë të Ademit a.s dhe i peshoni pasojat e gjynahut dhe frutet e durimit.” (Sajdul Hatir, Ibnul Xheuzij 122)
Transmeton Ibnu Abasi – Zoti e mëshiroftë – se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Habitem me durimin e Jusufit a.s dhe fisnikërinë e tij. Zoti e faltë! Të dërguarit e mbretit i vajtën që t’ju komentojë ëndrrën dhe ai ua komentoi. Nëse do isha në vendin e tij, nuk do ua komentoja ëndrrën pa dalë nga burgu. Zoti e faltë! Ata vajtën që t’a nxjerrin nga burgu, kurse ai refuzoi të dalë veçse si i pafajshëm. Nëse do isha unë në vendin e tij do të isha sulur drejt derës. Nëse nuk do të kishte thënë një fjalë, nuk do të kishte qëndruar në burg. Kjo, pasi e shpresoi lirimin nga burgu nga dikush tjetër përveç Zotit. Ai tha:”Më kujto tek padroni yt!” (El-muxhem El-kebir, Taberanij 11/249, hadithi nr 11640)
 
 
Epshet seksuale tek të rinjtë
 
Shpesh herë, njeriu e ndjen nga thellësia e zemrës të thotë:”Ndjej mall për seksin tjetër, dua të takohem patjetër me një të seksit tjetër, dua të shkrihem me të sikur të ishim një trup i vetëm dhe jo dy të ndarë.
Një ndjenjë e tillë, nuk ka përse të konsiderohet e turpshme dhe e pamoralshme. Një ndjenjë e tillë është pjesë e natyrës së pastër, me të cilën e ka pajisur Zoti njeriun. Të gjithë, burrat dhe gratë, e kanë këtë ndjenjë që i tërheq drejt seksit tjetër. Është pikërisht kjo ndjenjë ajo që garanton vazhdueshmërinë e racës njerëzore mbi tokë. Vetë konstrukti fizik i njeriut është tregues i këtij funksioni. Të gjithë proçeset fiziologjike, biologjike dhe kimike tek njeriu, janë vendosur në formë të tillë, që ky funksion të kryhet në formën më të përshtatshme. Vetëm kështu rigjenerohet lloji njerëzor mbi tokë. Pa kontaktin mes dy bashkëshortëve, diçka e tillë nuk mund të realizohet.
Rreziku i epshit seksual qëndron në dy gjëra:
Kur nevojat seksuale realizohen në rrugë të paligjshme.
Kur dëshira për të plotësuar këtë nevojë, sundon të gjithë aktivitetin e përditshëm të njeriut. Jeta nuk është vetëm aktivitet seksual dhe as e përqendruar në një objektiv të tillë. Secili prej ne ka obligime të shumta kundrejt vetes dhe njerëzve të tjerë.
 
 
Të rinjtë dhe emigrimi
 
Të rinjtë muslimanë që  kanë emigruar kryesisht në Amerikë dhe Europë, janë të ekspozuar gjatë gjithë kohës para joshjes dhe tunduesve seksualë. Ata ndodhen nën presionin e tyre fiziologjik për përmbushjen e kësaj nevoje dhe nën presionin e stimulantëve të jashtëm. Vetëm të devotshmit kanë arritur që t’a ruajnë veten për vite të tëra studimi dhe emigrimi pa rënë në rrjetën e një prostitute apo të një kolegeje që e ka ftuar për në haram. Të rinj të tillë, vazhdojnë të ecin në udhën që u përshkroi profeti Jusuf a.s, i cili u kthye në modelin më të mirë për të rinjtë.
 
Fenomen i çuditshëm
 
Është për të ardhur keq që ka filluar të përhapet dhe të dalë në sipërfaqe një fenomen shumë negativ, mania pas gjithçkaje që ka të bëjë me seksin. Këtu hyjnë filmat pornografikë, historitë erotike, fjalët, bota e modës etj… Mania pas gjithçkaje seksuale është bërë angazhimi i vetëm i shumë të rinjve. Përmbushja e nevojave seksuale është bërë objektivi i vetëm i tyre. Një fenomen i tillë, është sinjal alarmi për atë që mund të ndodhë në të ardhmen. Me këtë rast, le të kujtojmë thënien e Ebu Bekrit:” çdo popull tek i cili përhapet imoraliteti, do të përfshihet nga dënimi i Zotit.” (El-musannif, Ebu Rezzak 11/337)
Thënia e Ebu Bekrit, na kujton thënien e një perëndimori:”Rreziku i energjisë seksuale, është shumë më i madh se rreziku që mund të vijë nga energjia atomike.”
Një fenomen kaq i rrezikshëm nuk është i kufizuar vetëm në mesin e të rinjve, por është përhapur frikshëm edhe mes vajzave. Diçka e tillë na bën të paralajmërojmë dhe këshillojmë çdo prind që të merret me edukimin e fëmijëve të tij, t’u rrëfejë histori rreth pastërtisë morale të cilat përmenden në Kuran dhe sunet, t’u mësojnë edukatën e hyrjes në dhomën e gjumit të prindërve, t’i mësojnë të vishen me të gjata dhe hixhab, kufinjtë e komunikimit mes dy gjinive etj…. gjë e cila do i ndihmojë të ecin në udhën e Jusufit a.s.
 
 
Shkaqet e tradhëtisë bashkëshortore
 Ndër shkaqet më të përhapura të tradhëtisë bashkëshortore tek burrat mund të përmendim: Shpirti aventurier i tyre, shoqëria e keqe, demonstrimi i burrërisë dhe kujtimi i ditëve të rinisë, besimi i dobët, mërzia nga bashkëshortja, perversiteti, pretendimi se nuk është i lumtur etj…
Kurse ndër shkaqet më të përhapura të tradhëtisë bashkëshortore tek gratë janë: Hakmarrja për tradhëtitë e të shoqit, mungesa e dashurisë, vuajtjet psikologjike, besimi i dobët, nevoja materiale, dhënia pas gjithçkaje që ka të bëjë me seksin, ngaqë nuk dëshiron të divorcohet nga i shoqi për një arsye etj…
 
 
Si t’i edukojmë fëmijët tanë seksualisht
 
Më poshtë do të japim një kalendar praktik, mbi edukimin e shëndoshë të fëmijëve tanë kundrejt çështjeve seksuale.
 
Fëmija foshnje, djalë qoftë apo vajzë
–          Duhet të nxirret nga dhoma e gjumit gjatë kontaktit seksual mes prindërve.
–          Duhet të tregohemi të kujdesshëm që t’ia mbulojmë gjithmonë pjesët e turpshme dhe të mos lëmë një person tjetër t’ia ndërrojë rrobat.
–          Të përpiqemi t’a mësojmë që të mos i zbulojë pjesët e turpshme para njerëzve.
–          Të mos e lëmë në shtëpi vetëm me shërbëtoren, shoferin apo dikë të huaj. Më e mira do të ishte t’a marrësh fëmijën me vete.
 
Fëmijët mbi gjashtë vjeç.
 
A – Vajzat
 
–          Nuk duhet të dalë nga shtëpia e vetme në kohën e pushimit në drekë dhe në darkë.
–          Duhet të ndërgjegjësohet që të mos lejojë askënd të prekë pjesët e saj të turpshme. Diçka e tillë duhet të konsiderohet si e turpshme.
–          Nëse dëshiron të ndërrojë rrobat, duhet t’a bëjë pasi të sigurohet se është e vetme në dhomë dhe pasi të ketë mbyllur derën. Ajo nuk duhet t’i heqë rrobat jashtë shtëpisë, për çfarëdo shkaku.
–          Fëmijët nuk duhet të hyjnë në dhomën e shoferit të shtëpisë apo të pastrueses (shërbëtores). Ajo nuk duhet të dalë e vetme me shoferin.
–          Nuk duhet të luajë e vetme me kushërinjtë e saj më të mëdhenj.
–          Duhet të mësohet të vishet me rroba të brendshme të gjata (kur vesh fustan ose fund). Ajo duhet të mësohet si të qëndrojë ulur (sidomos kur ka veshur fustan ose fund)
–          Kultivimi dhe zhvillimi i ndjenjës së vetëkontrollit, duke e mësuar të ndërroj kanalet televizivë sa herë që paraqiten pamje dhe fragmente të turpshme. Kjo edhe kur vajza të jetë e vetme në dhomë.
 
 
 
Nëse vajza ka mbushur dhjetë vjeç:
 
–          Nëna duhet t’i flasë mbi pubertetin dhe të përmuajshmet.
–          Nëna duhet t’i flasë mbi abuzimin dhe t’i shpjegojë arsyet e vërteta për të cilat babai nuk e lejon të dalë e vetme me shoferin apo këdo tjetër të huaj, përse nuk e lejon të luajë e vetme me djem më të mëdhenj se ajo etj…
–          I kultivohet morali i turpit dhe reagimi i duhur, duke ndërruar kanalin televiziv, sa herë që shfaqen fragmente të turpshme.
–          Edukohet me veshjen e rrobave të gjata, duke shmangur ato të shkurtrat sidomos para vëllezërve, babait dhe njerëzve të huaj.
–          Edukohet dhe ndërgjegjësohet që të qëndrojë larg atyre shoqeve në shkollë, të cilat përpiqen të afrohen dhe fizikisht me të ose që shfaqin shenja perversiteti.
 
 
Kur vajzës i shfaqen shenjat e pubertetit:
 
–          Nëna i shpjegon mënyrën si formohet embrioni dhe se rruga e vetme dhe e ligjshme në islam është martesa.
–          Nëna i shpjegon rëndësinë e mbulesës islame (hixhabit) dhe urtësinë e mos shfaqjes në publik pa hixhab.
–          Nëna i tregon se në islam është haram të qëndrosh vetëm me një person të huaj, qofshin dhe kushërinjtë e vajzës, duke i shpjeguar llojet e qëndrimit vetëm.
–          Nëna i tregon mënyrën e pastrimit dhe të larjes (gusul).
–          Nëna i flet mbi domosdoshmërinë e distancimit nga ato vajza që shpërndajnë dhe shohin filma pornografikë, apo që u japin djemve numrat e tyre të celularit.
–          Nëna duhet t’i flasë mbi tiparet dhe cilësitë e një vajze muslimane me morale të lartë, ku një ndër karakteristikat e saj është: Nuk pranon të komunikojë me djem që nuk i njeh.
 
 
B – Djemtë
 
Nëse djali ka mbushur gjashtë vjeç:
 
–          Nuk duhet të dalë jashtë shtëpie i vetëm, gjatë pushimit të drekës dhe në mbrëmje.
–          Duhet të mësohet të flerë gjumë në krahun e djathtë, sipas sunetit të Profetit a.s. Kjo, pasi duke fjetur fëmija në bark, fërkohen organet e tij gjenitale me dyshekun.
–          I thuhet herë pas herë që askush nuk duhet të prekë organet e tij gjenitale.
–          Mësohet të kërkojë leje para se të hyjë në dhomën e gjumit të prindërve, sidomos në pushimin e drekës dhe në mëngjes.
–          Nëse i heq rrobat, duhet të sigurohet se askush nuk e sheh.
–          Duhet të praktikohet dhe t’a përmbajë veten e tij, duke e mësuar t’i ndryshojë kanalet televizivë kur shfaqin pamje të turpshme.
–          Duhet të ndahet në gjumë nga vëllezërit dhe motrat e tij.
 
 
Nëse djali mbush dhjetë vjeç:
 
–          Babai i shpjegon pubertetin dhe ejakulimin në gjumë.
–          Babai duhet t’i flasë rreth abuzimit seksual.
–          Duhet t’i thuhet të bëjë kujdes me shokët e tij më të mëdhenj në shkollë, sidomos në rastet e mëposhtme: Kur dikush e puth, i kap dorën dhe ia përkëdhel, i afrohet më shumë se ç’duhet, lëvdon bukurinë fizike të tij etj…
–          Edukohet me ndjenjën dhe moralin e turpit dhe ndërrimin e kanaleve televizive kur shfaqen pamje të turpshme.
 
Kur djalit i shfaqen shenjat e pubertetit:
 
–          Babai i flet mbi mënyrën e formimit të embrionit dhe se rruga e vetme dhe e pranueshme në islam, është nëpërmjet martesës.
–          I flet mbi rëndësinë e uljes së shikimit.
–          I flet mbi rëndësinë e distancimit nga të rinjtë që reklamojnë filmat pornografikë, që flasin dhe shoqërohen me vajza.
 
 
Përfundim
 
Historia e Jusufit a.s me gruan e Azizit, i bëjnë thirrje çdo të riu dhe të reje që të largohen nga vendet dhe personat e pamoralshëm. Nëse ndodhen në një pozicion  të tillë si ai i Jusufit a.s, në një ambjent epshndjellës etj… duhet të vetëpërmbahen dhe të bëjnë durim. Ata duhet të kujtojnë se Jusufi a.s pranoi të burgosej, por nuk pranoi marrëdhëniet jashtëmartesore. Thotë Profeti a.s:” ”Shtatë veta janë ata që Zoti do t’i vendosë nën hijen e Tij, atë ditë që nuk ka hije veç Tij…një burrë,  të cilin e fton një grua e bukur dhe me pozitë, por që ai i thotë: Unë kam frikë Zotin.” (Buhariu, 1/234, hadithi nr 629)
Nëse të rinjtë e ndjejnë veten të mbingarkuar me energji seksuale dhe ndihen të pafuqishëm për t’i rezistuar, le të agjërojnë. Agjërimi konsiderohet si mjeti më i efektshëm për menaxhimin dhe kontrollin e kësaj energjie. Kjo, pasi agjëruesit i ndalohet gjithçka që ka të bëjë me seksin.
Nëse edhe ky mjet nuk ka rezultat, atëherë le të martohet. Sipas të dërguarit të Zotit, njeriu shpërblehet edhe kur përmbush nevojat e tij fiziologjike me bashkëshorten. Thotë Profeti a.s:”Edhe në marrëdhëniet intime mes bashkëshortëve ka sevap.”
Dikush e pyeti:”O i dërguar i Zotit! Edhe kur dikush nga ne kryen marrëdhënie seksuale me gruan e tij, shpërblehet?!”
Profeti a.s i tha:”Nëse këtë vepër do e bënte në rrugë haram, a do të dënohej? Kështu, kur e bën në rrugë të ligjshme dhe hallall, shpërblehet.” (Muslim, 2/697, hadithi nr 1006)
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit