2.8 C
Pristina
Wednesday, November 13, 2024

Jusuf El Kardavi – Dijetar dhe mendimtar bashkohor

Më të lexuarat

Jusuf El Kardavi
Dijetar dhe mendimtar bashkohor
(All-llahu e ruajt)

Dr. Jusuf el-Kardavi u lind me 09.09.1926 në fshatin Safet Turab, Mehale el Kubra, Republika Arabe e Egjiptit, në një fshat me traditë të lashtë dhe rëndësi të madhe në Islam, pasiqë aty vdiq Abdullah bin el Harith bin Xhez-i el Zubejdij, sahabiju i fundit i cili vdiq dhe u varros në Egjipt, siç transmeton Hafidh bin Haxheri dhe të tjerët.

Kardavi qysh në fëmijëri dallohej me talentin e veçantë që posedonte, saqë para moshës dhjetë vjeçare i mësoi të gjitha rregullat e texhvidit dhe e mësoi edhe Kur’anin përmendësh (u bë hafiz i Kur’anit).

Pastaj u regjistrua në institutet e Az-harit, ku e kreu shkollën fillore dhe atë të mesme, dhe ku gjithmonë ishte ndër studentët më të mirë dhe më të dalluar. Edhe pse u burgos në rethanat e atëhershme, ai prapseprapë u radhit i dyti në nivel shtetëror nga shkollat e mesme. Më vonë u regjistrua në fakultetin e usuludinit në Univerzitetin e Al-Az-harit, ku edhe diplomoi në vitin shkollor 1952/53, dhe ishte studenti më i mirë në gjeneratën e cila diplomoi atë vit, me ç’rast numri i studentëve ishte 180.

Në vitin 1954 mori diplomë nga fakulteti i gjuhës arabe, ku edhe arriti diplomë internacionale me të drejtë mësimi, me ç’rast ishte studenti më i dalluar nga 500 të diplomuar atë vit në tre fakultetet e Az-harit.

Në vitin 1958 mori diplomë edhe nga Instituti për studimet e larta, në degën – Gjuha arabe dhe letërsia.

Në vitin 1960 i vazhdoi studimet e larta parapërgaditore (magjistraturë), dhe me sukses arriti të diplomojë në fakultetin e usuludinit – drejtimi Shkenca e Kur’anit she Sunnetit.

Në vitin 1973 në të njëjtin fakultet e mbrojti temën e doktoraturës me titull: “Zeqati dhe ndikimi i tij në zgjidhjen e problemeve shoqërore (sociale)”.

Punët zyrtare (administrative)

Dr. Jusuf el-Kardavi punoi një kohë si ligjërues dhe mësues nëpër xhami, pastaj si përgjegjës (drejtor) në Institutin El-Eimeh, i cili funksiononte nën kompetencat e ministrisë së vakëfit në Egjipt. Pastaj punoi edhe në univerzitetin Al-Azhar, si drejtues i zyrës për kulturën Islame, ku ishte përgjegjës për literaturën islame dhe botimet e saja, si dhe mbikqyrës i drejtorisë së Da’ves.

Në vitin 1961 u emërua drejtor i Institutit të mesëm islam në Katar, ku me punën e tij të palodhshme arriti ta bëjë një përmbledhje nga e kaluara e dobishme islame dhe reformat e nevojshme në përputhshmëri me realitetin islam.

Në vitin 1973 në universitetin e Katarit e themeloi fakultetin pedagogjik për meshkuj dhe atë për femra, ku edhe e hapi degën për studime Islame dhe u caktua si përgjegjës i saj.

Në vitin 1977 e hapi fakultetin e studimeve Islame dhe fakultetin e sheriatit në Universitetin e Katarit, ku edhe u emërua si dekan deri në përfundim të vitit akademik universitar 1989/1990. Poashtu ishte edhe themelues dhe drejtor i Qendrës për studime rreth Sunnetit dhe biografisë së Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve selem në universitetin e Katarit, ku edhe punon tani.

Në vitin akademik 1990/1991 u dërgua në Algjeri, që t’i udhëheqë komisionet e instituteve shkencore të universiteteve dhe institutet e studimeve të larta.

Në vitin 1991e fitoi çmimin e lartë të Bankës Islame, për zhvillimin e ekonomisë Islame, kurse në vitin 1993 e fitoi çmimin “Mbreti Fejsall”, për angazhimin dhe pjesëmarrjen e tij në studimet dhe analizat Islame.

Ishte fitues edhe i çmimit “Dhuntia Shkencore”, që jepej nga rektori i universitetit islamik botëror në Malezi, në vitin 1996.

Fitoi edhe çmimin e Sultan Hasan el Belkije (mbreti i Brunejit), për Fikëh el Islamijj.

Angazhimi dhe aktiviteti i tij në shërbim të Islamit

Doktor Jusuf el-Kardavi është njëri nga dijetarët bashkëkohorë Islam, i shquar dhe i mirënjohur në mbarë botën Islame, i cili gjendet pothuajse në të gjitha lëmitë: në shkencë, da’ve, mendim të lirë, xhihad etj. Pothuajse çdo musliman ka lexuar ndonjë nga librat e tij, broshurat, letrat, materialet, fetvatë, ose ka dëgjuar ligjeratë, hutbe, mësim, përgjigje, në shkollë, institut, fakultet, xhami, klub, radio, televizion etj. Aktiviteti i tij nuk përcaktohet në një drejtim dhe në një lëmi, por ai e ka zhvilluar aktivitetin e vet në të gjitha drejtimet e nevojshme, ku edhe sot janë të shënuara shenjat që tregojnë për personalitetin e tij.

Do të orvatemi të hedhim një pasqyrë në lëmitë më me rëndësi:

1. Lëmia e botimeve shkencore

2. Lëmia e Da’ves dhe udhëzimit

3. Lëmia e Fik’hut dhe fetvave

4. Lëmia e konferencave dhe seminareve

5. Lëmia e vizitave dhe ligjëratave

6. Pjesëmarrja e tij si anëtarë në senat dhe shoqata

7. Lëmia e ekonomisë Islame

8. Pjesëmarrja e tij në zgjidhjen e problemeve shoqërore

9. Në rizgjimin e muslimanëve

10. Lëmitë e lëvizjeve dhe xhihadi

Literatura Islame dhe botimet e ndryshme konsiderohen fama më e madhe me të cilën dallohet Jusuf el Kardavi. Ai është shkrimtarë (dijetarë) recenzues, siç e cilësoi Ebu El-Hasan el-Nedevijj në librin e tij, ku e tregoi peshën, rëndësinë dhe ndikimin e tij në botën islame; në të njëjtin tretman e trajtoi edhe dijetari i famshëm, shejh Abdulaziz Bin Baz. Çdo analitik i botimeve, librave dhe analizave të tij e vërteton tezën (mendimin) se ai është një mendimtarë i pazëvëndësueshëm dhe që nuk përsëritet, dhe as që mund të emitohet nga të tjerët. Ai nuk shqyrton një problematikë, nëse nuk paraqet diçka të re në domethënien e saj apo rreth saj, apo përmirësim (korigjim) të një botkuptimi (ideje), apo plasim (prezentim) të një mendimi të ri, ose qartësim të paqartësive, ose shpjegimin e gjërave të përgjithshme (universale) dhe klasifikimin e tyre, ose prezentimin e urtësive (hikmeteve) rreth çështjeve, dhe të ngjajshme.

Doktor Jusuf el-Kardavi në thesarin e tij të literaturës islame, në lëmi të ndryshme të kulturës islame, numëron mbi 50 libra, të cilat u pranuan me respekt nga dijetarët në botën islame, u ribotuan disa herë në gjuhën arabe dhe u përkthyen në gjuhët e ndryshme botërore.

Këta libra karakterizohen me disa veçori:

1. Në esencë mbështeten në prezentimin e vlerave fundamentale islame, të bazuara në librin e All-llahut, Kur’anin dhe në sunnetin dhe traditën e të parëve, duke mos harruar kohën në të cilën jetojmë, duke e bashkuar të kaluarën dhe të tashmen.

2. Bëjnë bashkimin mes zbulimeve (hulumtimeve) shkencore, meditimit ideor dhe orientimit reformues.

3. Largimi nga emitimi dhe ndjekja e ideologjive të eksportuara nga Perëndimi ose Lindja dhe radikalizmi i medhhebeve.

4. Ndarja e radikalizmit dhe reformës së tepruar, duke ndjekur vijën e mesit si lehtësim.

5. Në librat e tij vërehet mënyra e mirënjohur e shkrimit, “e lehtë, dhe e pranueshme”. Ky është stili i një dijetari dhe letrari me vision të gjerë dhe të fortë.

6. Me të gjitha forcat i luftoi idetë shkatërrimtare që vinin nga jashtë, dhe falsifikimet e devijimet nga brenda; u përqëndrua në idetë burimore islame dhe favorizonte mesin nga dy grupet: radikalistët dhe reformatorët e tepruar.

7. Në librat, në ligjëratat, derset dhe fjalimet e tij vërehet sinqeriteti dhe fjala e lirë. Të gjithë dijetarët janë të mendimit se botimet e tij prezentojnë precizitetin e fakihut, shkëlqimin e poetit, lirinë e fjalës të daiut (thirrësit islam) dhe pikpamjet e reformatorit.

Krahas librave shkencore, figurojnë edhe librat me karakter letrar, si për shembull drama “Dijetari dhe zullumqari”, e cila prezenton vendosshmërinë e Seid bin Xhubejrit dhe zullumin e Haxhxhaxhit.

Poashtu, ekzistojnë edhe botime tjera të këtij autori, të cilat i përgatiti për ministrinë e arsimit në Katar, për institutet fetare-islame në veçanti. Janë mbi 20 libra që mësohen në shkollat të cilat janë nën mbikqyrje të ministrisë së arsimit. Ato përmbledhin shkencat e hadithit, tefsirit, akaidit, fik’hut, lëndët shoqërore, filozofinë, ahlakun, shkencat islame në përgjithësi, si dhe disa analiza, studime, tema të ndryshme dhe kritika nëpër revista-gazeta.

Prej këtyre librave veçojmë:

1. “Hallalli dhe Harami në Islam”.

E shkruajti këtë libër me autorizimin e dijetarëve të Az-harit, në kohën e udhëheqësit të madh Mahmud Sheltut, dhe nën mbikqyrjen e drejtorisë së përgjithshme për kulturën islame, të drejtuar nga doktor Muhammed el Behij, dhe komisionit të veçantë. Ky libër me një shpejtësi të madhe u shpërnda nëpër botën arabe – islame, dhe u pranua me zemërgjërësi nga dijetarë të ndryshëm. Siç thotë Mustafa Zerka: “Është obligative që ky libër të gjendet në mesin e çdo familje muslimane”, apo siç thotë Muhammed el Mubarek: “Ky është libri më i mirë dhe më i qëlluar në këtë lëmi”, kurse Ali Tantavi ua mësonte këtë libër nxënësve në fakultetin pedagogjik në Meke.

Dijetari i njohur islam, Nasirudin Albani e bëri korrigjimin e haditheve, me ç’rast tregoi një interesim të veçantë, kurse edhe akademia e studimeve islame në dy universitetet e Pakistanit, në Penxhab dhe Karaçi i dha një vlerësim jashtëzakonisht të madh.

Në fillim të viteve të gjashtëdhjeta, studiuesja doktor Xhemile Shevket e bëri një analizë dhe një studim të veçantë rreth këtij libri, duke e konsideruar si metodë e re e studimit në fik’hun islam. Përmes këtij studimi ajo e mbrojti temën e magjistraturës në universitetin e Penxhabit, ku si mentor e kishte të përcaktuar Alaudin Sadikin, rektorin e universitetit.

Ky libër u ribotua mbi 40 herë në gjuhën arabe, nga shtëpi të ndryshme botuese në Egjipt, Liban, Kuvajt, Algjeri, Maroko, Amerikë etj. Pati edhe botime tjera që u realizuan pa lejen e autorit, e të cilat vështirë se mund të numërohen. Ky libër u përkthye në gjuhë të ndryshme të botës, edhe atë: anglisht, gjermanisht, urdisht, turqisht, persisht, malejzisht, indonesisht, spanjolisht, kinezisht, shqip, etj.

2. “Fik’hu Zekat”

Ky libër është një studim i zgjeruar me analiza dhe konkluza rreth hukmeve të zekatit, fshehtësive dhe ndikimit të tij në përmirësimin e situatës ekonomike, socialo-shoqërore në dritën e Kur’anit dhe Sunnetit, dhe konsiderohet si punim më i shquar dhe i pazëvendësueshëm shkencor në kohën tonë. Të specializuarit në këtë lëmi dëshmojnë se nuk ka libër tjetër apo të ngjajshëm, që është botuar në literaturën islame, e që mund të krahasohet apo të rangohet me këtë libër.

Halil Hamidi tregon se Ebu Ala el Mevdudi ka thënë: “Ky është libri i shekullit në fik’h.” Kurse Muhammed el-Mubarek në parathënien e librit të tij me titull “Ekonomia” thotë: “Ky është një libër që rrallë herë mund të përsëritet në kolekcionin e fik’hut, dhe konsiderohet si punë e madhe dhe e pazëvëndesueshme në këtë lëmi”.

Instituti për hulumtime ekonomike islame pranë universitetit “Mbreti Abdulaziz” në Xhede, e mori përgjegjësinë për përkthimin e këtij libri në gjuhën angleze, gjë të cilën edhe e realizoi. Poashtu ky libër u përkthye edhe në gjuhën urde, turke dhe indoneziane, si dhe në disa gjuhë tjera.

Librat e Kardaviut zgjodhën një sërë problemesh me të cilat preokupohej muslimani bashkëkohorë, e poashtu ishin edhe një mbështetje e logjikshme për problemet ideologjike që plasoheshin në rradhët e muslimanëve nga armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm. Ajo u tregua edhe më e fortë kur të “majtët” arab proklamonin atë që e quanin atëherë “domosdoshmëria e zgjedhjes socialiste”, prej të cilës doli “Konventa” egjiptase, që disa të tjerë e quanin “fletushka e revolucionit”. Ishte Kardavi ai që i sulmoi këto ideologji të rrezikshme që vinin nga e majta socialiste, edhe atë me librin e tij në tre vëllime: “Domosdoshmëria e zgjedhjes Islame”.

Kur ndodhi disfata, më 05.06.1967, e cila u quajt “Mposhtje”, disa analitikë të asaj kohe e plasuan mendimin se feja (Islami) qëndron pas humbjes (Mposhtjes), kurse Kardaviu e nxori menjëherë librin e tij “Mësimet e disfatës së dytë”, i cili për një kohë të shkurtë u bë libri më i kërkuar nëpër librari.

Në luftën për “Praktikimin e sistemit Islam”, ose në betejën “Islami dhe sekularizmi” e cila u bë aktuale në vitet e fundit, kur u ngritën lartë zërat e popullatës e cila kërkonte që sistemi shtetëror të funksionojë sipas sistemit të sheriatit (sistem islam), dolën në skenë sekularistët, të cilët e refuzonin dhe e luftonin me të gjitha mjetet këtë ide, duke e shfrytëzuar edhe një pjesë të konsiderueshme të mjeteve të informimit për propagandat e tyre, duke i zbukuruar ide e tyre sekulariste, edhe pse ishin të dyshimta dhe shkatërrimtare. Ishte zëri i ndërgjegjës së pastërt i Kardaviut që u kundërvihej atyre dhe i luftonte ata, e, në këtë kontest, në veçanti vlen të përmendet “Seminari Historik” të cilin e organizoi sindikata e mjekëve egjiptas, që u mbajt në “Dar al Hikmeh”, ku islamistët i përfaqësonin Gazaliu dhe Kardaviu. Ky seminar ishte ndodhia më e rëndësishme e asaj kohe, të cilës iu kushtua një interes jashtëzakonisht i madh. Si rezultat i këtij seminari doli në shtyp libri “Islami dhe sekularizmi ballë për ballë”, në të cilin u jepet përgjigje adekuate sekularistëve egjiptas në krye me Fuad Zekerijanë dhe të tjerët, ku u hodhën poshtë të gjitha thirrjet dhe spekulimet e tyre të dyshimta, me argumente të shëndosha shkencoro-logjike.

Në një luftë tjetër në lidhje me lejimin e kamatës prej bankave, llogaritë dhe librezat e kursimit, zëri i tij ishte më i buçitshmi dhe më i forti që iu kundërvu lejuesve të kamatës bankiere. Kardavi, si produkt të këtij mendimi nxorri librin “Faideja e bankave është kamatë e ndaluar”.

Lëmia e fik’hut dhe fetvasë

Kontribut të shquar Kardaviu ka dhënë edhe në lëminë e fik’hut dhe fetvasë. Atij në çdo tribunë, ligjeratë apo seminar ku prezenton i parashtrohen një numër i madh i pyetjeve nga tematika të ndryshme islame dhe kërkojnë përgjigje prej tij, përgjigje të cilat hasin në pranim të ngrohtë tek masa e thjeshtë dhe intelektualët muslimanë, sepse ato përmbajnë pikëpamje shkencore, forcën e pranimit dhe bindjes, duke e ndjekur rrugën e mesit, përgjigje të cilat sot janë shndëruar në enciklopedi për shumicën e muslimanëve në botën islame dhe jashtë saj.

Stilin e fetvave e prezentoi në parathënien e librit të tij “Fetvatë bashkëkohore”, në vëllimin e parë. Këtë e qartësoi në fletushkën (librin) “Fetvaja mes regullës”, ku i shfaqi rëshqitjet dhe devijimet e disa individëve, duke e argumentuar këtë me shembuj dhe argumente. Domethënia e këtij stili ndërtohet në lehtësimin e gjërave dhe qartësimin e të paqartave; duke u mbështetur në argumentet logjistike dhe të shëndosha; duke u larguar nga emitimi e radikalizmi dhe duke sugjeruar në dobitë që rrjedhin nga shkollat juridike (medhhebet) ekzistuese; në komunikim me njerëzit në gjuhën e kohës, duke i shfrytëzuar mirësitë, dobitë e duke u larguar nga dëmet; duke ndjekur rrugën e mesit dhe drejtësisë.

Ky stil kompletohet dhe bëhet më i përsosur në librin e tij: “Ixhtihadi në Islam dhe pikëpamjet analitike në ixhtihadin bashkëkohorë”. Në këtë libër ai i shpalosi rëshqitjet (gabimet – devijimet) e ixhtihadit bashkëkohor, duke i shfaqur (prezentuar) rregullat e nevojshme, shenjat dhe mekanizmat e ixhtihadit bashkëkohorë produktiv e real. Ishte i kujdesshëm dhe vigjilent në realizimin e këtyre rregullave (principeve) në shkencat e fik’hut, si për shembull në librat “Hallalli dhe Harami”, “Fik’hu Zekat”, “Jo muslimanët në shoqërinë islame”, “Fik’hu Sijam”, libra këto që kanë rëndësi të madhe dhe të cilat luajtën rol të madh në lehtësimin e të kuptuarit të fik’hut.

Lëmia e Da’ves dhe udhëzimit

Doktor Kardavi në karrierën e tij zhvilloi aktivitete nga më të ndryshmet: nga puna akademike, administrative, kulturore, nga lëmia e fik’hut dhe fetvasë, në gjuhë dhe letërsi, poezi, etj. Por ai në rend të parë është njeri i da’ves; daveja është mishi, shpirti dhe gjaku i tij. Ajo është lëmia së cilës i kushton rëndësi më të madhe, sepse atë e filloi qysh prej ditëve të para rinore, kur ishte nxënës në shkollën fillore, prej kur ishte nxënës në institutin “TANTA”, në moshën 16 vjeçare. Pra, zanafilla e tij ishte vendlindja e tij, e deri në lindje dhe perëndim të rruzullit tokësor.

Në këtë mision ai ka minbere të shumta:

Minberi natyror historik në thirrje në rrugën e All-llahut të madhërishëm, që janë xhamija, derset, ligjeratat dhe mësimet.

Derisa ishte student në fakultetin e usulidinit, ai ishte edhe ligjerues në një xhami në qytetin Mehale Kubra, i njohur si qytet industrial në Egjipt.

Ishte imam i mijërave njerëzve për namazin e xhumasë në xhaminë e njohur “Alehtaha”, të cilën popullata e njihnin me emrin “Xhamia e sheik Jusufit”, ku, prej numrit të madh të popullatës që prezentonte, përgjegjësit e xhamisë u detyruan ta zmadhojnë atë dhe ta bëjnë disa katëshe.

Pas daljes nga burgu, në vitin 1956, Ministria e Vakëfit e përcaktoi atë si ligjërues në xhaminë “El-Zemalik” në Kajro. Ai e kreu këtë detyrë derisa u ndalua nga puna me urdhër të Xhemal Abdun Naserit.

Kur u punësua në Katar, në vitin 1961, ai e caktoi xhaminë si mjetin dhe vendin prej nga e fillonte aktivitetin e tij si ligjerues, udhëzues, mësues. Këtë mision e vazhdoi deri në ditën e sodit, si ligjërues, në ditën e xhuma, në xhaminë “Omer bin Hattab”, ligjërata e të cilit transmetohet drejtpërdrejtë në televizionin e Katarit.

Nga aktivitetet e Kardavit:

Mësimet javore pas namazit të xhumasë, mbrëmja e ditës së hënë për çdo javë dhe mësimet e rregullta të ramazanit.

Në mjetet e informimit ai e bëri minberin e tij; mban ligjërata, mësime dhe programe të rregullta në radio dhe televizion, duke përfshirë këtu: tefsirin e Kur’anit, shkencat e hadithit, si dhe përgjigjet në pyetjet që i drejtohen atij nga muslimanët dhe muslimanet, nga jeta e përgjithshme dhe rreth Islamit.

Radio Katari, që nga fillimi i emitimit të programeve të para, e kishte programin me titull “Drita dhe udhëzimi”, që udhëhiqej nga Kardaviu, edhe atë disa vite me rradhë, derisa vet Kardaviu, për shkak të angazhimeve të mëdha, e ndërpreu emitimin e tij.

Programin tjetër me titull “Udhëzimi Islam”, çdo mbrëmje të ditës së xhuma, e filloi me televizionin e Katarit, të cilin e vazhdon edhe sot. Ky program ndiqet me vëmendje të madhe në Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në pjesën lindore të Arabisë Saudite. Ky është programi më i shikuar, ngase aty prezentohet një stil i veçantë i studimeve islame, analizave, da’ves, fetvave dhe njohurive tjera të ndryshme.

Krahas mjeteve të informimit, atyre që dëgjohen dhe shikohen, aktiviteti i tij shtrihet edhe në shtypin e përditshëm. Temat e tij i vërshuan pothuajse të gjitha revistat dhe gazetat islame: “El-Ez-her”, “Nur-Al Islam”, “Minber Al-Islam”, “Da’ve”, që dalin në Kajro, pastaj revista “Hadare al Islam” në Damask, “Va’ajul Islami” dhe “El Ba’athul Islami” në Indi, “El Daave” në Rijad, “El Dedha” dhe “El-Ummetu” në Katar, “Menarul Islam” në Ebu Dhabij, “El Muslim el Muasir” në Liban dhe të tjera.

Krahas gjithë kësaj që prezentuam, ai është i pranishëm në mesin e muslimanëve edhe me shkrimet dhe botimet e tij, me tribunat dhe seminaret e ndryshme ku ka prezentuar qëndrimet e tija rreth çështjeve të ndryshme të Islamit.

Nuk ka dyshim se Kardavi është një thirrës i pazëvendësueshëm në Islam, një personalitet i veçantë në mesin e dijetarëve islam, një personalitet i fortë dhe i dalluar, me një stil të veçantë të dijetarit bashkëkohorë i cili e gjenë rrugën e vërtetë dhe të sigurtë për të depërtuar në thellësitë e zemrave të muslimanëve.

Ai dallohet me forcën e të kuptuarit nga masa popullore dhe bindjen e thellë tek njerëzit e ngritur (intelektualët).

Ai dallohet me forcën e komunikimit me logjikën e shëndoshë dhe kaplimin e emocioneve.

Ai dallohet me forcën e prezentimit të të kaluarës dhe përfitimin (dobitë) nga shkenca dhe kultura bashkëkohore në përgjithësi.

Ai dallohet me forcën e kombinimit mes da’ves në aspektin teorik, punës (aktivitetit) organizative dhe flijuese për hirë të Islamit.

Ai dallohet me lidhshmërinë e bindjes fetare individuale me preokupimet e popullatës islame dhe çështjet e mëdha e vendimtare.

Ai dallohet me lidhjen që e prezenton mes da’ves dhe fik’hut, mes fik’hut dhe da’ves, saqë nuk vëren asnjë dallim mes fakihut dhe daisë.

Në përgjithësi mund të themi se ai është dijetar i pazëvendësueshëm në të gjitha lëmitë.

Lëmia e konferencave dhe seminareve shkencore

Nga aktivitetet e rëndësishme të Kardaviut janë edhe organizimi apo pjesëmarrja e tij në simpoziume, seminare dhe konferenca të ndryshme. Ai ishte aq i pranishëm në këto organizime, saqë nuk organizohej konferencë, simpozium, seminar apo tribunë rreth mendimit islam ose me tematikë të thirrjes në Islam, e të mos jetë aty prezent Kardaviu, në shenjë respekti dhe nderi për kontributin e tij, si dhe rëndësinë dhe pozitën e meritur në mesin e dijetarëve islam. Ai prezentonte në të gjitha këto tubime, përkundër faktit se ishte tepër i angazhuar, por kujdesi i tij për zhvillimin e Islamit, dhe dëshira e flaktë që Islami të depërtojë në zemrat e njerëzve e obligonte atë për një gjë të tillë. Ai gjithmonë zgjonte kureshtje të madhe te pjesmarrësit dhe prezenca e tij u jepte një karakter të veçantë këtyre tubimeve. Nga këto konferenca veçojmë:

Konferenca e parë botërore për ekonominë Islame, nën mbikqyrjen e universitetit “El Melik Abdulaziz” në Meke.

Konferenca e parë botërore për përgatitjen e thirrësve në Islam dhe paisja e tyre me mekanizmat e duhur të da’ves, nën patronatin e universitetit islamik në Medine.

Konferenca e parë botërore për shkencat e fik’hut islam në Rijad, nën patronatin e universitetin “El – Iman Muhamed bin Saud el Islamije”.

Konferenca e dytë botërore për përgatitjen e thirrësve në Islam dhe pajisja e tyre me mekanizmat e duhura të da’ves, nën mbikqyrjen e universitetit islamik në Medine.

Konferenca e parë botërore për mbrojtje nga alkoolizmi, narkomania dhe duhani, nën patronatin e Universitetit islamik në Medine.

Karvani i seminarit të dijetarëve (ulemasë) në qytetin Kahno në Indi, që u organizua nga dijetarët islam në bashkëpunim me shtëpinë botuese El – Mesfejn në qytetin Adham Kerah në Indi, me titull “Islami dhe Orientalistët”.

Konferenca e Sunnetit dhe historiografisë së Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve selem, që u organizua në shumë shtete.

Në konferencën që u mbajt në Katar u zgjodh si zëvendëskryetar.

Seminari “Legjislatura Islame” në Libi.

Konferenca në Institutin për hulumtime islame në Kajro.

Konferencat e bankave (sistemit bankar islam) Islame në Dubai, Kuvajt, Stamboll etj.

Konferenca “Ekonomia islame në fushën e praktikës” në Ebu Dhabij.

Seminari “Organizata Islame për shkencat medicinale” në Kuvajt, Seminaret e Zekatit në Kuvajt, Konferenca e “Lidhjes së Universiteteve Islame” në Kajro e të tjera. Konferenca e Institutit mbretëror për hulumtimet e civilizimit islam në Jordan, takimet e mendimtarëve islam në Algjer, seminari për rizgjimin Islam dhe preokupimet e shtetit arab në Aman, konferenca “Islami dhe Medicina” në Kajro, si dhe disa punime të shumta.

Lëmia e tribunave dhe vizitave universitare

Dr. Kardavi është gjithmonë i kërkuar nga udhëheqësitë dhe studentët e universiteteve të ndryshme. Atij i është bërë ftesë që të mbajë ligjerata dhe tribuna nga studentët, por edhe nga kolegjiumi i profesorëve, e ndonjëherë edhe nga të dy palët bashkërisht, edhe atë në disa universitete arabe dhe islamike, si për shembull në universitetet egjiptase: “Al-Az-hari”, “Ajni Shems”, “Iskenderije”, “El-Mensura” dhe “Asijut”, pastaj nga universiteti “Al-Hartum” dhe universiteti Islamik “Um Derman” në Sudan, nga universiteti Islamik në Medine, në Arabinë Saudite, në të cilin në disa mandate ishte edhe anëtar i senatit, nga universiteti “Mbreti Abdul-Aziz” në Xhed-de, universiteti “Al-Dhahran” për derivatet e naftës dhe pasurive tjera natyrore, universiteti “Mbreti Fejsall” në Demam, universiteti “Mbreti Saud” në Rijad, nga universiteti “El Kuvajt” në Kuvajt, universiteti i Emirateve të bashkuara Arabe në Ajin, universiteti “El-Halixh” në Bahrejn, universiteti Jordanez dhe universiteti “Aljarmouk” në Jordan, universiteti “Muhammed el Hamis” në Rabat, universiteti “Kadi el Ajash” në Merakish – Maroko, universiteti “Sanaa” në Jemen, universiteti “El Emir AbdulKadër” në Kosantina dhe disa universitete tjera të Algjerit, nga universiteti Islamik botërorë në Islamabad, universiteti “El-Benxhab” në Lahore, universiteti “El Melaju” dhe universiteti Islamik botëror në Malejzi, universiteti “Ahmedo Bel-Lelu” në Nigeri, universiteti “Ibën Haldun” në Indonezi, universiteti “Mendnan” në Filipinën Jugore, nga disa universitete në Japoni dhe në Korenë Jugore, si dhe nga disa qendra dhe institute shkencore, si për shembull:

– Qendra për studime ekonomike islame në Xhed-de

– Instituti ekonomik Islam në Kajro

– Qendra për studime islame “Mbreti Fejsal” në Rijad

– Instituti i lartë i mendimit islam në Amerikë

– Klubi letrar në Meke

– Klubi kulturor në Mbretërinë e Omanit

Krahas kësaj, Dr. Kardaviu vizitoi një numër të madh të shteteve arabe dhe Islame në Azi dhe Afrikë, si dhe shumë qendra dhe bashkësi islame që përbëhen nga pakicat islame në Europë, dy Amerikat dhe Australi, ku mbajti takime, ligjerata, tribuna dhe seminare të shumta të cilat u pritën me zemërgjërësi dhe patën ndikim të madh në veçanti te rinia.

Anëtarësia në asociacione dhe bashkësi të ndryshme:

Duke u mbështetur në autoritetin që e gëzon Kardaviu në rradhët e popullatës islame dhe dijetarëve islam, ai në disa mandate ishte anëtarë në Mexhlise, bashkësi, qendra, asociacione të ndryshme shkencore, edukativo-arsimore, ekonomike, shoqërore dhe të da’ves.

Ai është anëtar në një asociacion të lartë për edukim në Katar, anëtar i kolegjiumit (komisionit) për fetva në Katar, kryetar i komisionit për kontrolin islam në bankën islame “Katar”, në bankën internacionale islame në Katar, në bankën islame “Fejsal” në Bahrejn dhe Karaçi, në bankën “El Tekva” në Zvicër, anëtar i bashkësisë së njerëzve eminent të Organizatës së thirjes (da’ves) islame në Afrikë me seli në Kartum, anëtar i qendrës së fikhut islam nën mbikqyrjen e organizatës Rabita El Alemul Islamij në Meke, ekspert i qendrës së fikhut nën kompetencat e organizatës së konferencës islamike në Xhede, anëtar i senatit të universitetit islamik botëror në Islamabad, anëtar i senatit të qendrës për studime islame në Oksford, anëtar i Lidhjes së letërsisë Islame në Kehnou në Indi, anëtar themelues i organizatës për ekonominë islame në Kajro, anëtar i zyrës në qendrën për analizat e kontributit të muslimanëve në civilizim në Katar, zëvendës i kryetarit të asociacionit botëror islam për zekat në Kuvajt, anëtar i institutit mbretëror për hulumtime rreth kulturës islame në AlulBejt në Jordani dhe anëtar themelues i shoqatës humanitare botërore islamike në Kuvajt.

Lëmia (sfera) e ekonomisë Islame

Dr. Kardavi kujdes të veçantë gjithmonë i ka kushtuar edhe aspektit ekonomik në Islam, edhe atë teoretikisht dhe praktikisht.

Në aspektin teorik: Ai ka mbajtur një numër të madh të ligjëratave, mësime dhe seminare për aspektin ekonomik në Islam, si dhe ka botuar një numër të madh të librave në këtë lëmi, libra që janë mjaft të njohura në botën arabe – islame, si për shembull librat: “Fikhul Zekat”, “Problemi i varfërisë dhe si e zgjodhi Islami atë”, “Si funksionojnë bankat islame”, “Faideja e bankave është kamatë e ndaluar”.

Në praktikë: Ai e mbështeti themelimin e bankave islame dhe e përkrahi sistemin bankiar para se të themelohet, ndihmoi në funksionimin e Unionin ndërkombëtar të bankave Islame, ku edhe sot është anëtar dhe ekspert.

Për disa vite ishte këshilltarë për çështjet islame në bankën e parë islame “Banka Islame e Dubait”, pastaj ishte edhe anëtar i kryesisë qendrore për kontrollin islam në arkën e pasurisë islame në Gjenevë, në kompaninë për kursime “Raxhimi” në Arabinë Saudike, kurse poashtu ishte kryetar i grupit të ekspertëve islam në këto banka: “Banka Islame e Katarit” në Doha, “Banka ndërkombëtare Islame e Katarit”, Banka Islame “Fejsal” në Bahrejn dhe Pakistan, Banka “Tekva” në Zvicër, e kështu me rradhë.

Fshehtësinë e angazhimit të tij në ekonominë islame, ai e shpjegoi në parathënien e libri “Bej ul Murabahati”, me fjalët:

“Angazhimi im në ekonominë islame dhe kontributi i dhënë në këtë lëmi është pjesë përbërëse e angazhimit tim për Islamin dhe parimet globale të tij, dhe thirrje publike që sistemi islam të funksionojë në të gjitha sferat e jetës, që ligjet islame të aktivizohen në shërbim të popullatës muslimane dhe t’i zëvendësojnë ligjet tjera të përcaktuara nga njerëzit.”

Lëmia e aktivitetit humanitar dhe shoqëror

Dr. Kardavi aktivitetin e tij të palodhshëm e shtriu edhe në shoqëri, duke e dhënë kontributin e tij të madh në problemet shoqërore dhe zgjidhjen e tyre, kurse kujdes të veçantë i dha edhe çështjes së humanitetit.

Ai gjithmonë i kritikonte lëvizjet dhe organizatat Islame, të cilat, në disa raste, e harxhonin tërë forcën e tyre në aktivitetet politike, duke e lënë pas dore punën shoqërore. Ai e urrente pesimizmin shoqëror që vërehej tek muslimanët, përderisa armiqtë e thirrjes islame tregonin një angazhim jashtëzakonisht të madh në këtë lëmi duke u munduar t’i largojnë muslimanët nga Islami i vërtetë dhe t’i hudhin në humnerë, duke e mbuluar aktivitetin e tyre me mbulesën e ashtuquajtur “Shërbime shoqërore dhe aktivitete humanitare”, duke ngritur dhe ndërtuar shkolla, spitale, mjete të informimit, fonde të donatorëve dhe organizata të ndryshme shoqërore.

Ai e ngriti zërin kundër kësaj me moton: “Dhuro një dollar, shpëto një musliman”, moto e cila u përhap dhe u dëgjua e u përkrah nga muslimanët në shumë shtete.

Ai e themeloi Shoqatën humanitare Islame me karakter ndërkombëtar, me seli në Kuvajt, kurse në Katar e themeloi “Fondin popullor”, për të ndihmuar nevojtarët, të varfërit në Katar dhe jashtë tij, dhe e quajti atë “Sanduku Islamik i Katarit për tubimin e zekatit dhe sadakasë”.

Lëmia e udhëzimit dhe rizgjimit të rinisë Islame

Nga fushat më të preferuara dhe me preokupim më të madh për Kardaviun, ku edhe dha kontribut më të madh, është fusha e rizgjimit të rinisë islame. Ai prezenton në konferenca, tribuna, seminare, tubime dhe kampingje që i organizon rinia Islame në shtetet islame dhe jashtë, duke e prezentuar opcionin që duhet ta ketë rinia Islame në të ardhmen. Në organizime të tilla ai prezentoi edhe në Amerikë, Kanada dhe Evropë. Ai gjithmonë e mbante vijën e mesit, duke e kundërshtuar ngurtësinë dhe radikalizmin, predikonte me butësi dhe logjikë të shëndoshë, bindje të fortë dhe të argumentuar, e jo me dhunë e shtypje, kërkonte unitet dhe bashkim në konsolidimin e rradhëve e jo përçarje.

Nga aktiviteti i tij janë edhe shkrimet dhe botimet, ligjëratat dhe mësimet e inçizuara dhe të shpërndara anëmbanë botës islame, të cilat kanë të bëjnë me rizgjimin islam dhe nevojën e radhitjes së potencialit islam në këtë drejtim.

Në këtë lëmi ai i prezentoi popullatës shkrimet e veta në revistën “El-Umetu”, e cila botohet në Katar, me titull: “Rizgjimi i rinisë Islame – dukuri e shëndoshë shpresëdhënëse që duhet përkrahur dhe motivuar, e jo kundërshtuar”. Këto shkrime u botuan në dhjetëra mijëra ekzemplarë dhe u shpërndanë në shtetet arabe dhe islame. Ndërsa nga librat e tij veçojmë: “Rizgjimi Islam dhe preokupimet e shteteve arabe dhe Islame”, “Për një rizgjim të qëlluar që rindërton universitetit islamik në Medine fenë dhe ripërtinë dunjanë”, “Rizgjimi Islam mes komparacionit të lejuar dhe përçarjes të mallkuar”, si dhe fletushkën “Dukuria e tepruar për mohuesit”,

Në tubimet që i realizonte me të rinjtë motoja e tij ishte: Të angazhohemi me punë, aktivitet dhe progres, më shumë se me fjalë, komunikata dhe biseda; të interesohemi më tepër rreth çështjeve primare, ndaj atyre sekondare; të largohemi nga paragjykimet, fantazmat, e të mos ngjitemi në qiellin e ëndërrave të parealizueshme, por të zbresin në realitetin tokësor e të angazhohemi të jetojmë aty dhe t’i zgjedhim problemet tona; ta mbështesim da’ven tonë në argumente të qarta dhe me fjalë të buta dhe të ndershme, e të largohemi nga dhuna dhe arroganca.

Lëmia e aktivitetit organizativ

Dr. Jusuf el Kardavi u angazhua qysh në ditët e para të rinisë me aktivitetin e da’ves (thirjes) në Islam, duke e prezentuar da’ven nëpërmjet ligjeratave, tribunave, fjalimeve dhe mësimeve.

Pasi u njohtua me udhëheqësin e Lëvizjes së njohur Islame “Vëllezërit Muslimanë”, Imam Hasan el Benna, ia mundësoi dhe ia përgatiti atij vizitat e disa komunave egjiptase, duke filluar nga Aleksandria deri në Asvan, pastaj edhe deri në Sina. Poashtu ia përgatiti edhe vizitat e disa shteteve arabe, si Sirisë, Libanit dhe Jordanit.

Duke u autorizuar nga Hasan el Hudajbi (udhëheqës i dytë i lëvizjes “Vëllezërit Muslimanë”), Jusuf el Kardavi gjithë këtë aktivitet dhe sakrificë me qëllim të da’ves e bëri përderisa ishte ende student në fakultetin usulidinit.

Për shkak të aktiviteteve të tij ai disa herë u persekutua dhe u burgos. Së pari, qysh si nxënës i shkollës së mesme, në kohën e mbretit Faruk, në vitin 1949, e më vonë edhe në kohën e Revolucionit, në janar të vitit 1954, pastaj në nëntor të të njëjtit vit, me ç’rast qëndroi në burg afro 20 muaj, dhe prap në vitin 1963.

Lidhjet e ngushta që pati me lëvizjen islame “Vëllezërit Muslimanë”, aktiviteti i tij edukativo-arsimor në të, si vuajtjet dhe persekutimet që i përjetoi për këtë ide, ishin arsyet që anëtarët tjerë të kësaj lëvizjeje ta konsiderojnë atë si njërin nga ideologët dhe strategët e saj, sepse ai ishte auto-kritiku dhe projektuesi i hapave konkret e real të lëvizjes, si dhe reformatori i platformës së saj. Ai thërriste në koordinim dhe bashkëpunim me të gjitha lëvizjet tjera simotra, dhe nuk shihte asnjë problem në shtimin e numrit të lëvizjeve islame, sepse ky shtim do t’i kontribuonte aktivitetit të mirëfilltë islam, e jo kundërshtimit, mosmarrëveshjeve apo përçarjes.

Ky orientim kritikues me qëllim organizativ u qartësua edhe më shumë në disa shkrime, botime, analiza dhe ligjërata që u përgatitën për këtë qëllim. Në këtë kontest pjesën e fundit të librit “Zgjedhja islame – obligim dhe domosdoshmëri” dhe shkrimet në revistën “El Umeh”, me titull “Ku qëndron problemi”, ai i mblodhi në një libër të veçantë, të cilin e titulloi: “Hapat e para të lëvizjes Islame.”

Kardaviu me termin lëvizje islame nënkupton aktivitetin e përbashkët islam gjithë popullor, i koordinuar mirë, që buron nga zemra e popullit, dhe i cili paraqet me të vërtetë personalitetin real, shpresën, besimin, mendimin, vlerat stabile dhe reformat shpresëdhënëse.

Ai e sheh si të domosdoshëm faktin që lëvizja ta korrigjojë e ta përforcojë veten dhe t’u japë vullnet dhe shpresë të gjithë bijve të vet që t’i paraqesin këshillat, sugjerimet dhe kritikat e tyre, edhe nëse ato janë të hidhura.

Në këtë kontest ai thotë: “Disa njerëz të sinqertë frikohen ta hapin derën e kritikës, për shkak të disa prioriteteve dhe formaliteteve. Kjo është arsyeja që disa dijetarë e mbyllën derën e ixhtihadit dhe thirrnin me zë të lartë për këtë. E shoh domosdoshmëri dhe obligim që të hapet dera e ixhtihadit për njerëzit kompetent, sepse në fund nuk ngel asgjë tjetër, përveç se dobia, dhe nuk rregullohet asgjë tjetër, vetëm se përforcohet e vërteta.”

Ai nuk sheh pengesë në numrin e madh të lëvizjeve apo organizatave aktive islame. Le të jetë një grup për pastrimin dhe zhveshjen e imanit (akides) nga fantazmat dhe shirku, një grup për pastrimin e ibadeteve nga bidatet (risitë) e futura në to, një grup le të kujdeset për problemet e familjes, një grup le të angazhohet në procesin edukativo-arsimor, disa le të punojnë dhe le të jenë më aktivë me masën, e të tjerët me intelektualët, por me kusht që këto grupe të mos kenë mendime të këqija ndaj njëri-tjetrit, dhe në rast të kundërshtimeve apo mosmarrëveshjeve t’ia falin njëri-tjetrit dhe të rreshtohen në një rresht për çështje të mëdha.

Ai parasheh se lëvizja islame duhet të transferohet nga faza e fjalës në fazën e punës, të mbështetur në parimet islame dhe nevojat e kohës aktuale.

Ai një pjesë të fajit për dekadencën e lëvizjeve islame ua hedhë disa dijetarëve islam për shkak të mosangazhimit të tyre në aktivitete humanitare dhe akcione të bamirësisë, si dhe për themelimin e shtetit të shumë pritur islam.

Ai e sheh daljen nga kjo situatë kaotike në hartimin e një projekti të ri, të mbështetur në përmbledhjen e të kaluarës (pozitive dhe negative) dhe studimin e situatës aktuale. Poashtu prej dobësive të lëvizjes islame është prioriteti i anës emocionale mbi anën shkencore-logjike, si ngutja në realizimin e idealit.

Ai thotë se konfuzioni politik nuk është shkatërrimtar vetëm i politikës, por edhe i administratës, ekonomisë, moralit dhe fesë, dhe i jetës në përgjithësi.

Ai e konsideron si opcion më të vlefshëm dhe më shpresëdhënës të ashtuquajturin opcion mesatar, sepse vetëm ai ka mundësi të jetë aktiv dhe të ketë vazhdueshmëri.

Shenjat e vazhdueshmërisë së këtij opcioni, dhe bazën e mbështetjes së tij, Kardaviu i sheh siç vijon:

· Uniteti (baraspesha) mes tradicionalistëve dhe reformatorëve

· Baraspesha mes parimeve stabile dhe atyre që pësojnë ndryshime me kohën (koordinimi i tyre)

· Kujdesi i madh nga ngurtësia, parcipializimi dhe moskuptimi adekuat i Islamit.

· Të kuptarit global (universal) të Islamit.

Ai thotë se nuk është e drejtë që rinisë t’i hudhet barra dhe përgjegjësia e të gjitha këtyre mossukseseve dhe ngecjes, edhepse ndoshta një pjesë e saj është futur në rrjetin e radikalizmit në mendim, ose kokëfortësi në sjellje. Është për t’u habitur, thotë ai, se si ne e refuzojmë mosangazhimin dhe përgjumësinë tonë, kërkojmë prej rinisë ta ndjek rrugën e mesit dhe urtësisë, ndërsa prej të moshuarve dhe pleqve nuk kërkojmë që ta pastrojnë veten nga hipokrizia.

Ai gjithashtu thotë: “Të rinjve tanë iu ngushtua rrethi nga hipokrizia jonë, nga kundër veprimet tona, andaj ata vendosën që ta zgjedhin vetë rrugën drejt Islamit, pa ndihmën e askujt.”

Ai vlerëson se bashkësitë, organizatat dhe faktorët tjerë zyrtarë islam, “të rëndësishme dhe të vjetra historikisht”, nuk janë në gjendje që ta kryejnë misionin e rizgjimit të drejtë të rinisë islame, dhe se shërimi i sëmundjes së radikalizmit nuk do të arrihet përderisa faktori politik nuk i largon duart e veta nga rinia. Ai që jeton si shikues ndaj rizgjimit islam, ose vetëm kritikuesi i saj duke qëndruar indiferent, nuk ka mundësi të luajë rol pozitiv në përkrahjen apo progresivitetin e saj. Ai që mendon ta udhëzon rininë, është i obliguar që të jeton bashkërisht me të, dhe t’i njeh problemet e saja prej së afërmi, nëse dëshiron të ketë sukses në misionin e tij.

Kardaviu thotë se popullata islame sot është duke aplikuar bidate (risi) të shumta në fe, kurse dihet se risitë e pabazuara në argumente janë humbje dhe dalalet; ndërsa stagnoi dhe ngeci në çështjet e dunjasë, kurse ky stagnim paraqet injorancë. Do të kishte qenë më e dobishme dhe më produktive sikurse të ndryshonin rolet: të shfaqen risitë në çështjet e dunjasë dhe të ndiqen me përpikshmëri rregullat e fesë.

Ai e sheh se disa dijetarë nuk e kryejnë me nder misionin e da’ves së vërtetë, kurse disa ecin me karvanin e karrierizmit, duke i ndjekur dhe kërkuar postet nga pushtet mbajtësit, ndërsa disa të tjerë e bënë veten e tyre aparat që prodhon fetva sipas dëshirës dhe interesit.

Nuk ka dyshim se Dr. Jusuf el Kardavi konsiderohet nga dijetarët më autoritativ bashkëkohorë islam, i cili dallohet nga të tjerët me njohuritë dhe pikësynimet e forta dhe të prera, me diapazon të gjerë të diturisë. Ai është largpamës, si rezultat i njohurive të thella të shkencave islame dhe përvojës së gjatë praktike në aktivitete islamike. Ai poashtu konsiderohet prej mendimtarëve bashkëkohor islam që e ndjek rrugën e mesit dhe argumentit. Ai është përmbledhës i praktikimit adekuat të ligjeve (sistemit) islame dhe nevojave elementare të jetës.

Botimet e tij përfshijnë precizitetin e një dijetari, shkëlqimin e një letrari dhe lirinë e një thirrësi në Islam.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit