2.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Justinian Topulli – Në kërkim të shkakut dhe ilaçit për përçarjen tonë

Më të lexuarat

Ndër parimet e pranuara gjerësisht mes njerëzve, është edhe parimi që thotë se fenomenet janë të lidhura me rregullin universal të shkak-pasojës. Ky parim njihet edhe nga Islami. Por ky rregull universal a shtrihet vetëm në jetën materiale apo edhe në atë shpirtërore dhe shoqërore? Ndërmjet materializmit dhe fesë së vërtetë, ka një pajtim idesh në këtë drejtim. Që të dyja bien dakord se edhe në botën shpirtërore dhe sociale, vepron ligji i shkak-pasojës. Por, ka edhe një mospajtim thelbësor. Mospajtimi qëndron në faktin se cili është shkaku i vërtetë për lumturinë dhe begatinë e individit dhe shoqërisë, apo edhe për vuajtjet dhe të këqijat që gjenden në botë? Materialistët thonë se shkaku duhet kërkuar në tokë, ndërsa besimtarët thonë se ai duhet kërkuar në qiell. Materialistët analizojnë me qindra shkaqe tokësore për të treguar pse erdhi kjo pasojë, ndërsa besimtarët thonë se shumë nga këto shkaqe janë pasoja qiellore të një shkaku të vetëm tokësor dhe gjithëpërfshirës.

Bekimet, uratat dhe mirësia vijnë nga qielli dhe po kështu edhe e keqja, vuajtjet dhe ndëshkimi vijnë po nga i njëjti burim. E gjitha kjo vjen nga një shkak i vetëm tokësor dhe njerëzor, bindja ose jo ndaj Zotit, e thënë ndryshe, të mëkatosh apo të jesh i devotshëm.[1] Për ata njerëz që e shohin botën vetëm me sy material apo më së shumti, ky arsyetim nuk pranohet, për të vetmen arsye sepse nuk ka një lidhje të dukshme organike ndërmjet shkakut dhe pasojës. Për ta, hallkat që lidhin zinxhirin e fenomeneve në botë, sipas këtij shpjegimi fetar mungojnë, ndaj dhe për rrjedhojë kjo analizë është shumë e cekët, tepër naive që tenton të thjeshtëzojë një mori fenomenesh dhe t’i reduktojë ato në një të vetëm. Sipas vështrimit të tyre tokësor kjo analizë është e pavërtetë ose së paku pjesërisht e vërtetë, madje edhe nëse ata pranojnë diçka për të vërtetë nga kjo analizë e thjeshtëzuar, është vetëm ana tokësore dhe jo ajo hyjnore.

Ne jemi besimtarë muslimanë dhe feja jonë është një fe tërësisht monoteiste, për ne nuk ka dualizëm, ku në jetë të veprojnë dy forca të ndara ajo materiale e tokësore dhe ajo shpirtërore dhe qiellore, ku herë vepron shpirtërorja dhe herë materialja dhe herë të dyja bashkë. Në jetën e natyrshme nuk ka të tilla ndarje dhe Islami është natyra njerëzore në të cilën njeriu u krijua. Të gjitha anët në dukje kontradiktore apo të ndryshme të një fenomeni nuk janë vetëm se faqet e ndryshme të një objekti tredimensional. Për ne nuk ka shkaqe materiale të ndara nga ato shpirtëroret, pra nuk mund të ekzistojnë shkaqe materiale pa pasur brenda shpirtëroren, ashtu siç edhe nuk mund të ketë shkaqe shpirtërore pa pasur anën materiale. Ndarja e këtyre të dyjave në shpjegimin e fenomeneve që ndodhin në botën e njeriut vetëm sa e komplikojnë problemin dhe nuk të çojnë te e vërteta e plotë, por tek ajo e pjesshme dhe për rrjedhim e gabuar, e gabuar në atë masë sa e pjesshme është ajo.

“Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.”[2]

Uniteti mes muslimanëve është begati, forcë dhe përparim. Kjo gjë është e vërtetë, porse kjo renditje nuk na tregon shkakun e vërtetë të kësaj mirësie. Profeti (salallahu alejhi ue selem) thotë:“Bashkësia është mëshirë, ndërsa përçarja është ndëshkim” [3] Ne duhet bëjmë pyetjen se nga erdhi kjo mëshirë? Nga bashkimi? Apo mëshira solli bashkimin dhe përçarja është një gjurmë e ndëshkimit? Natyrisht disa mund të mendojnë të parën dhe disa të dytën. Por që të mos u lë të hamendësoni në opinione individuale, po thërras në ndihmë përqasjen e shpalljes hyjnore ndaj kësaj pyetjeje.

Shpallja e Zotit na thotë: “Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka, por ata mohuan, prandaj i dënuam për atë që bënë.”[4] Dhe plot ajete të tjera, të cilat na flasin për një rregull të përgjithshëm se bindja ndaj Allahut sjell begati dhe mosbindja apo mëkati, ndëshkohet me fatkeqësi. Edhe përçarja nuk bën përjashtim, pasi edhe ajo është një fatkeqësi. Dhe pikërisht në mënyrë më të veçantë, Allahu këtë e ka përmendur në suren El-en’am: “Thuaj: “Ai ka fuqi t’ju ndëshkojë prej së larti ose nga poshtë këmbëve tuaja, ose t’ju përçajë në grupe e të vuani nga duart e njëri-tjetrit. Shih si ua shpjegojmë shpalljet, që ata të mund të kuptojnë!”[5] Ajeti e tregon fare qartë se përçarja është pjesë e ndëshkimit të Zotit, dhe ndëshkimi i Tij vjen për shkak të mëkateve. Pra, lidhja shkak-pasojë, në këtë rast nuk është horizontale tokësore, por vertikale tokësore-qiellore.

Vetë shpallja hyjnore ka treguar se mëkati është ai që prish vëllazërinë, madje edhe nëse ky mëkat nuk ka lidhje organike të drejtpërdrejtë me pasojën, Profeti (salallahu alejhi ue selem) thotë:“Nëse dy njerëz duhen për hir të Allahut dhe më pas ndahen, kjo vjen si pasojë e ndonjë mëkati që bën ndonjëri prej tyre.”[6]Forma sintaksore e përdorur në arabisht në këtë hadith si dhe trajta e pashquar e fjalës mëkat, tregojnë se nuk bëhet fjalë për ndonjë mëkat të veçantë, por për çfarëdo lloj mëkati. Nga kjo kuptojmë se gjynahet tona kanë pjesën e tyre të rëndësishme në ekzistencën e këtij mospajtimi mes nesh si muslimanë. Ndaj nuk është e drejtë që të përjashtohen gjynahet individuale si shkak i përçarjes tonë dhe të analizohen vetëm ato që bëhen në emër të xhematit dhe të fesë, çdo mëkat ka pjesën e tij. Zinxhiri shkak-pasojë është shumë i qartë, individi mëkaton dhe ndëshkimi i Zotit shfaqet edhe në formën e përçarjes, e ndërsa shkaqet tokësore janë vetëm ana e jashtme e problemit. Por, mëkati nuk është vetëm ai i dukshmi që ne e shohim dhe e kritikojmë, por edhe ai që bëhet mes katër mureve apo larg syve të njerëzve. Nëse njëra palë kritikon palën tjetër për gabime publike dhe gafa trashanike, tjetra i përgjigjet me po të njëjtën monedhë, por tashmë për gabime individuale. Në fakt që të dyja gabimet janë pjesë e mëkateve, të cilat sjellin për pasojë ndëshkimin e Allahut, dhe përçarja dhe konfliktet mes vëllezërve siç u tha, janë pjesë e ndëshkimit. Pra, mos t’iu duket habi se përgojimi i një x personi, të sjellë përçarjen me y person, apo moskryerja e namazit në kohë, apo futja e vetes në lloj-lloj haramesh, duke u justifikuar me qëllimin e nevojës apo të dauas, fetvasë të këtij dijetari apo atij tjetri, nuk është kontribut në përçarje.

Nëse analiza të tilla kaq të thjeshtuara ndonjërit i duken të përcipta, apo edhe sipërfaqësore kjo nuk tregon gjë tjetër vetëm se ikje ndaj përgjegjësisë personale, me justifikimin se kjo e jona nuk është si ajo e tjetrit që unë kritikoj, dhe për rrjedhim problemi do vazhdojë të ngelet. Nëse ajetet dhe hadithet i vënë pikat mbi i dhe tregojnë se ku qëndron në të vërtetë plaga, a mos vallë shpallja qenka e cekët dhe sipërfaqësore?! Disa në fakt mundohen t’i shmangen problemit duke u justifikuar se shpallja interpretohet dhe nuk duhet marrë në mënyrë literale! Kjo është e vërtetë, por vetëm për një pakicë rastesh ama. Por, edhe interpretimi që shmang kuptimin literal, vjen ose nga vetë konteksti i shpalljes ose nga një pjesë tjetër e shpalljes, pasi shpallja qartëson vetveten, ndaj dhe mospranimi i të vërtetës që vjen nga shpallja, është ikje nga njohja e vërtetë e realitetit.

Analizat e detajuara të realitetit nganjëherë të shpien në largimin nga thelbi, ato kanë vlerën e tyre, përderisa nuk të çojnë në një përfundim të ndryshëm nga ajo, çka shpallja e ka thënë shumë thjeshtë dhe qartë. Si e tillë, nuk është e detyrueshme që patjetër të dish çdo hollësi të realitetit për të kapur thelbin, aq më tepër që për problemin që po flasim, thelbin na e ka ofruar të gatshëm shpallja hyjnore dhe ajo na ka dhënë edhe zgjidhjen, e pse duhet pra ta kërkojmë atë diku tjetër?!

Nganjëherë, problemi qëndron gjetkë, te mosgjetja saktë e zgjidhjes që vetë shpallja na e ka ofruar, dhe në këtë rast, gabimi nuk vjen nga mosnjohja e realitetit, por nga mosnjohja e zgjidhjes që jep shpallja. Njohja tokësore horizontale e realitetit, dhe natyrisht e pjesshme bëhet në terren, dhe analiza i bëhet nëpër kafe, por njohja e vërtetë, ajo vertikale e thelbit të marrëdhënieve tokë-qiell dhe qiell-tokë, gjendet te meditimi mbi shpalljen, dhe ky është edhe fikhu i zgjidhjeve, fikhu i vërtetë për të cilin na ka folur Profeti (salallahu alejhi ue selem). Allahu na ruajt nga gjynahet dhe mos na privoftë nga ky fikh! Amin!


[1] Për një pasqyrë më të gjerë rreth lidhjes mes mëkatit dhe dëmeve të tij mund të lexoni librin e Ibn Kajimit “Sëmundja dhe Ilaçi”.

[2] Rrum:30.

[3] Transmeton Abdullah ibn Ahmed në Zeuaid Musned dhe është sahih, shih Es-sahiha nr.667.

[4] Araf:96.

[5] Ajeti 65.

[6] Transmeton Buhari në Edeb El-mufred, dhe është sahih.

Justian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit